Home Gjeo-Ekonomia Sulmi me 137 viktima në Moskë, Franca aktivizon sistemin e alarmit në...

Sulmi me 137 viktima në Moskë, Franca aktivizon sistemin e alarmit në vend

Qeveria franceze po rrit nivelin e alarmit të terrorit pas sulmit në Moskë, pasi i gjithë Kontinenti i Vjetër mbetet në gatishmëri të lartë nga frika e sulmeve të Shtetit Islamik.

Kryeministri francez, Gabriel Attal pas një takimi me presidentin Emmanuel Macron dhe zyrtarë të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes morën vendimin për të rritur sigurinë në vend. Ky vendim vjen disa muaj përpara se Parisi të presë Olimpiadën.

Sistemi i alarmit për terror në Francë ka tre nivele dhe më i larti aktivizohet pas një sulmi në Francë ose jashtë saj ose kur kërcënimi i një sulmi të tillë konsiderohet i pashmangshëm. Rritja e nivelit të alarmit nënkupton automatikisht masa sigurie emergjente, si shtimi i patrullimeve nga forcat e armatosura në vende publike, duke përfshirë stacionet e trenave, aeroportet dhe vendet e adhurimit.

Vihet re se pas sulmit vdekjeprurës në Moskë, Ministria e Brendshme italiane njoftoi forcimin e masave të sigurisë në ambasada, stacione hekurudhore dhe aeroporte. Një mbledhje e re e Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Italisë është planifikuar për të hënën për të marrë çdo masë të re, nëse shihet e nevojshme. Në orët e fundit sytë janë kthyer nga dega e ISIS që qëndron pas masakrës.

360grade.al

Share: