Unioni i Gazetarëve Shqiptarë është vënë në dijeni se Gjykata e Lartë, në datën 20 Shkurt 2024, (sipas përfaqësuesit ligjor të rastit të gazetarit Elton Qyno), ka legjitimuar sekuestrimin e mjeteve të punës dhe sendeve personale të këtij gazetari, nga ana e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Ky vendim, ende i pazbardhur, ka shkaktuar habi dhe keqardhje të madhe mes anëtarësisë së organizatës sonë profesionale. Përmes tij është goditur rëndë parimi i konfidencialitetit të burimeve dhe lirisë vetëinformuese të gazetarit në detyrë.
Lënia në fuqi e vendimit të Gjykatës së Apelit duke e shpallur të ligjshëm sekuestrimin e paisjeve të gazetarit, përbën një precedent të rrezikshëm, pasi kjo praktikë ligjore shkakton pasoja censuruese dhe vetëcensuruese, minon kurajon e çdo gazetari për të folur dhe investiguar në mënyrë të pavarur për ngjarje dhe realitete të egra kriminale.
Vendimi i pazbardhur i Gjykatës së Lartë përligj dhe mishëron një standart të dyfishtë mes rastit në fjalë dhe më herët, në vitin 2021, ndaj portalit Lapsi.al. Ky vendim është rast vetëgoditës për pjestarët e kësaj trupe gjyqësore dhe krijon premisa të plota legjitimuese për praktika që cënojnë rëndë reporterët dhe burimet e tyre në procesin raportues dhe investigues.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron të pajustifikuar faktin që rasti i gazetarit Qyno edhe pse nuk konfirmohet për status vijues “nën hetim”, ka pasoja ndikuese për treguesit e lirisë së raportimit në mediat shqiptare.
UGSH, në pritje të zbardhjes së vendimit gjyqësor, fton gjithë organizatat dhe gazetarët të bëhen pjesë e një reagimi të fuqishëm.
Ditën e publikimit të këtij vendimi nga Gjykata e Lartë, UGSH ju fton të gjithëve në një protestë në mbrojtje të lirisë dhe garancisë së ushtrimit të misionit tonë publik e profesional.
Zyra Informuese
Unioni I Gazetarëve Shqiptarë