Nga Artur Nura
Kur e takon doktorin Vat Marashi e para gjë që të thotë me krenari është fakti që ai është malësor nga Dukagjini dhe pastaj, me pasion të tregon që është mjek i specializuar në drejtime të ndryshme dhe e ushtron profesionin prej vitesh në Firenze.
Për Pediatri e Gjinekologji u specializua në Shqipëri, ndërsa ka realizuar edhe një specializim dy vjeçar në Diagnozën Prenatale (sëmundjet e shtatzënisë) në Firenze. Ndërsa nuk harron të tregojë se ka punuar si mjek edhe në Zvicer dhe në vënde të tjera të Europës dhe se nuk e ka ndërprerë asnjë herë studimin dhe në fund të tyre diplomat prestixhoze.
Origjina profesionale nuk mbetet për tu treguar pa pasion nga doktor Marashi i cili thotë se e filloi profesionin pak pas diplomimit në Iballë të Pukës kur për pesë vite ka shërbyer formalisht 24 orë në ditë si mjek dhe drejtor i spitalit rural të asaj zone të thellë e të izoluar në dimër dhe me rreth 50 shtretër.
Si e zgjodhi mjekësinë? Me pasionin e mjekut dhe altruizimin e malësorit Vat Marashi thotë se për të studiuar mjekësi, e kishte një dëshirë të brendshme që në voglì ndërsa nuk kish qenë kurrë indiferent ndërsa shikonte njerëz në zonën e tij që ishin sëmurë dhe në disa raste për shkak të largësisë së qëndrave shëndetësore, nuk kishin mundësì të mjekoheshin në kohë!
Pasi mbaroi Universitetin në 1985 për Mjekësi të Përgjithshme i bindur që nuk mund të sitemohej dot në Shkodër apo Tiranë, i kërkoi me letër ministrisë sé shëndetësisë të emërohej në Dukagjin. Me gjithë përgjigjen pozitive, gjërat ndryshuan dhe fati e çoi në Iballë të Pukës si drejtor i spitalit rural të asaj zone të thellë e të izoluar në dimër.
Ndërsa tregon që per shkak të miqësive që zuri në Atdhe me disa te huaj të cilëve, si një guidë e lindur Malësie, u tregonte bukuritë natyrore të veriut të Shqipërisë, por edhe traditat e vyera të malësorëve dhe Malësisë, doktorit i erdhi oferta dhe mundesitë të transferohej në Firenze, ku edhe aty si një mjek malësor ju gjënd një familje në fatkeqësinë e të birit të cilit do të duhej ti kthehej trupi në familjen që kishte në atdhe.
Situatë komplekse kjo që falë miqësive dhe kolegeve të tij italianë dhe intuitës së malësorit mësoi nevojën e të qënurit të organizuar në shoqata për të fituar mbështetje dhe ndihmuar integritetin e emigrantëve shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e të tjerëve në Itali.
Doktori me ndihmën e disa specialistëve italianë, përgatiti një statut dhe me miq e kolegë të tjerë formuan në Korrik 1996 shoqatën e parë shqiptaro Italiane në Toskana, të quajtur “Albania në Toscana” ndaj së cilës dedikohet me shpirt e pasion, pa lënë pas profesionin e mjekut dhe, në përpjesëtim me hallet e njerëzve ju shtuan edhe përpjekjet për t’i zgjidhur ato.
Doktor Marashi të tregon se në Itali personalisht ndihej mirë gjatë studimeve dhe gjatë punës dhe se ai nuk ka patur shenja te dukshme racizmi, porse padyshim – shton ai- shqiptarët edhe për faj të sjelljeve të disave, fituan një nam të keq, e cila çoi në intolerancë deri në një farë fushate edhe të mediave kundër komunitetit shqiptar, sidomos rreth viteve 96-2001.
Si një doktor që në rininë e tij ka studjuar e ka shkruar deri poezi, fakti që në atë kohë nuk kish gazetë a emisione lajmesh që të mos kishte në një pjesë të mirë “kronikat e zeza” për shqiptarët me, edhe pa faj, ai tregon se me Shoqatën punuan në ndihmë të integrimit të komunitetit, me ndërhyrjet edhe në shkolla, me aktivitetet kulturore, artistike, me “Javën e Kulturës Shqiptare” e deri me transmetim lajmesh shqip në “Radio Miqësìa”, ne të cilën shoqata dha një kontribut të pashoq në përmirësimin e jetës së emigrantëve shqiptarë kryesisht, por edhe në përmirësimin e ndjeshëm të opinionit italian dhe atij mediatik për shqiptarët.
Malësori europian tashmë thotë se falë shërbimeve falas për emigrantët shqiptarë, por edhe, përpjekjet e vetë familjeve shqiptare per shkollimin e fëmijëve dhe integrimin në shoqëri do të ishin baza e shëndoshë edhe e suksesit të të gjithëve.
Doktor Marashi thotë se puna e Shoqatës ka qenë më intensive gjatë trazirave në Shqipëri në vitin 1997 dhe gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-2000, nëpërmjet dhjetëra konferencave e manifestime popullore, gjithmonë duke synuar unitetin e Kombit shqiptar, kundër dizinformimit dhe për t’ju dhënë ndihmë refugjatëve.
Marashi kujton se në 2001, pas Javës së bukur të Kulturës Shqiptare, inauguruan “Koordinimin e Shoqatave Shqiptare” dhe një zyrë të re, me të gjitha shërbimet falas, duke filluar nga shërbimi mjekësor, gjuha shqipe per fëmijët, grupi për punësim, për strehimet, përkthimet e legalizimet e dokumenteve.
Keto impenjime dhe suksesi me to bënë që në vitin 1998 doktor Marashi të emërohet “Anëtar i Këshillit Territorial te Emigracionit” nga Ministria e Brendshme e Italisë dhe ne 2001 dhe të zgjidhet “Kryetar i Këshillit të huajve për Provincën e Firences”.
Krahas këtyre impenjimeve jo të thjeshta, vazhdonte edhe punen në shërbimin e urgjencës dhe në pediatri në terren, si dhe më vonë prej më se dhjetë vjetësh edhe në sektorin privat si mjek i specializuar në “Mjekësinë Homeopatike” dhe “Antropozofike” përkatësisht 4 dhe 3 vjet (të kryera ne Itali, Gjermani e Zvicër.
Tashmë duhet thënë që doktori dhe aktivisti Vat Marashi prej disa kohësh është ndër themeluesit e “Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Itali” dhe më pas u zgjodh si president i saj për ta bërë këtë organizim pjesë te Rrjetit Global Mbarë Shqiptar të formuar qysh në 2014, organizim ky i përkrahur jo vetëm nga qeveria e Kosovës, por edhe nga shtetet e bashkuara, Norvegjia etj dhe, sot Rrjeti është shtrire ne 25 shtete në të katër kontinentet.
Duket se këtë herë doktor Vat Marashi ka ardhur në Tiranë për të themeluar zyrën përfaqësuese të këtij Rrjeti edhe në Shqipëri dhe për këtë hap të ri të këtij zgjerimi do flasim në nje shkrim të ardhshëm…