Home KRYESORE Nga Dajti në Kashar. Nga Enriko Ceko

Nga Dajti në Kashar. Nga Enriko Ceko

Në vazhdimësi kam patur ftesa për të diskutuar çështje kryesisht ekonomike në një televizion, që ndodhet në zonën e Kasharit. Herën e parë, pasi pranova ftesën fillova të mendoj se si mund të shkoja nga Zona rreth Malit të Dajtit, ku gjendet edhe subjekti në të cilin jam i angazhuar, për në studiot e këtij televizioni, që ndodhet në Kashar.

Distanca Dajt – Kashar është rreth 13 kilometra. Teorikisht koha që duhet për të përshkuar këtë distancë sipas të tëra standardeve të çdo vendi evropian është rreth 15 – 20 minuta. Ja ti japim për qejf 25 apo 30 minuta, por jo më shumë.

Herën e parë mendova të përshkoj këtë rrugë me makinën time personale.

U nisa nga Rruga “Xhanfize Keko”, diku afër zonës që njihet si “Lapidari” dhe u drejtova për në qendër. Ikën rreth 30 minuta.

Nga qendra, mendova që rruga më e mirë për të dalë te “Shqiponja” do ishte Rruga “Mine Peza”. Edhe në këtë segment rreth 30 minuta.

Nga “Shqiponja” për te “QTU”, ku duhet të merrej kthesa për të hyrë në krahun e djathtë afër “Coca Cola”, ku ndidhet edhe televizioni, përsëri rreth 30 minuta.

Shyqyr që isha nisur pak më herët dhe arrita në studio “pakëz” më vonesë

Epo thashë, nuk ndoqa itenerarin e duhur.
Herën e dytë mora taksi.

Shoferit i thashë: – “Dua të shkoj në studiot e televizionit…. që ndodhet midis “QTU” dhe “Coca Cola”.

“Po” – mu përgjigj, – “E di një rrugë unë që të çon atje shumë shpejt”.

U nisëm nga e njëjta pikë fillestare. Shoferi i taksisë u kthye nga Rruga “Xhanfize Keko” për në “Unazë” dhe dolëm te ish – “Stacioni i Trenit”. 30 minuta.

Kur arritëm te ish – “Stacioni i Trenit” shoferi më pyeti. “I biem nga rruga e re që të nxjerr te “Treshi”, pak më përpara se “Universiteti Bujqësor”, te ura e madhe, apo të dalim nëpërmjet “Unazës” te “Zogu i Zi” dhe pastaj vozitim drejt?

“Si të duash” – i thashë.
Shoferi mori “Unazën” për të dalë te “Zogu i Zi”. 30 minuta të tjera.

Nga “Zogu i Zi” për te “Shqiponja” rreth 15 minuta dhe nga “Shqiponja” për te televizioni nga rruga dytësore paralel me autostradën rreth 20 minuta.
Herën e tretë mora autobusin.

Nga “Lapidari” në ish – “Kinostudio” për në qendër te stacioni i “Pallatit të Kulturës”, me linjën e “Porcelanit”, rreth 40 minuta. Nga qendra me autobusin e “QTU” (që ishte autobusi i parë që erdhi në stacion), për në televizion përsëri rreth 40 minuta.

Më pas eca në këmbë.
Herën e katërt …
Herën e pestë…
Herën e gjashtë …

Nga të tëra drejtimet dhe me të tëra mundësitë e kombinimet e mundëshme distanca prej rreth 13 kilometrash Dajt – Kashar përshkohet në variantin më të mirë për rreth 1 orë e 15 minuta.

Mirë unë që e bëj këtë itenerar një herë në disa javë, po ata që janë të detyruar t’a përshkojnë këtë itenerar çdo ditë për shkak të punës dhe angazhimeve të tjera?
Po nga Bathorja për te Kodra e Diellit? Cila është koha që duhet për të përshkuar këtë itenerar?

Po nga “Kombinati” për te Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”?
Po nga … për në …?

Tirana kryeqendra e Shqipërisë, mjaft e varfër në mundësi transporti.

Rrugët jashtë standardit, qarkullimi pengohet shpesh subjektivisht, ndërtimet me leje dhe pa leje pengojnë qarkullimin për shkak të zgjerimeve dhe ngushtimeve të panevojshme të rrugëve, mungojnë vijat që tregojnë korsitë e rrugëve, sinjalistika horizontale e vertikale dhe treguesit e shpejtësisë në disa raste më shumë pengojnë se sa ndihmojnë.

Dy, tre dhe katër rrotakët janë e vetmja mundësi, duke përjashtuar ecjen në këmbë, që në rastin konkret Dajt – Kashar shkon në variantin më të mirë 3 orë.
Mungojnë alternativat e transportit.

Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë që nuk ka tramvaj.
Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë që nuk ka tren elektrik.

Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë që nuk ka mbi dhe nën kalime në brendësi të qytetit (me disa përjashtime shumë të rralla të disa mbikalimeve metalike, që janë jashtë çdo standardi dhe këto më së shumti në periferi).

Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë që nuk ka metro/underground.
Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë që e ka qendrën e vet të bllokuar.

Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë që …
Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë që …
Tirana është i vetmi kryeqytet në Evropë që …
Ajo që më shqetëson më shumë është se sa herë që jemi në fushatë për zgjedhjet qendrore dhe vendore, askush nuk artikulon problemet e vërteta të qytetarëve.

Askush nuk artikulon seriozisht rrugët, mjetet dhe mënyrat se si mund dhe duhet të zgjidhen problemet e kryeqytetit, apo problemet e tjera që na shqetësojnë ne si qytetarë në mbarë vendin.

Unë me anë të këtij shkrimi solla për ju vetëm një problem. Përçimin e itenerarit Dajt – Kashar në një kohë sa më të përshtatshme.

Po problemet e tjera që i kemi me shumicë?
Mendoj se zgjidhja e tyre jemi vetë ne. Askush nuk mund të zgjidhë problemet përveç se ata që e kanë problemin.

Sa për pushtetarët, problem i transportit nuk ekziston. Sa herë që ata duan të përshkojnë rrugën qendër – Tirana International Airport, boritë e makinave të policisë bëjnë të mundur kalimin për 15 minuta. Kjo është arsyeja që ata as që e kanë idenë se cili është problem i vërtetë i qytetarëve, që duan të lëvizin në rrugët e kryeqytetit.

E njëjta situatë edhe për problemet e tjera të qytetarëve.
Sa për pushtetarët, sa herë që duan diçka e zgjidhin me bori …

Po ne? Si do i zgjidhim problemet tona të përditëshme?

Share: