Për të më njohur, mjafton të lexosh në rreshtat e mi. Për mua nuk janë shkruar libra apo artikuj. Për të më njohur mjafton të dëgjosh historitë e mia të reja apo edhe të ricikosh të vjetrat. Nuk jam në asnjë poster, në T-shirt e të njohurve të mi, nuk është portreti im. Emri im nuk figuron në asnjë faqe Interneti. Nuk jam i hedhur as në grafikë as në pikturë. Ca vargje për mua ndoshta dikush i ka hedhur vetëtimthi por më pas është bërë pishman. Nuk jam as legjendë, as simbol e as ikonë. Edhe pse i panjohur nga të shumtët, ashtu si miliona të tjerë, jam ndotur nga armiqtë dhe përkedhelur nga miqtë. Jam steriotipi i kontraditës, jam njeriu i butë e i ashpër, prototip që s’ka nevojë të imitohet. Nuk jam prekur nga fama e papritur, ndaj s’kam nevojë për terapi psikoanalitike.