Home KRYESORE Iris Halili: Novelë “Nëna”

Iris Halili: Novelë “Nëna”

Hyrje

A e mbajmë mend njeriun e parë që keni njohur në jetë? Pyetja është a na vjen ndër mend së paku imazhi i këtij njeriu? Këtu fillon në fakt një ushtrim jo i lehtë i kujtesës, pasi ndoshta imazhi i njeriut të parë që kemi njohur në këtë jetë tokësore as që na vjen në mend dhe mund edhe të mos ketë qenë i njeriut më të afërt në familje, por i një njeriu që na ka bërë ndoshta të mendojmë për herë të parë apo të ndërgjegjësohemi që po mendojmë.

Imazhi i parë që kam njohur në jetë ka qenë ai i gjyshes sime nga mamaja. Ajo në fakt nuk ka qenë e pranishme ditën që linda unë, një e hënë e ftohtë Nëntori në të cilën shiu filloi dhe nuk mbaroi. Në ato vite nëntoret në Tiranë ishin të ftohta dhe më shumë sesa fund vjeshte, ky muaj merrte ngjyrat e një fillim dimri.

Bile gjyshja ime duket se nuk ka qenë as edhe në vitet e para të fëmijërisë sime, pikërisht në ato vite kur fëmija nuk se mban mend ndonjë gjë të madhe se çka ndodhur me të, sepse me sa duket në ato vite mendja nuk se punon fort dhe instikti është ai që dominon. Për fatin tim të mirë, gjyshja u bë e pranishme pikërisht në ato vite të fëmijërisë kur kujtesa ime filloi të formësohej, pikërisht atëherë kur unë fillova ta shoh botën sa me sytë e mi fëminorë, aq dhe me sytë e saj shpirtërorë. U bë e pranishme në ato vite kur unë fillova të mendoj.

Këtë libër ia dedikoj pikërisht gjyshes sime, Ganimet Gjilani Fratari, të cilën përgjatë gjithë jetës e thërrita “nëna” dhe kështu do e thërras edhe në këtë libër, ku ju do të mësoni fatin e një njeriu që kishte shumë, humbi shumë, rigjeti po shumë, por që në asnjë çast nuk iu dorëzua fatit, ose për t’u shprehur më qartë e pranoi fatin, por nuk u mposht prej tij.

Tepelena

Vendi i parë nga ku unë kujtoj për herë të parë imazhin e nënës sime ishte Tepelena. Apartamenti në Tepelenë ishte ndoshta apartamenti më i bukur që unë kisha parë ndonjëherë. Tepelena quhej qytet në atë kohë dhe ishte shtrirë në shpat të malit. Tipike ishte për të një erë e furishme që kur fillonte dukej sikur do të merrte të gjithë qytetin me vete. Edhe njohjen me erën e fortë si të tillë e kam si eksperiencë për herë të parë nga Tepelena. Ndonëse më shumë provincë sesa qytet në kuptimin që ne kemi sot për të, Tepelena kishte qenë vendlindja e Ali Pashait të madh, atij burri për të cilin legjendat shqiptare apo të huaja nuk kishin rreshtur kurrë së thëni e rithëni trimërinë dhe dinakërinë.

Tashmë kryeqendra e burrit të madh nuk sillte më asnjë kuriozitet të ri, përveçse njihej si qyteti pranë minierës së Memaliajt, që nuk ishte shumë larg Tepelenës dhe që punësonte më shumë se tre të katërtat e popullsisë së qytetit. Në Tepelenë unë ngulita dhe imazhin e parë të shtëpisë që në fakt ishte një hyrje apo apartament, se nuk jam dhe e qartë nëse ky emër është i gjuhës standarde shqipe, por ne gjithmonë kështu e kemi quajtur dhe nuk di nëse një fjalë që tërë jetën ka cilësuar diçka do të duhet të mos përdoret më pasi ndër vite për të është krijuar një fjalë tjetër më drejtshkrimore dhe që duhet me patjetër të përdoret në vend të saj.

Asnjëherë nuk e kam kuptuar këte rregull të shqipes letrare që për një koncept duhet të ketë vetëm një fjalë, se tjetra është huazim dhe nuk lejohet. Nuk di ç’duhet të bënte anglishtja me tërë ato fjalë latine që janë trashëguar që nga pushtimi romak. Fjalori i një gjuhe është historia e vendit që e flet atë dhe t’i heqësh gjuhës fjalët e përdorura ndër vite thjesht se janë zhargon do të thotë ta varfërosh atë deri në skajshmëri…

Në apartamentin e dajës dhe gjyshes sime në Tepelenë unë kalova disa vite të fëmijërisë, diku nga mosha 4 deri ne 7 vjeç, pikërisht ato vite kur ne ndërtojmë personalitetin tonë, atë që na mbetet i ngulitur përjetë dhe që ndër vite edhe mund ta limojmë ndopak, por prapë do nxjerrë kokën se është aty dhe në një mënyrë apo tjetër formëson jetën tonë, fatin tonë, sukseset apo disfatat tona.

Mendoj se një ndër dhimbjet më të mëdha që mund të provojë njeriu herë pas here në jetë është kur i duhet të shpërngulet apo shesë, apo edhe akoma më keq t’ia rrëmbejnë apo sekuestrojnë shteti apo bankat ato dhoma apo shtëpi ku ka kaluar një pjesë të jetës së tij. Shtëpinë e kam parë gjithmonë si muret ku janë gdhendur gjithë kujtimet e jetës, dyshemetë ku kanë ecur të gjithë njerëzit e dashur, apo edhe herë të dashur e më pas të padashur, divanet ku janë bërë bisedat më të sinqerta, krevatet ku janë parë ëndrrat më të bukura apo formësuar trashëgimtarët që përcjellin gjakun e familjes.

Sa herë humbim një shtëpi më duket sikur bashkë me to kemi mbyllur disa kapituj të jetës që në fakt janë bërë shtresa të forta çimentoje në kujtesën tonë dhe na dalin në shtigjet e ëndrrave në forma nga më të ndryshmet, si për të na hequr mallin, por edhe më shumë për të na përforcuar fiksimin se sado të duam ne nuk mund t’i rilindim së dyti kujtimet e murosura në ato gëlqere që zbukuroheshin me foto familjare. Nuk di çfarë do të jepja sot të mund t’i kisha të gjitha shtëpitë ku kam jetuar unë apo breza para meje, por që për jetesë apo mbijetesë i kanë shitur, ndërruar apo edhe më tragjike shtetëzuar, grabitur, djegur, plaçkitur.

Apartamenti i nënës dhe dajës në Tepelenë ishte jo i blerë se në komunizëm nuk të lejonte njeri të kishe pronë e shtëpi tënden, pasi partia si ta dhuronte edhe mund të ta merrte në çdo çast. Pikërisht kjo politikë me pronën ishte një mënyrë diktatoriale për të të sunduar dhe bërë individin jo të pavarur, të zhveshur dhe të nënshtruar. Me dritare dopio të tilla që unë s’i kisha parë kurrë në Tiranë, apartamenti në të hyrë nuk kishte një korridor të vogël e të ngushtë, por një hapësirë të madhe që ndahej në dy mjedise, falë një bibliotekë në mes. Në të majtë të derws kryesore ishin dy depo, të cilat gjyshja i kishte mbuluar me perde kadife blu, që i jepnin të gjithë hollit një mirëseardhje të ngrohtë. Në të djathtë ishte një divan i vogël, veshur me mendafsh dhe që ne e thërrisnim “kanape”.

Të gjitha ishin relike të mbetura dhe të sajuara nga nëna me shumë mjeshtëri, kështu kanapeja ishe veshur nga një fustan mendafshi, në mos gaboj ai më eleganti që ajo kishte veshur në dasmën e ish Mbretit Zot të parë dhe të vetëm të Shqipërisë, apo një mbulesë krevati kadife e kthyer në perde, një mbulesë tavoline lino e kthyer në këllëf jastëku e ja kështu sajonte nëna ime dhe me mjeshtërinë e saj krijuese kishte mobiluar një shtëpi shumë të ngrohtë ku çdo send mbante një kujtim shpirtëror të së shkuarës, së cilës nëna ime nuk donte t’i largohej ndonëse prej saj kishte mbetur vetëm dhimbja. 

Që të rikthehemi përsëri tek apartamenti i Tepelenës, sipas traditës së asaj kohe dhomën më të mirë e kishte atë të miqve, që quhej dhoma e pritjes të cilën nëna e kishte dekoruar me një fantazi më vete. Unë kisha një gëzim të madh sa herë që nënës i vinte kunata nga Gjirokastra dhe mua më vinte radha të flija tek divani i kuq pasi Teta Stanka, që ishte bullgare me origjinë, ishte shumë mbërdhifëse dhe zgjidhte të flinte vetëm pranë zjarrit bubulak në guzhinë.

Kur flija në dhomën e pritjes filloja të mendoja për stërgjyshin dhe stërgjyshen time që qëndronin madhështorë në telajot e një pikture të trashëguar nga familja. Stërgjyshi, me mustaqe të stërmëdha dhe me frak shik, ishte vrarë për pavarësinë e atdheut, ndërsa stërgjyshja, me perlat rreth qafës, ishte mbesa e Frashërlinjve; historia thotë se asaj kur i dhanë lajmin fatal të vrasjes së të shoqit, nuk kishte pranuar t’i merrej haku i tij, pasi nuk e kishte pranuar vazhdimin e gjakderdhjes. Ndodhi të hershme si këto vërtiteshin në kokën time të vogël sa herë kisha shansin e madh të flija tek dhoma e pritjes që në fantazinë time fëminore ishte edhe dhoma muze.

Të jetoje me nënën ishte një jetë shumë e bukur, pasi ajo kishte një histori për çdo situatë, kishte një leksion për çdo hap apo gabim, kishte dhe një model që e prezantonte me fjalë, por edhe me akte gati konservatore. Tani pas kaq shumë dekadash, nuk di nëse ishin fjalët apo rrëfimet e saj që më janë ngulitur më shumë në kokë apo ishin në fakt veprimet e saj. Nuk arrij t’i ndaj dot, pasi ajo ishte çka thoshte, apo thoshte ajo çka ishte. Ishte e vërtetë, por edhe fine, ishte imazhi i zonjës së vërtetë dhe ndoshta për këtë gjithkush e thërriste “Zonja Ganimet”, pikërisht në një kohë kur fjala “zonjë” nuk i takonte vijës politike dhe shoqërore në të cilën nëna ime kaloi gjysmën e jetës së saj dhe unë një të katërtën e jetës sime.

Por nëse në shtëpizën e nënës dhe dajës ishte krijuar një mjedis që nuk të risillte në mendje monotoninë dhe grinë komuniste, sapo dilje tek shkallët prezantoheshe me portretizimin gri të Tepelenës që nuk ishte as më shumë dhe as më pak se grija e të gjitha qyteteve të sajuara në kohën e komunizmit. Është vërtet për t’u çuditur si grija ishte dhe gjendet si stampim i komunizmit në të gjitha vendet ish-komuniste. Parafabrikate gri, pallate me tulla silikate që shumë shpejt errësoheshin e ktheheshin në gri. I gjithë qyteti ishte një pikë që zmadhohej me gri, kishte edhe qytete ku grija fillonte pikërisht atëherë kur kishte filluar komunizmi…_Alb-Spirit

Share: