Miqësia është konsideruar në cdo moshë një ndjenjë themelore për jetën sociale, është lidhja më e gjatë dhe më e rëndësishme me tjetrin. Kur flas për miqësinë, flas për miqësi të vërtetë jo interesi. Cicerone e thotë shumë bukur : ” – Duhet të kemi brenda qenies tonë pikësëpari virtytin, që më pas të kemi mundësinë të realizojmë miqësinë e vërtetë”.
Pra, miqësia është një nga vlerat morale themelore të njeriut, e cila na vë përpara disa detyra ndaj të tjerëve. Lind pyetja: Pse miqësia është vlerë, virtyt?
Miqësia është vlerë, virtyt sepse nuk i lë vend interesit, hipokrizisë, farezeizmit, mashtrimit, tradhëtisë, thashethemeve, kushtëzimit, imponimit etj. Nuk është thjesht dicka që lind pa shkak, por është një marrëdhënie që dhuron dhe merr. Vlerat që mbajnë gjallë dhe të vazhdueshme miqësinë janë: dashuria, besimi, ndershmëria, respekti. Derisa dikush na zgjedh ose e zgjedhim si mik/e ka një arsye pasi beson dhe besojmë në ndershmëri.
Miqësia është rritje. E që kjo të qëndrojë në rritje të vazhdueshme është e nevojshme të ushqehet me respekt reciprok. Kur krijojmë miqësi jo vetëm që mësojmë më tepër për të tjerët, por mund të mësojmë më tepër për veten. Mjerisht në miqësi shpesh here respekti duket se nuk ka vend, sepse krijohet një ide e gabuar, se para një miku nuk është i nevojshëm respekti e përdoret një fjalor shumë i ulët.
Nuk duhet harruar se respekti është ai që mban dhe ruan miqësinë e kjo fillon nga vetvetja. Eshte nderimi që kemi për veten dhe tjetrin.
Nëse nuk edukojmë respektin, besueshmërinë, dashurinë, do të jetë e vështirë të jemi miq e të krijojmë miq. Të jesh i besueshëm është ta pranosh, ta dëgjosh tjetrin pa e paragjykuar dhe që tjetri të ndjehet i lirë për t’u shprehur pa e ndjerë frikën, se cfarë po mendon për atë që them dhe ku përfundojnë fjalët.
Miqësia na bën të ndjehemi, më të fortë fal sigurisë dhe besimit në vetvete që rrjedh prej besimit që na fal dikush tjetër të cilin e respektojmë me të cilin kemi mundësi të bisedojmë gjithcka, madje edhe cështje për të cilat mund të mos jemi edhe aq krenar/e, duke ditur se miku/ja do t’i pres me tolerancë pa qenë paragjykues.
Miqësia e vërtetë, ajo që zgjat, nis kur ti mund t’i thuash tjetrit/es ” ti nuk je si unë, bën mirë që je kështu sic je, sepse më pëlqen që je ndryshe nga unë”. Miqësia na jep mundësinë të shohim veten dhe fushat në të cilat kemi nevojë të zhvillohemi e të edukohemi.
Miqtë e vërtetë janë ato që shkëmbejnë reciprokisht besimin, ëndrrat, mendimet, virtytet, gëzimet dhe dhimbjet, pa u ndarë kurrë! Po e mbyll me thënien e Aristotelit: Dëshira për të bërë miq, është një punë e thjeshtë por miqësia është fryt që rritet dhe piqet ngadalë.
Respekte për të gjithë ju miqësia ime! Zoti ju ruajt! Paci shëndet dhe mbarësi në familjet tuaja!