Home Gjeo-Ekonomia Pagat e reja të Policisë së Shtetit sipas gradave

Pagat e reja të Policisë së Shtetit sipas gradave

Qeveria miratoi një ditë më parë rritjen e pagës për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, AMP dhe një sërë institucionesh të tjera. Ministri i Brendshëm Taulant Balla, publikoi mëngjesin e së enjtes në rrjetet sociale se sa do të jetë niveli i rritjes së pagës për punonjësit e Policisë, sipas kategorisë.

Në postimin e Ballës sqarohet se, për gradën “inspektor” paga rritet në vlerë 20 120 lekë, plus ushqim, pra nga 61 500 lekë që ishte deri më sot, nga 1 korriku paga do të bëhet 81 620 lekë.

Për gradën “nënkomisar”, paga shtohet në masën 20 635 lekë plus ushqimin. Kësisoj, nga paga aktuale 70 697 lekë, paga nga 1 korriku për gradën nën-komisar do të jetë 91 332 lekë.

Dhe, për gradën “komisar” paga do të rritet në masën 22 173 lekë plus ushqimin. Nga 1 korriku paga për gradën komisar do të jetë 99 282 lekë, nga 77 109 lekë që është aktualisht.

Ministri Balla në postimin e tij shpreh vlerësimin për kontributin për e çdo punonjësi të Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera të emergjencës që me angazhimin e tyre kanë kontribuar në rritjen e sigurisë publike dhe në rritjen e besimit të qytetarëve tek Policia e Shtetit, Zjarrfikësit dhe institucionet e tjera të emergjencës.

“Me lajmin e mirë të rritjes së pagës së punonjësve të Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Gardës së Republikës, Shërbimit Zjarrfikës dhe Shpëtimit dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen time çdo njërit prej tyre për angazhimin në dobi të sigurisë publike dhe në rritjen e besimit të qytetarëve”, thekson Balla.

360grade.al

Share: