Home Gjeo-Ekonomia Sulmi terrorist në Moskë/ Katër autorët dalin para gjykatës, të dhunuar brutalisht...

Sulmi terrorist në Moskë/ Katër autorët dalin para gjykatës, të dhunuar brutalisht dhe me shenja në trup, njëri prej tyre nuk ecën dot

Katër të arrestuarit të akuzuar për kryerjen e sulmit terrorist të së premtes në sallën e koncerteve Crocus City Hall në periferi të Moskës janë lënë në paraburgim për dy muaj nga një gjykatë në kryeqytetin rus. Nga sulmi i regjistruar humbën jetën 137 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

Gjykata u la në masën e paraburgimit deri më 22 maj, në pritje të gjykimit, fillimi i të cilit ende nuk është caktuar. Prandaj, paraburgimi i tyre mund të zgjatet. Katër autorët akuzohen për “terrorizëm” ndërsa përballen me burgim të përjetshëm.

Pamjet nga gjykata tregojnë se tre prej autorëve të dyshuar po çohen me pranga në dhomën e posaçme për të akuzuarit. I katërti u transferua në një karrige speciale, pa mundur të hapte sytë. Dy të pandehur thuhet se kanë pranuar fajësinë: Dalerzon Mirzoev dhe Saidakrami Murondali Ratchabalizonda. Sipas BBC, ata iu drejtuan gjykatës në Taxhikisht me ndihmën e një përkthyesi. Dy të tjerët quhen Samsindin Faridouni dhe Muhammadsobir Faizov.

Autoritetet ruse kanë thënë se të pandehurit janë “shtetas të huaj”, pa specifikuar kombësinë e tyre.  Agjencia e lajmeve RIA Novosti raportoi se një nga të pandehurit punonte në një sallon flokësh në qytetin e Ivanovo, në verilindje të Moskës. Një tjetër është babai i një foshnjeje tetë muajshe, një punëtor fabrike në qytetin e Poldosk, në periferi të kryeqytetit rus.

Një ditë pas sulmit organizata xhihadiste Shteti Islamik mori përgjegjësinë për aktin e rëndë. Presidenti rus, Vladimir Putin pretendoi, pa dhënë prova, se disa persona në Ukrainë kishin bërë përgatitje për të ndihmuar terroristët të kalonin kufirin rus. Kievi ka mohuar çdo përfshirje në sulm.

360grade.al

Share: