Home Gjeo-Ekonomia Starmer në hapat e Melonit/ Qeveria britanike nis negociatat me tre vende...

Starmer në hapat e Melonit/ Qeveria britanike nis negociatat me tre vende për reduktimin e kalimeve të emigrantëve të paligjshëm

Qeveria e Britanisë së Madhe mund të ndjekë modelin e asaj italiane për ndalimin e kalimit të emigrantëve të paligjshëm. Sipas ” The Sunday Times”, Sekretarja e Brendshme e Britanisë, Yvette Cooper po negocionon me Turqinë, Vietnamin dhe Kurdistanin dhe është caktuar të finalizojë marrëveshjet e “bashkëpunimit dhe sigurisë” me këta vende përpara fundit të vitit. Kryeministri britanik Sir Keir Starmer po kërkon të ndjekë shembullin e homologes italiane të krahut të djathtë Giorgia Melonit, me të cilën u takua në Romë muajin e kaluar.

Italia ka parë një rënie prej 62 për qind të ardhjeve gjatë shtatë muajve të parë të 2024 dhe marrëveshjet e arritura me Tunizinë dhe Libinë duket se kanë luajtur një rol të rëndësishëm në këto reduktime. Sipas modelit italian, ka një nxitje për emigrantët për të qëndruar si dhe një mbrojtje më të madhe për të ndaluar kalimet e paligjshme. Sir Keir dhe Cooper janë nën presion për të gjetur një zgjidhje ndërkohë që numri i kalimeve është rritur në 33,000 këtë vit, nga 29,437 që ishin në vitin 2023.

Sekretarja e Transportit Louise Haigh po ashtu i konfirmoi raportet në The Sunday Times se Cooper dhe Starmer ishin në bisedime me një sërë vendesh për t’i dhënë fund krizës së emigrantëve. Ajo këmbënguli se marrëveshjet nuk ishin të njëjta me skemën e konservatorëve në Ruanda, e cila iu kushtoi taksapaguesve qindra milionë paund dhe u anulua sapo laburistët morën pushtetin.

Haigh tha se marrëveshjet e vendeve të treta për të ndaluar migrimin e paligjshëm nuk janë të njëjta me planin konservator të Ruandës. Në vend që të jetë një program deportimi, siç synohej të ishte Ruanda, marrëveshjet me vende si Vietnami do të jenë të ngjashme me ato që kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka arritur me vende të tilla si Libia për të parandaluar nisjen e emigrantëve në udhëtimin e rrezikshëm për në Evropë. Marrëveshjet përfshijnë dhënien e milionave paund këtyre vendeve që të rrisin përpjekjet e tyre për të parandaluar kalimet me varka të vogla.

Britania e Madhe ka lidhur më parë një marrëveshje prej 500 milionë funtesh me Francën për të rritur numrin e përgjimeve të varkave të vogla, ndërkohë që ka lidhur edhe më parë marrëveshje me qeverinë turke. Megjithatë, Italia është përballur me kritika se modeli mund t’i detyrojë njerëzit të vendosen në kampe paraburgimi ku ata përballen me tortura.

Cooper ka zhvilluar më parë bisedime me zyrtarë kurdë dhe thuhet se qeveria do të ndjekë qasje të ndryshme me kombet e ndryshme që takon. Zyra e Brendshme gjithashtu mund të rrisë reklamat në mediat sociale në Vietnam për të provuar të pengojë njerëzit të bëjnë kalimin.

360grade.al

Share: