Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani u takua në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg. Ai tha se Aleanca duhet të reagojë në mënyrë të njëzëshme, duke dërguar një mesazh të qartë për çdo përshkallëzim të mundshëm në Ballkanin Perëndimor.
Ministri Hasani vlerësoi pranimin e propozimit të BE nga autoritetet e Kosovës mbi krijimin e Asocacionit të Komunave serbe dhe nxiti palët të angazhohen në dialogun konstruktiv, si e vetmja garanci për një paqe afatgjatë dhe të qëndrueshme.
Sipas tij, Shqipëria do të vijojë të luajë rol parësor në paqen e sigurinë mes të gjitha vendeve fqinje të rajonit, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin mes KFOR, EULEX dhe policisë së Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Bruksel, Hasani zhvilloi edhe takime dypalëshe me homologë të vendeve anëtare si Turqia, Belgjika, Çekia, dhe Danimarka.
Pas përfundimit të ministerialit të NATO-s, ai do të udhëtojë për në Shkup për të marrë pjesë në Ministerialin e Ministrave të Jashtëm të OSBE, në datat 30 nëntor – 1 dhjetor 2023.
360grade.al