Home Gjeo-Ekonomia “Vitin tjetër s’ka më leje për plazhe private për restorantet”, Rama në...

“Vitin tjetër s’ka më leje për plazhe private për restorantet”, Rama në podcastin “Flasim”: Nuk keni punëtorë? Rrisni pagat, s’keni ku shkoni

Sezonin e parë të episodit të tretë të podcastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama e nisi me ata që i quajti “patronazhistë të Shqipërisë turistike”.

“Dy protagonistë, në një farë mënyre gjysmë veteranë të historisë së rënies dhe pastaj shkëlqimit të turizmit në Shqipëri. Nga njëra anë Eltoni dhe nga ana tjetër Gladiola, dy qytetarë të një vendi që vijë nga dy eksperienca krejt të ndryshme në fushën e turizmit, por që kanë të përbashkët faktin që të dy kanë studiuar jashtë, për tu kthyer dhe filluar të ecin duke i hyrë detit në këmbë deri në momentin kur u hap qielli dhe tanimë gjendemi jo përballë të panjohurës, nëse do të bëhet ndonjëherë apo jo ky vend, apo do të ketë apo nuk do të ketë turizëm, ashtu si] e meriton ky vend. Por përballë sfidave të tjera, që janë sfida të një vendi që ka hyrë në një ligë tjetër, e po përballet edhe me çfarë sjell ky transformim. Që sjell të mira padiskutim, por edhe probleme që duhen adresuar”, u shpreh kryeministri.

Kryeministri Rama foli për masat që do të merren për sezonin e ardhshëm veror, ku tha se përveç hoteleve, nuk mund të jepen më leje plazhesh për beach baret apo për resotantet. Rama tha po ashtu se edhe hotelet, do të marrin aq shezlonge sa kapacitet kanë në hotelet e tyre.

“Përveçse se ata kanë hotele nuk mund të jepen më leje plazhesh për të ardhur një individ, një person juridik apo fizik, për të thënë dua këtë plazhin këtu do të vë beach bar e do të vë shezlonge. Mund të vësh beach bar por nuk ke shezlone. Mund të kesh restorant por nuk ke shezlong. Plazhi duhet shijuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe shijimi i plazhit mes atyre krevateve të ngjitur me njëri tjetrin është e pamundur. Nuk mund të kesh një hotel me 40 dhoma dhe të vësh 200 shezlonge e të marrësh popull aty e ti detyrosh të paguajnë. Do të vësh shezlonge për aq sa ke kapacitet! Natyrisht jo një për dhomë, dhe do të lësh distancë nga shezloni në shezlon. Nuk mund ti çosh shezlonet deri në breg, që njerëzit kur duan të kalojnë në breg ta kenë të pamundur ose të biejnë me not ose të dalin nga rruga e të mallkojnë veten që erdhën në plazh. Kështu do të krijojmë një fashë atë që kemi thënë të hapësirës publike në vijën e ujit e ti do të tërhiqesh prapa”– tha Rama.

Kryeministri po ashtu preku problematikën e mungesës së fuqisë punëtore, sidomos në hoteleri turizmit, ku tha se bizneset duhet të rishikojnë pagat.

“Tani kam kuptuar që kur nuk ka njerëz, ti duhet të ngresh rrogën se nuk ke ku shkon. Do t’i konsiderosh ata njerëz që punojnë për ty, gjënë më të çmuar që ke. Këtë vit kam dëgjuar nga disa që kanë marrë njerëz që janë kthyer nga Greqia dhe më thonë që kemi interesim nga ata që janë në Greqi. Nuk ka më asnjë krahasim, të punosh kamerier në Greqi dhe Shqipëri, ke më shumë përfitime në Shqipëri”-tha Rama.

Rama tha se shumë shpejt pritet të fillojmë ndërtimin e resortit të parë të skive në zonën e Korçës.

“Së shpejti do të fillojmë resortin e parë të skive në zonën e Korçës. Është një projekt fantastik nga një grup investitorësh serioz nga Austria. Arkitektë janë austriak, autorë të resorteve më të famshme të Austrisë dhe Zvicrës”, tha Rama.

Top Channel

Share: