Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e plotë të arsyetuar që shpalli më 27 dhjetor për rrëzimin e kërkesës së Dhomës së Avokatisë për shfuqizimin e hartës së re gjyqësore.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë kundërshtoi si antikushtetues hartën e re gjyqësore, me pretendimin se shkrirja e gjykatave të Apelit duke lënë vetëm në Tiranë dhe eliminimi i gjykatave administrative në dy, një në kryeqytet dhe një në Lushnjë, ka shkelur parimet kushtetuese dhe interesin e qytetarëve.
Por në arsyetimin e saj Gjykata thekson se e drejta e aksesit nuk u mohohet dhe as nuk u kufizohet qytetarëve.
Gjithashtu Gjykata ka rrëzuar edhe dy pretendime të tjera të Dhomës së Avokatisë.
“Për pretendimin e cenimit të së drejtës së aksesit, VKM-ja nr. 495/2022 ka vlerësuar situatën aktuale dhe ka marrë në konsideratë objektivat, parimet dhe kriteret e përcaktuara në nenet 14 dhe 15 të ligjit nr. 98/2016, si dhe nevojën për vazhdimësinë e shërbimeve gjyqësore, transferimin e personelit dhe organizimin e logjistikës. E drejta e aksesit nuk u mohohet dhe as nuk u kufizohet qytetarëve. Veprimtaria e vetme që largon deri diku qytetarin nga vendbanimi është seanca gjyqësore, që përgjithësisht ndiqet nga përfaqësuesi ligjor, kurse në raste të tjera prania e palëve nuk është e domosdoshme, pasi një pjesë e madhe e çështjeve, sidomos në gjykatën e apelit, zhvillohen mbi bazën e dokumenteve, pasi juridiksioni rishikues është rikonceptuar vetëm për shkaqet e ngritura në ankim. Harta e re është në përputhje dhe përshtatet me qëllimin e ligjit dhe me nevojën që e ka diktuar atë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese
“Në lidhje me pretendimin për cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike, VKM-ja nr. 495/2022 nuk cenon të drejtën e avokatëve për të lidhur kontrata Vendim i Gjykatës Kushtetuese Kërkues: Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit Faqe 14 me klientët e tyre në asnjë aspekt dhe riorganizimi nuk e bën të pamundur ushtrimin e profesionit të avokatit. Në lidhje me pretendimin për cenimin e parimit të proporcionalitetit, sipas nenit 17 të Kushtetutës, harta e re merr në konsideratë kriteret e ligjit nr. 98/2016 që kanë të bëjnë me zhvillimin demografik, numrin e banorëve në raport me numrin e gjykatave, ndarjen administrativo-territoriale, zhvillimin ekonomik, infrastrukturën rrugore dhe kushtet e transportit për në gjykatë dhe midis gjykatave, si dhe karakteristikat gjeografike, ngarkesën në gjykata, eficiencën e gjykatave dhe gjyqtarëve, burimet njerëzore, vendndodhjen dhe përmasat e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale. Krijimi i degëve të gjykatave, sipas nenit 17, pika 1, të ligjit nr. 98/2016, nuk është kriter ligjor, por një mundësi alternative nëse shihet e domosdoshme.”
“Pretendimi për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit është i pabazuar, pasi VKM-ja nr. 495/2022 nuk ka përcaktuar trajtim të diferencuar të avokatëve të Dhomës Vendore Tiranë në raport me ata të dhomave të tjera, sepse të gjithë avokatët janë në kushtet që mund ta ushtrojnë lirisht profesionin e tyre. Por edhe nëse Gjykata konsideron se ka kufizim, qëllimet që synon harta e re dhe mjeti i përdorur justifikojnë diferencimin për arsye legjitime dhe objektive.”
360grade.al