Home KRYESORE Armand Zoga: Qyteti me statusin e çuditshëm!

Armand Zoga: Qyteti me statusin e çuditshëm!

Qyteti kishte një status të veçantë, të pashkruar, por të njohur tashmë nga të gjithë, vendas dhe të huaj. Ishte një qytet-shtet që ndërkohë nuk ishte shtet dhe nga ana tjetër nuk ishte as qytet. Ishte një qytet i banuar nga fshatrat për rreth dhe nga të huaj, që mbasi vinin për punë të ndryshme, nguleshin aty, sikur dikush tu kishte bërë magji. Ndërkohë, ata që kishin ikur, flisnin për të dhe për prejardhjen e tyre prej tij me krenari, por rrallë ktheheshin aty në të gjallë.

Kohët e fundit, statusi i qytetit ishte forcuar shumë për shkak të një dokumenti që nuk dihej qartë se çfarë ishte. Testament i mbretëreshës së fundit apo historiku i lashtë dhe i humbur i krijimit të tij? Misterin e ndalimit të publikimit të dokumentit të lashtë për njerëzit e thjeshtë dhe lejimin e studimit vetëm nga elita e qytetit, e shtonte më shumë fakti se atë e kishte zbuluar apo e kishte sjellë në qytet (kjo nuk ishte e qartë) njëri prej të rrallëve që pasi kishte ikur i ri kishte vendosur të rikthehej.

Fakti që askush nga njerëzit e thjeshtë nuk kishte qasje tek dokumenti i ri, nuk krijoi probleme dhe jo vetëm nuk e zbehu statusin e qytetit por madje e shtoi atë më tepër sepse, edhe pse nuk e kishin idenë se çfarë ishte, kjo nuk i pengonte ata që të mburreshin me lashtësinë tashmë të padiskutueshme të tij.

E nëse një i huaj i pyeste se çfarë shkruhej në të i përgjigjeshin me mënyrën e atij që e di, por nuk mund ta thotë sepse ka të bëjë me sekretin e statusit të qytetit dhe nuk mund t’u thuhej të tjerëve. Mes tyre të gjithë e kumtonin si të mirëqenë që e dinin përmbajtjen pa qenë nevoja ta diskutojnë as mes tyre!

Në këtë grackë binin edhe shumë të ardhur, që duke kërkuar sekretin e vjetër, mbeteshin aty si qytetarët e tjerë, duke u ndjerë krenarë për atë që nuk mund ta shpjegonin dhe duke ushqyer kështu qytetin me banorë të rinj besnikë të statusit të çuditshëm.

Shekuj më parë, qyteti ishte i pastër.

Ç’do qytetar i tij , duke filluar që nga Mbretëresha e deri tek qytetari më i thjeshtë, kujdeseshin njësoj për të. Qyteti ishte një rreth i madh pa qendër ku qytetarët orientoheshin nga nën vetëdija e tyre deri ditën kur dikush, diku në qytet la një mbeturinë në cep të rrugës dhe kjo solli pështjellim.

-Kush? Kur dhe pse?,- ishin pyetjet që qarkullonin. Askush nuk e hoqi mbeturinën që shumë shpejt, pa e kuptuar askush , u shndërrua në një grumbull plehrash. Por çudia më e madhe ishte se ndërsa po mundoheshin të kuptonin “Kush-Kur-Pse në”, përballë grumbullit të pare u shfaq një grumbull i dytë plehrash. Të gjithë ishin të shokuar dhe për t’i dalluar mes tyre të parin e quajtën Majni, sepse ishte në anë e mëngjër të tyre dhe të dytin Dajni.

Mretëresha e qytetit, sapo mësoi për grumullin e dytë, pa pasur kohë që të analizonte të parin, shkoi vetë në vendngjarje dhe urdhëroi pastrimin duke qenë vetë prezente.

Që mbas kësaj ngjarjeje të padëgjuar më pare, qytetarët filluan t’i quajnë vendet me emrin e plehrave: Majni dhe përballë Dajni. Pavarësisht se plehrat kishin kohë që ishin hequr dhe erën e tyre të rëndë e kishte zëvendësuar prej kohësh aroma e luleve në kopshtet përkatëse, qytetarët nuk rreshtnin se kërkuari përgjigjen e ‘Kush-Kur-Pse-së”, duke u ndarë në dy grupime që morën emrin e vendeve te plehrave të dikurshme. U krijuan kështu grupi majnist dhe ai dajnist. U krijuan kështu dy qendrat e para të qytetit rrethor pa qendër të cilat u pasuan edhe nga shumë nën qendra të tjera. Nënvetëdija që i drejtone qytetarët deri atëhere, ishte tashmë e huaj!

Grupi majnist doli me pretendimin se plehrat i solli grupi dajnist. Dajnistët mbroheshin duke argumentuar se ato ishin hedhur aty nga majnistët që të vendosnin një ekuilibër për t’i shpëtuar gjykimit

Aq shumë kohë dhe energji u mori qytetarëve “Kush-Kur-Pse-ja”, sa që mbretëresha tashmë, e lodhur dhe sëmurë ndërroi jetë , duke ngelur në histori si mbretëresha e fundit e qytetit. Administrimin e tij e morën në dorë të mençurit, edhe ata të ndarë në majnistë dhe dajnistë, duke humbur kështu sensin e mësimeve të vjetra që qeverisnin qytetin. Qysh në brezin e tretë pas mbretëreshës njohuritë e lashta të pa transmetuara u bënë një mister. Qysh atëhere Qyteti kishte përfituar atë statusin e qytet-shtetit që nuk ishte as qytet dhe as shtet.

Pikërisht tani që thuhej se dokumenti i lashtë u gjet, ai nuk mund të shihej dhe kumtohej prej të gjithëve, që të mos përlyhej shenjtëria e mësimeve të lashta.

Gojët e liga thonë se aty është fshehur kodi i vjetër i qytetit në kohët e tij të arta, para se dikush të hidhte mbeturinën e parë që më pas lindi grumbujt me plehra. Thuhet që dokumenti është autentik dhe i shkruar nga mbretëresha e fundit por mbas kaq kohësh , as të diturit e qytetit nuk po munden ta deshifrojnë.

E megjithë atë, kjo nuk e ndryshoi aspak statusin e çuditshëm të qytetit shtet, që nuk është as qytet, as shtet dhe ku banorët që ikin kthehen rrallë dhe ata që vijnë nuk ikin më.

Share: