Home KRYESORE Tatimi i profesionistëve, 28 mijë subjekte do të nisin të paguajnë këste...

Tatimi i profesionistëve, 28 mijë subjekte do të nisin të paguajnë këste paraprake

Mbi 28 mijë subjekte, kryesisht furnizues të shërbimeve profesionale, do të fillojnë të paguajnë këstet paraprake të tatimfitimit nga 2024, tregon lista e përditësuar.

Taksimi i profesionistëve të lirë do të llogaritet mbi xhiron e vitit të shkuar, ndërsa deklarata finale dorëzohet pranverën e vitit të ardhshëm.

“Gjatë vitit 2024, tatimpaguesit që janë subjekt i tatimit nga 1 janari do të paguajnë në formën e parapagimeve në bazë të ardhurave që kanë realizuar në vitin e mëparshëm, në vitin 2023, ndërkohë që deklarata finale që është vetëdeklarim do dorëzohet deri në mars 2025. Kjo do krahasohet me parapagimet. Nëse ka diçka për të paguar, do të paguhet diferenca, nëse rezulton se keni paguar më shumë, atëherë do t’i kthehen mbrapsht subjektit“, shpjegon Niko Lera, drejtor i politikave fiskale, MFE.

Ministria e Financave bën me dije se pavarësisht normës 15% që pritet të paguajnë 99% e subjekteve të reja, ata sërish do të paguajnë më pak se të punësuarit.

“Për pjesën dërrmuese të profesionistëve të lirë për ata që fitojnë 2000 – 4000 euro në muaj norma varion nga 8.5 deri në 9.5%. Të fitosh 3500 euro në muaj dhe të paguash 9% tatim nuk besoj se është një sakrificë e madhe për një tatimpagues. Nëse marrim nivel të ndryshme të ardhurash, barra fiskale që paguan një i punësuar është përgjithësisht sa dyfishi i tatimit që paguan një i vetëpunësuar për të ardhura të të njëjtit nivel“, thotë Lera.

Qeveria ndryshe nga parashikimet paraprake në buxhetin e 2024 që pritej të mblidhte një shumë prej 3 miliardë lekësh nga profesionistët e lirë, me dorëzimin e deklaratave nga subjektet ka përllogaritur se vlera reale është më e lartë në nivelin e 5 miliardë lekëve.

Top Channel

Share: