Home Gjeo-Ekonomia Kina, tregu i makinave elektrike dhe rritja e kërkesës për to.

Kina, tregu i makinave elektrike dhe rritja e kërkesës për to.

Mbrojtja e mjedisit prej kohësh është një imperative e të gjitha vendeve. Një ndër mënyrat për realizimin e këtij objektivi është ulja në maksimum dhe heqja nga qarkullimi i automjeteve me lëndë fosile dhe zëvendësimi i tyre me automjete elektrike dhe hibride. Në Shqipëri tashmë pasagjerët udhëtojnë me makina elektrike apo hibride, por dhe mjetet e transportit urban janë më së shumti të tilla, shtuar dhe flotën e taksive. Kompanitë shqiptare po shtojnë bashkëpunimin me prodhuesit kinezë të këtyre makinave. Në tregun evropian të makinave elektrike, automjetet kineze janë dyfishuar në më pak se dy vite. Mbretëria e Bashkuar është tregu më i madh në Evropë për markat kineze të makinave elektrike, duke zënë thuajse një të tretën e shitjeve në vitin 2023 deri më tani.

Tregu i makinave elektrike në Kinë është një nga më të mëdhenjtë në botë, duke pasur një rritje të shpejtë vitet e fundit. Kina është një nga liderët në prodhimin dhe shitjen e makinave elektrike, duke përfshirë automjete elektrike, hibride dhe me qark elektrik. Ndër prodhuesit kryesorë të këtyre automjeteve në Kinë janë BYD, NIO, Tesla etj. Analisti Bardhi Sejdarasi në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) komenton vrullin e prodhimit të makinave elektrike kineze, rritjen e kërkesës për këto automjete në Europë dhe mundësitë për rritjen e numrit të tyre në Shqipëri

CMG: Si paraqitet gjendja e automjeteve elektrike në Shqipëri? A është një prirje në rritje për përdorimin e tyre?

Bardhi Sejdarasi: Eshtë një treg mjaft interesant. Tregu që menaxhon një tjetërsim nga makinat tradicionale që kemi patur në makina që krijojnë disa favore, ndër të cilat nuk ndotin mjedisin. Ky është një objektiv i BE-së dhe ne kemi patur një directive 2020 që është tejkaluar në këtë drejtim.

CMG:Qeverisja vendore në Tiranë ka punuar mire sa i përket  shtimit të biçikletave, krijimin e korsive të dedikuara për to. Përveç  kësaj përdorimi i makinave elektrike do të ndikonte shumë në uljen e nivelit të ndotjes

Bardhi Sejdarasi:Ne kemi një inventar mjetesh shumë të vjetër në kryeqytet, ku shtohen deri në 25 mijë makina në vit. Qeveria shqiptare prej disa vitesh ka arritur të realizojë mbrojtjen e mjedisit nëpërmjet disa akteve ligjore dhe nënligjore që lidhen me  doganat. Në doganat shqiptare nuk mund të importohet sot një mjet, i cili është Euro 4 apo Euro 5, që janë standardet të cilat mbrojnë mjedisin. Ky është një standard mbarëbotëror dhe ka një tjetërsim të teknologjisë së prodhimit të makinave. Kemi kaluar nga makinat që ndotin mjedisin, sepse lidhej me karburantin, që konsumonin tek makinat hibride, të cilat funksionojnë në sistemin elektrik. Tani kemi një hop cilësor pothuajse në të gjithë botën ku po zëvendësohen makinat e vjetra me lëndë djegëse me makinat elektrike.

Në vitin 2035 Bashkimi Europian nuk do të lejojë asnjë kompani që të prodhojë makina me naftë.

Foto nga VCG

CMG: Në vendet e BE-së disa qeveri subvencionojnë që qytetarët të marrin makina elektrike në vend të atyre me lëndë djegëse.

Bardhi Sejdarasi: Duke qenë se është një investim i kushtueshëm, makinat elektrike si asset kryesor kanë bateritë litium, të cilat janë të shtrenjta dhe jo çdo shtet mund t’i prodhojë. Lider në botë për prodhimin e baterive është Kina që e ka kapacitetin e plotë për t’i prodhuar. Duke zbatuar direktivën e BE-së për një mjedis të pastër është e detyrueshme dhe e këshillueshme që një numër i madh qeverish, të cilat kanë dhe potenciale financiare, të kenë mundësinë të subvencionojnë qytetarët për të kaluar nga makinat që ndotin mjedisin, siç janë atë me lëndë djegëse fosile në makinat elektrike. Ky trend është në rritje dhe jo vetëm qytetarët subvencionohen për blerjen e makinave elektrike, por dhe kompanitë prodhuese të tyre.

CMG: Shitjet e automjeteve elektrike janë rritur në Europë  dhe tregu është zgjeruar me 62 për qind nga korriku i vitit 2022 deri në korrik të vitit 2023.

Në Gjermani në tremujorin e pare të vitit 2023 është shënuar një rritje me 22 për qind  e makinave elektrike të importuara nga Kina. Ndërsa në Pekin 7 vjet më pare qeverisja vendore ka prezantuar planin për të ndaluar futjen e të gjitha automjeteve që nuk janë elektrike.  Cilat janë standardet e reja të këtij tregu në Kinë dhe pse automjetet kineze po përhapen në të gjithë botën?

Bardhi Sejdarasi: Në Kinë ka një automjet elektrik të quajtur ET5, e prodhuar nga kompania kineze NIO, e cila është krijuar në vitin 2014. Ky automjet arrin ta çojë shpejtësinë në 100 km në orë për 4 sekonda. Ndërkohë makinat sportive gjermane me benzinë Porche Carrera, që janë makinat që krijojnë adrenalinën më të madhe dhe shiten më shtrenjtë dhe ka kaq vite që prodhohet, është e njejtë me makinën kineze. Shikoni se çfarë evolucioni është bërë në këtë drejtim në Kinë! Ky evolucion nuk ka të ndalur dhe kjo industri ka ecur me hapa të kujdesshëm dhe sot është në nivelet kryesore. Kina mbetet në vendin e parë në botë sa i përket prodhimit të makinave që mbrojnë mjedisin. Edhe në Shqipëri po e shohim që së shpejti rrugët tona por dhe të Europës dhe vendeve të tjera do të mbushen me makina elektrike, të prodhuara në Kinë.

Nga një kërkim që bëra në treg për të parë se si pozicionohen tregjet me njeri-tjetrin pashë se në vitin 2023 Kina e kaloi Japoninë, duke u bërë eksportuesi kryesor dhe më i madh i makinave elektrike në botë. Në vitin 2023 një nga kompanitë më të njohura kineze BYD  i kaloi kompanisë amerikane Tesla.

Foto nga VCG

CMG: Në një informacion të fundit mësova se BYD konsiderohet si kampioni i ri i tregut të makinave elektrike në Kinë, sepse ka qenë marka më e shitur e automjeteve gjatë muajit nëntor të vitit të kaluar, duke kryesuar listën e shitjeve. Është hera e parë që një kompani e cila prodhon vetëm automjete hibride dhe elektrike të kryesojë këtë listë. BYD ka çmime të përballueshme, ofron rijësi në teknologji dhe në drejtimin e automjetit. Së fundmi mësohet se BYD do të dërgojë deri në 30 mijë makina deri në fund të vitit 2024 në Meksikë.

Bardhi Sejdarasi: Kur bëra krahasimin midis kësaj makine dhe Teslës, e cila është një superfuqi, mësova se në 2023 BYD ka shitur 526 mijë automjete, ndërkohë që Tesla ka shitur 484 mijë automjete.

CMG: Kompania kineze BYD e ka prodhuar makinën e parë në vitin 2003 dhe ndër vite është rritur me shpejtësi. Aktualisht është prodhuesi më i madh në botë i makinave elektrike përsa i përket shitjeve.

Bardhi Sejdarasi: Kemi dhe autobusët elektrikë, për të cilët në 2017 BYD ka qenë lider botëror për shitjen e tyre.

CMG: Ndërkohë kompani të prodhimit të automjeteve si Toyota dhe Volkswagen në Kinë kanë një lloj “frike” ndaj BYD sa i përket shitjeve. Ka një interes të vendeve europiane për importimin e makinave elektrike kineze.

Bardhi Sejdarasi: Tregu është konkurrent dhe ka vërtet një “frikë” e cila buron nga teknologjia, por ndërkohë Kina është vendi i parë në botë në prodhimin e baterive, si pjesë kryesore e makinave elektrike. Që nga viti 1990 kompanitë Volkswagen dhe BMW prodhojnë në Kinë dhe lajmi i fundit është që vetëm gjatë vitit të kaluar Volkswagen shiti 3.2 milion makina në Kinë, që është sa 1/3 e të gjithë tregut që shet kjo kompani në botë. Ka një trend rritës që lidhet me këtë teknologji dhe nuk është vetëm pjesa që lidhet me dy apo tre marka të njohura ndërkombëtare, por shumë shtete kanë nevojë të arrijnë direktivën e BE-së për mbrojtjen e mjedisit.

Shqipëria po ashtu ka nevojë, sepse kemi një evolucion të dukshëm në dy vitet e fundit, që lidhet me zëvendësimin e makinave me naftë dhe përdorjen gjithmonë e më shpesh të makinave elektrike. Mjafton të shënojmë linjat e shërbimit taksi, por dhe linjat e shërbimit urban që janë hibride dhe elektrike. Ne kemi një infrastrukturë të tillë rrugore që na ndihmon sepse kemi shpejtësinë e ulët, ndërkohë që këto makina deri në 25 km punojnë me sistemin elektrik. Ndërkohë së fundmi është marrë një vendim për kryeqytetin që do të ketë korsi të dedikuara për makinat elektrike, autobusët elektrikë të shërbimit publik, taksitë, ambulancat etj, ndaj do të kemi më shumë nevojë për këtë sistem.

Një kompani shqiptaro-kineze ka një showroom me një inventar të pasur makinash elektrike dhe janë shitur makinat e para për transportin e nxënësve dhe studentëve, shitje të bëra edhe me këste. Ka një interes të shtuar sa i përket blerjes së makinave që lidhen me këtë sistem. Gjithashtu ka patur një prirje që hotelet, njësitë e akomodimit kërkojnë shuttle për transportin në Aeroportin e Rinasit, por në të ardhmen e afërt dhe në Aeroportin e Vlorës. Makinat elektrike në kushtet e distancave që ka Shqipëria do të ishin të përshtatshme të merreshin nga tregu kinez   që ofron të gjitha llojet e automjeteve të këtij lloji, por dhe makina të zjarrfikëseve, madje dhe trajlera po prodhohen elektrike.

Foto nga VCG

CMG: Ju thatë se standardet e makinave elektrike që prodhohen në Kinë po përhapen në të gjithë botën, ashtu si ato të prodhuara në Korenë e Jugut. Cili është dallimi midis këtyre makinave? Ka një hezitim nga blerësit shqiptarë në zgjedhjen mes makinës koreanojugore dhe asaj kineze?

Bardhi Sejdarasi: Nuk duhet të ketë hezitim kur Volkswagen apo BMW prodhojnë në Kinë që nga vitet 90-të. Edhe makinat elektrike që vijnë sot tek ne janë të prodhuara në Kinë. Nuk mund  të ketë hezitim, kur BYD ka shitur vitin e kaluar 3 milion mjete elektrike dhe hibride dhe eksporton në 70 shtete. Një pjesë e mirë e produkteve të certifikuara të kësaj kompanie nga organizmat ndërkombëtare ndodhen në territrin tonë.

CMG: Ndoshta kanë njohur më shumë makinat koreanojugore?

Bardhi Sejdarasi: Jo, është psikologjike. Por nuk e kuptojnë që edhe BMW që kanë blerë apo Volkswagen është prodhuar në Kinë. Këtë vit pritet të nisë ndërtimi i fabrikës së re në Hungari e kompanisë kineze, e cila do të krijojë potencial për të eleminuar kostot e transportit, por dhe do të kenë një çmim më të lirë se sa aktualisht. Në një treg të tillë me gamë të gjerë ne kemi mundësi të zgjedhim atë që është më e vlefshme dhe ata që janë skeptikë ta provojnë mjetin. Tregu është në avancim dhe ofron një larmi produktesh që mund t’i zgjedhësh sipas kërkesave.Tregu ofron makina elektrike me cilësi, kosto të ulët, me të cilat mund të kursesh. Këto avantazhe e bëjnë Kinën vendin e parë në botë për prodhimin e makinave elektrike dhe eksportin e tyre.

Intervistoi Eda Merepeza/Artikulli dhe fotot janë ofruar nga CRI.CN

Share: