Home Gjeo-Ekonomia Si po shtrenjtohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE?!

Si po shtrenjtohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE?!

Nga Ben Andoni

Shqipëria do të presë pas pak muajve kampin italian për emigrantët në veriperëndim të vendit, si zbatim i iniciativës së kryeministrave Rama-Meloni dhe ratifikuar nga parlamentet respektive. Pjesë e marrëveshjes Shqipëri-Itali, kampi e kaloi “normal” mosrealizimin e afatit të 20 Majit dhe tashmë mendohet se e gjithë infrastruktura do përgatitet deri më 10 nëntor. Do të ishte gazeta italiane “La Repubblica”, e cila duke cituar Ministrinë italiane të Mbrojtjes, konfirmoi se kampi i Gjadrit do të hapej me gjasë në fund të vitit 2024.

Buxheti i parashikuar për ndërtimin e qendrave të pritjes, menaxhimit dhe mbajtjes së emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër u parapa të kushtonte 654 milion euro, por sipas “La Repubblica” kosto rrezikon të shkojë deri në 1 miliard euro për 5 vjet. Sot, që lajmet për kampin janë harruar çdokush pyet se cilët janë përfitimet e Shqipërisë në këtë rast. Kuptohet se qeverisja Rama dhe aktorët pranë tij kanë përmendur nostalgjinë me vitet e vështira të emigracionit masiv shqiptar, madje dhe një pjesë e qytetarëve me Vox Pop kanë shprehur të njëjtën gjë. Po a ia vlen vallë e gjitha kjo?

Jo shumë larg nesh, opinioni ballkanik do të pësonte një trandje, kur në ditët e mbledhjes së Komitetit Politik në Britani, aq shumë të fryrë tek ne, por me një rëndësi minore për fatet evropiane, kancelari Scholz ndërmori një udhëtim në Beograd. Për ata që dëgjonin vetëm emrin e tij dhe shtesën Beograd, kanë menduar se biseda do ishte rutinore për integrimin e Serbisë zyrtare, që bashkë me Malin e Zi, mezi kanë arritur të mbyllin disa kapituj sëbashku, në metodologjinë e anëtarësimit.

Por jo, realiteti ishte përgatitur pak ditë më parë, kur Gjykata Kushtetuese e Republikës së Serbisë nxori se ish-qeveria e kryeministres Ana Brnabiq kishte vepruar në mënyrë jokushtetuese (!) kur tërhoqi lejet për “Rio Tinto”. E vërteta është se subjekti i metaleve dhe minierave anglo-australiane po punon për një kompleks të gjerë 250 hektarësh për të shfrytëzuar depozitat e mëdha minerale në një luginë pjellore perëndimore të Serbisë. Por interesat e tyre u përballuan nga shoqatat mjedisore dhe grupe lokalë të të ashtuquajturit projekti “Jadar” kundër Presidentit Aleksandar Vuçiq dhe aleatëve të tij në pushtet.

Anipse, autokracia e Vuçiq dhe kthimi i vendimit me Kushtetuesen, tregoi sesa energji tashmë ka ikur kot. Dhe, qeveria e re, që kryesohet me kryetarin e partisë së Vuçiq (SNS), Milos Vuçeviq, i cili u promovua nga Ministër i Mbrojtjes në zyrën e kryeministrit, nuk humbi kohë. Qeveria e Serbisë ka rivendosur planin e saj hapësinor për ndërtimin e minierës dhe fabrikës të përpunimit të litiumit shumë miliarda dollarësh.

Kancelari Scholz, që mori pjesë në “samitin kritik të lëndëve të para” në kryeqytetin serb, ku edhe u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit midis BE-së dhe qeverisë së Serbisë për një “partneritet strategjik” mbi lëndët e para të qëndrueshme, zinxhirët e furnizimit me bateri dhe automjetet elektrike u shpreh se: “ky është një projekt i rëndësishëm evropian”, duke shtuar se është e nevojshme që Evropa “të mbetet sovrane në një botë në ndryshim dhe të mos jetë e varur nga të tjerët, prandaj duhet të zbulohen burime të reja të lëndëve të para”. Dhe, shtoi: “Më vjen mirë që u mor vendimi. E pranoj, ky vendim kërkonte guxim, por u mor në momentin e duhur”. Tashmë, e kupton qartë edhe pse askush në Bruksel nuk do t’ia dijë për Bajnskën dhe masat shtrënguese ndaj Serbisë, që justifikohen para Kosovës me zërin e mekur sepse dialogu duhet të vazhdojë dhe se Prishtina duhet të plotësojë detyrimet (!!!).

Bëmë pak histori për të treguar se në çfarë pozitash janë sot dy vendet kryesore të Ballkanit, që presin pas dyerve të Brukselit. Në një statistikë, thuhet se litiumi, që përdoret për bateri, do të heqë deridiku varësinë evropiane nga Kina dhe do të mundësojë prodhimin e 1 milionë baterive syresh për makinat elektrike. Vuçiq premtoi se miniera mund të hapet më 2028, duke shtuar se ajo parashikohet të prodhojë 58.000 tonë litium në vit, gjë që do të “mjaftonte për 17 për qind të prodhimit të EV-së në Evropë – 1,1 milionë …përafërsisht”. Gjermania me këtë masë i paraprin të ardhmes, si një nga prodhueset kryesore. Firma në dokument e Ramës për kampin dhe e Vuçiçeviq për bateritë me bekimin e Vuçiq do të thotë që vendet tona do të përfitojnë në kurriz të vuajtjeve jo të pakta drejt Brukselit. Siguria në Shqipëria, mjedisi në Serbi do mbeten sfidë, kurse anëtarësimi mbetet në kalenda, paçka se Vuçiq ka dhënë garanci maksimale për mjedisin, ashtu si Rama për mbarëvajtjen e kampeve.

Po në terren: Kampet e emigrantëve, ikja e fuqisë punëtore të kualifikuar, nxjerrja e litiumit, po bëhen pa asnjë lloj përfitimi të anëtarësimit në BE ose standardet e demokracisë. Serbia dhe Mali i Zi, dy vendet pararojë të Ballkanit Perëndimor, mezi kanë mbyllur pak kapituj dhe me këtë ritëm do duhet edhe gjysmë shekulli tjetër, kurse Shqipëria e Maqedonia e Veriut, presin për Mbledhjen e Dytë Ndërqeveritare. Kosova e Bosnja janë ende shumë pas.

Që nga momenti kur Partia Progresive Serbe (SNS – Partia e Vuçiqit) erdhi në pushtet në Beograd në vitin 2013, nuk ndalet emigrimi nga Serbia. Të dhënat zyrtare nga Agjencia Evropiane e Statistikave konfirmojnë se ka pasur një ikje të tillë nga viti 2013 deri në vitin 2021, që përkon me ikjen e pothuajse 350 mijë qytetarë të Serbisë, pra gati i gjithë qyteti i Novi Sadit, ka aplikuar dhe ka marrë leje qëndrimi në vendet e BE-së. Në këtë shifër nuk përfshihen ata serbë që banojnë ilegalisht në vendet e BE-së dhe sipas vlerësimeve jozyrtare janë ende gjysma e tyre (Demokracia, 2022). Ndërkohë, rasti i Shqipërisë është edhe më i hidhur: Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se nga viti 2013 deri në 2023, në vendet e Bashkimit Europian kërkuan azil 64.2 mijë shqiptarë nën 18 vjeç. Në vlerë absolute, kjo shifër ishte e pesta në botë, por, në raport me popullsinë, Shqipëria kishte normën e dytë më të lartë në botë të azilkërkuesve nën 18 vjeç në BE, me 241 të rinj për 10 mijë banorë. Shqipëria lë pas vetëm Sirinë, që ka 266 kërkesa për azil për 10 mijë banorë (Monitor, 2024). Dhe, tendenca nuk di të ndalet, kurse rezultatet e Censusit 2023 ishin të dhimbshme.

Pasojat kuptohen dhe vinë nga mospërmbushja e detyrimeve demokratike dhe reformat e munguara të qeverive tona, ashtu si mos mbajtja e premtimit të qershorit të vitit 2003, në Samitin e Selanikut në Greqi, kur liderët e Bashkimit Evropian u premtuan vendeve të Ballkanit Perëndimor: “E ardhmja e Ballkanit është brenda Bashkimit Evropian”. Ajo periudhë e ndritshme mbeti pas, kurse Kroacia, që është integruar pothuaj dhjetë vite më parë, duket sikur është një realitet tjetër. Evropa duket e lodhur nga zgjerimi, nga qesëndia që i bën Hungaria, Polonia e Çekia, por edhe tollovisë së saj, që krisjen e parë e dha me goditjen e Kushtetutës evropiane, që u hodh poshtë nga votuesit francezë dhe holandezë. Teksa, premtimet dhe metodologjitë, shtuar me premtimet e kanë lodhur aq shumë publikun saqë në pak vitet e ardhshme, nëse do të vazhdojë kështu, rajoni mund të zbresë në kuota sfiduese euroskeptike.

Ndaj, shqiptarët, serbët, malazezët, maqedonasit (e veriut), boshnjakët dhe kosovarët e dinë udhën e tyre. Larg vendeve të tyre, ku qeveritë tona lënë shumë për të dëshiruar sa i përket demokracisë dhe korrupsionit të frikshëm dhe ku rregullat e ligjet dhe premtimet rrjedhin pa mundur të soliditohen. Duket se teoria sociologjike e Bauman shpjegon likuiditetin e botës moderne por edhe pasigurinë e BE-së, teori “Pushteti ka rrëshqitur nga niveli i tij i mëparshëm, duke u tërhequr nga përgjegjësia e kontrollit të qytetarëve: këtu është thelbi i krizës së demokracisë: referenca e detyrimit është në debatin midis demokracisë dhe përfaqësimit, i diskutuar tashmë nga Ruso në shekullin XVIII. Ne votojmë për qeveritë dhe politikanët që s’kanë më fuqi për të vepruar, apo për të marrë vendimet e duhura, pasi pushteti është diku tjetër, mbi ligjet e shteteve individuale dhe i lirë për të lëvizur sipas dëshirës” (Bordoni, 2016).

Shqiptarët janë të lodhur fillimisht me shtetin e tyre dhe zgjedhjet që kanë bërë, duke ia besuar fatin e vendit politikanëve, që thjesht janë pasuruar, ashtu si ballkanasit e tjerë, po shikojnë se modeli i tyre i demokracisë, gjithnjë e më shumë po merr formë kallpe. Koha po na mëson se anëtarësimi më shumë se model mbetet një lloj kosto e vështirë dhe rasti i Serbisë dhe Shqipërisë po e tregon hapur këtë. (Homo Albanicus)

Share: