Pushimet nuk janë më vetëm det dhe rërë. Shtimi i linjave ajrore me kosto të ulët dhe i destinacioneve nga aeroporti ka bërë që të zgjerohet ndjeshëm gjeografia e udhëtimeve kudo nëpër Europë.
Por, nëse bileta për të shkuar në një destinacion në Europë mund të kushtojë lirë, duhet të bëni llogaritë dhe për qëndrimin dhe ushqimin që do të konsumoni në restorante.
Treguesi i Eurostat për Indeksin e Çmimeve sipas fuqisë blerëse për hotele e restorante jep një ide se cilat janë shtetet ku fjetja dhe ushqimi kushtojnë më lirë.
E fillojmë me Shqipërinë. Ndonëse mund të jenë rritur së fundmi, sidomos në Jug, vendi ynë renditet i dyti në Europë pas Maqedonisë së Veriut për çmimet më të lira për hotele e restorante, të cilat janë sa 49.3% e mesatares europiane (Maqedonia e Veriut 47.4%).
Kjo do të thotë se nëse mesatarisht në Europë do të shpenzoni 100 euro për të fjetur dhe për ushqim në restorant, në Shqipëri e njëjta zgjedhje kushton gati 50 euro.
Ndonëse indeksi është rritur në krahasim me 4 vjet më parë, kur ishte sa 45.6% e mesatares europiane, restorantet vendase tërheqin turistë të huaj si për koston e lirë ashtu dhe për kulinarinë e pasur.
Në disa lokale në Bllok, apo te Kalaja, pjesa më e madhe e klientëve janë të huaj. Tek “Era” ka radhë pothuajse gjithmonë kryesisht nga të huajt.
Pas Shqipërisë më lirë është Kosova, me 51.1% të mesatares europiane, e ndjekur nga Bullgaria me 51.6% dhe Turqia (57.3%). Në rajon më të shtrenjtat janë Serbia (67.2%) dhe Mali i Zi, ku hotelet e restorantet kushtojnë sa 62.8% e mesatares europiane.
Nga destinacionet popullore, më e lira është Portugalia, me 74.3% të mesatares europiane, e ndjekur nga Spanja (83.4%), Greqia (85.4%) dhe Kroacia (90.6%). Kroacia, që pa një mbipopullim të turistëve vitet e fundit është dhe një nga shtetet që është shtrenjtuar më shumë.
Në 2020-n, hotelet e restorantet në Kroaci ishin sa 80% e mesatares europiane.
Italia është pak më e shtrenjtë sesa mesatarja europiane, me 107%. Në nivele të ngjashme janë Gjermania (100.7), Franca (113.4)
Merrni masat kur shkoni në ….
Zvicra është shteti më i shtrenjtë i Europës për ushqim dhe akomodim. Për 50 euro të shpenzuara në Shqipëri, në Zvicër duhet të keni 172 euro. E njëjta gjë për Islandën (166% e mesatares europiane), apo Danimarkën (1525) e Norvegjinë (143%) e Finlandën (129%).
Sa kushtojnë hotelet e restorantet
Sipas të dhënave të tjera të Numbeo, në Shqipëri një vakt për dy persona në një restorant me tre pjata kushton 49 dollarë. Në Zvicër, kjo drekë do ju kushtojë 127 dollarë, që është në fakt më e shtrenjta në botë. Në Itali i njëjti vakt shkon 65 dollarë. Në Greqi nuk ka shumë ndryshim nga Shqipëri, me drekën që arrin në 55 euro.
Shqipëria konkurron me çmimet më të lira të akomodimit. Në Tiranë, mund të gjesh një hotel apo apartament luksoz me 4 yje afër qendrës në 17-18 gusht edhe me 50-80 euro.
Sipas një kërkimi në booking, psh në Hotel Tirana, me katër yje, një natë për dy persona kushton 86 euro, ndërsa Marriot hotel me 5 yje e ka një natë 149 euro dhe në Maritim Plaza 148 euro, që janë më të shtrenjtët në kryeqytet.
Në Romë, afër qendrës, për të njëjtat data, hotelet me 3 yje janë mesatarisht 100-150 euro, ndërsa ato me 4 e 5 yje variojnë mesatarisht 150-300 euro nata./MONITOR