Home Gjeo-Ekonomia “Kemi gati draft propozimin ligjor për votën e emigrantëve”, Adriatik Lapaj takim...

“Kemi gati draft propozimin ligjor për votën e emigrantëve”, Adriatik Lapaj takim me shqiptarët në Britani: Vendimi i Kushtetueses, detyrim

Lëvizja “Shqipëria Bëhet” ka zhvilluar një bashkëbisedim në Londër, Britani me komunitetin shqiptar.

Pjesëmarrës në këtë bashkëbisedim ishin Adriatik Lapaj, Edlira Çepani, Florjan Binaj dhe Arjan Konomi.

Gjatë fjalës së tij, Lapaj u shpreh se është gati draft propozimi ligjor për votën e emigrantëve, ndërsa shtoi se vendimi i Kushtetueses është detyrim.

Fjala e Adriatik Lapaj:

Është shumë e thjeshtë, ka dy mënyra.
1) Ne do hapim pikën tonë këtu të Lëvizjes, strukturën tonë, si në çdo qytet tjetër. Dhe kjo strukturë do zgjerohet në vijimësi me kontakte.
2)Ndërsa në makro, në Shqipëri ka dy rrugë: Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar në vendimin e saj që Parlamenti brenda këtij viti duhet të përmbushë detyrimin që ju të votoni.

Ne sapo të kthehemi në Tiranë këtë javë, kemi gati draft propozimin ligjor, për votën e emigrantëve, për ndryshime në kodin zgjedhor. Do e hedhim këtë javë.
Nëse nuk ka reflektim, ne do mbledhim 20 mijë firma në Shqipëri, për votën e Diasporës, për ta çuar si iniciativë ligjore dhe ta detyrojmë parlamenti të shprehet. Nëse as kjo nuk funksionon, ka një rrugë finale.

Rruga finale është: ‘Të flisni në telefon me këdo në Shqipëri, e t’i bindni që është koha për të ndryshuar. Dhe nga ana tjetër, vet kur të vijë koha, masivisht, nëpërmjet një eksodi të madh nga Anglia në Shqipëri, të vini të shkundni votën e t’i ndëshkoni nëpërmjet votës.

Këtë rrugë do e udhëheqin qytetarët, dhe masiviteti juaj na përcakton çdo hap.

Ne e kemi ndarë mendjen për ta çuar deri në fund.’

Fjala e Edlira Çepani:

‘Çfarë zëri kemi ne kur nuk kemi votë? Ju për të votuar duhet të merrni avionin e të shkoni ditën e votimeve në Shqipëri, apo jo?

Edhe patjetër që atë e bëni, por ju meritoni më shumë. Meritoni që si gjithë vendet e tjera të Europës, edhe si gjithë shqiptarët e Kosovës, që janë pjesa tjetër e jona, të keni mundësinë të votoni që këtu, ku jetoni e punoni.

Pse? Sepse ju meritoni më shumë se kaq. Sepse, Diaspora e Shqipërisë ka qënë ndër vite, jo vetëm sot, një nga shpëtimet e vetme që ka pasur Shqipëria.

Dhe kontributi që ju jepni për Shqipërinë, është i jashtëzakonshëm. Kontributi juaj është sa një shtet i tërë. Sa prej jush këtu ndihmojnë familjet e tyre në Shqipëri, dhe të afërmit? Të gjithë apo jo?

Remitancat që emigrantët sjellin në Shqipëri janë ato që mbajnë në këmbë ekonominë shqiptare. E meritoni pra votën, apo jo? Por nuk është vetëm kjo. Ne kemi nevojë për diasporën, jo vetëm për paratë që sjell në Shqipëri. Ne kemi nevojë për Diasporën, për eksperiencën dhe atdhedashurinë e saj.

Florjan Binaj:

‘Kur ra busti i komunizmit, unë kam qënë i vogël fare, dhe mbaj mend prindërit e mi që me thonin ‘Tani do bëhet Shqipëria si e gjithë Europa’. Mirëpo, sot që flasim, unë kam më shumë thinja se babi im në atë kohë që më tha që do bëjmë Shqipërinë, fëmijët e mi kanë mbaruar dhe kopshtin, janë në shkollë, dhe ku jemi? Jemi po aty ku ishim. Rrotullohu, rrotullohu jemi po aty ku ishim. Jemi sot këtu, sepse ne do luftojmë fort, po bashkë me ju për të ndryshuar rregullat e lojës. Ne kërkojmë katër gjëra kryesore, një nga të cilat është vota e emigrantëve. Dhe lajmi i mirë për ju, për ne, dhe gjithë shqiptarët është se Gjykata Kushtetuese ka vendosur që nga 14 janari e mbrapa, për çdo palë zgjedhje në Shqipëri, po nuk votoi Diaspora nga aty ku është , zgjedhjet quhen të pavlefshme.

Pyetje nga qytetarët prezent:

Konkretisht, çfarë mund të bëjme ne për t’ju ndihmuar? A bëhet kjo?
Jam i sigurt që bëhet, me iniciativën që keni marrë ju, me trurin që ndodhet në këtë dhomë, bëhet jo vetëm Shqipëria ,por dhe Europa.

Fjala e Arjan Konomit:

‘Jam i lumtur që jam këtu mes jush, që jeni shqiptarët e emigracionit. Thoshin atëherë: ‘Shqipëria do bëhet’, për 7 vite, për 10 vite, për 12 vite. Por ja ku jemi sot, pas kaq shumë vitesh, pas tre dekadash, jemi akoma në pozicionin e fillimit. Situata e njerëzve, situata e emigracionit, situata e dëshirës së njerëzve për t’u larguar nga Shqipëria. Nuk e kanë më as shkollimin, as edukimin, dhe asgjë tjetër që t’i mbajë në Shqipëri, por vetëm dëshirën për t’u larguar dhe për të ndërtuar një jetë më të mirë diku larg Shqipërisë. Ata që janë larguar, ama, kanë treguar se janë shembuj suksesi, shembuj suksesi në jetën e thjeshtë, shembuj suksesi në biznes, në shkollë dhe në shumë sfera të jetës.’

360grade.al

Share: