Home Gjeo-Ekonomia Protesta e studentëve në Athinë degjeneron në dhunë. Forcat speciale rrahin brutalisht...

Protesta e studentëve në Athinë degjeneron në dhunë. Forcat speciale rrahin brutalisht studentët

Një protestë e studentëve në Athinë kundër projektligjit që do të lejojë ngritjen e degëve të universiteteve të huaja në Greqi ka degjeneruar në dhunë pasditen e së premtes.

Kamerat televizive kanë regjistruar pamje tronditëse nga sheshi para parlamentit në kryeqytet ku si pasojë e dhunës policore janë plagosur disa studentë .

Incidentet ndodhën pa asnjë shkak kur pjesa më e madhe e studentëve mbërritën jashtë parlamentit, ndërsa brenda vazhdon ende debati mes deputetëve të partisë në fuqi dhe atyre të opozitës që shprehen kundër këtij projektligji.

Tensioni arriti kulmin kur forcat speciale të policisë kanë hedhur gaz lotsjellës dhe kanë rrahur brutalisht disa dhjetëra studentë.

Të paktën tetë studentë u plagosën siç tregojnë fotot dhe videot me fytyrat e tyre të përgjakura, të cilat po bëjnë xhiron e mediave vendase dhe të huaja, ndërsa disa ambulanca i kanë çuar ata në spital për tu dhënë ndihmën e parë.

Sipas informacioneve nga policia janë shoqëruar mbi 10 persona dhe janë arrestuar 3 studentë.

Pjesëmarrja e studentëve në protesta ka qenë masive gjatë gjithë ditës, ndërsa ata kanë deklaruar se pavarësisht incidenteve janë të vendosur të qëndrojnë jashtë parlamentit deri kur të votohet për miratimin e projektligjit.

Top Channel

Share: