Home KRYESORE Xhara ambasadorëve: Modeli i Erdoganit pelqehet sepse ju jeni apatike!

Xhara ambasadorëve: Modeli i Erdoganit pelqehet sepse ju jeni apatike!

Të nderuar ambasadorë, përfaqësues i BE-së dhe i SHBA-së,

Mbase i keni dëgjuar gjatë ditës së djeshme përgjimet e Adem Grabovcit, edicioni i dytë pas aferës “Pronto”!

Nuk ka nevojë për prezantimin e njeriut që tashmë më i famshëm është bërë me nofkën “shefi”, sesa me emrin e tij të lindjes.

E dëgjuat presidentin, si jepte urdhra për emërime?! I njihni të gjithë personazhet e bashkëbisedimit si “paren e kuqe”, siç shprehet populli.

E dini sikurse edhe ne, se kush janë përfaqësuesit politikë të korruptuar si në pozitë ashtu edhe në opozitë.

Mjafton të shihet luksi i tyre që është në një diskrepancë të ndjeshme me të ardhurat zyrtare që kanë. Ka mekanizma të mjaftueshëm për të zbuluar burimin e hajnisë. E di që në këtë çështje do të më përgjigjeni: “Pse institucionet e Kosovës nuk po e kryejnë punën e tyre, policia, gjykata apo prokuroria?”.

Tash unë po jua them. Sepse këta vetë janë: policia, prokuroria, gjykata e gjithë aparati shtetëror i këtij vendi. Nuk ka tender që nis e përfundon pa kaluar nëpër duart e tyre. Nuk ka pozitë të lartë ku dikush mund të emërohet pa lejen e tyre. Nuk ka kompani të madhe që nuk paguan haraç për të ekzistuar.

Këta janë përfaqësuesit e 1.8 milionë banorëve më të izoluar në Ballkan! Fatkeqësisht janë partnerët tuaj, e përfaqësuesit tanë, të cilët ende e bëjnë këtë punë, në emër të vlerave perëndimore, pavarësisht se shkelin çdo ditë mbi kriterin kryesor të këtyre vlerave – demokracinë.

Pra, është ky pushtet që secilin veprim e ka arsyetuar me kartën e “proamerikanizmit” e “proevropianizmit”, duke mashtruar, kërcënuar e shantazhuar opinionin publik. Çuditërisht, kritikuesit e veprimeve të tyre janë shpallur antiperëndimorë!

Të dashur ambasadorë, ju e dini se janë pikërisht këta politikanë që prej vitesh keqpërdorin demokracinë, shkelin ligjet, shpallin të çmendur a të dehur kritikët. Tallen me çdo vlerë demokratike. Ata nuk janë shndërruar vetëm në milionerë me para të shtetit, por edhe në kapadainj. Çfarë dallojnë këta zyrtarë shteti prej grupeve kriminele ordinere, përpos imunitetit politik dhe veprimeve nën petkun e shtetit?!

Ju ambasadorë të nderuar, e dini sesa prej tyre në emër të luftës që s’e kanë bërë, janë shndërruar në milionerë. Një duzinë të këqijash i kanë ambalazhuar nën maskën e “miqësisë me ju”.

“Komandantët” ende kërcënojnë e shantazhojnë në emër të luftës. Mos i harroni dëshmitarët e mbrojtur që janë “vetëvrarë”.

I keni parë afro 100 mijë veta që ikën nga Kosova, duke lënë pas pronat, të poshtëruar, të plaçkitur nga ky pushtet, të pashpresë e të padinjitet, duke shkëmbyer vatrat e tyre me kampet në Hungari e gjetiu.

Bilanci i Qeverisë së mbështetur nga “miqtë ndërkombëtarë”, janë kampet e Evropës përplot azilkërkues kosovarë.

Ambasadorë, duhet ta dini se kjo gjendje ju bën edhe juve përgjegjës të dështimit të projektit ndërkombëtar për shpëtimin e një populli nga shfarosja dhe ngritjen e një shteti të dështuar!

Është e vërtetë se nuk mund t’i zhbëjmë subjektet aktuale politike, porse mund t’i pastrojmë ato.

E ju, mund të ndihmoni në këtë proces, duke përpiluar listë të zezë me politikanë me dosje dhe duke mbështetur profile të politikanëve të rinj, të cilët mund të jenë potencialisht bartës të procesit politik në periudhën në vazhdim.

Të nderuar ambasadorë, mos besoni se këta kapës të shtetit kanë vota në terren. Në këtë vend, vota blihet e kushtëzohet. Ata nuk marrin vota, por ofrojnë favore në këmbim votash. Mbase, e dini fare mirë se vota në kushtet kosovare është ekzistencë, ajo do të thotë punë, tender, tituj shkencorë e grada diplomatike.

Në këtë kontekst, edhe oferta partiake po varfërohet. Adem Grabovci &Co mund të kenë në dispozicion për vota edhe një numër të vogël vende pune në PTK, KEK, Aeroport a diku tjetër.

Por, ata s’kanë asnjë ofertë për qytetarët e Kosovës pa dallim partie. Çdo vit për treg të punës presin 30 mijë të rinj, por nuk ka asnjë investim serioz, i cili ka ndodhur në këto vitet e fundit në Kosovë.

Izolimi, varfëria dhe humbja e shpresës po prodhon ekstreme në Kosovë. Ambasadorë, gaboheni nëse besoni se kjo përbërje e strukturave drejtuese të shtetit të Kosovës do ta luftojë ekstremizmin fetar.

A e dini pse?! Sepse ky ekstremizëm është bërë me miratimin e tyre, duke lejuar e krijuar ambient për shtrirjen e kësaj ideologjie që po e rrezikon mbarë globin.

Çdo ditë e më shumë, të rinj kosovarë, të paperspektivë e të pashpresë prehjen e vetme shpirtërore po e gjejnë në predikimet e imamëve manipulues, të cilët gradualisht po e ndërtojnë shtetin paralel fetar.

Të dashur ambasadorë, keni durim deri nga vjeshta e vitit që vjen e do ta shihni se si këta zyrtarë shtetërorë-partiakë do t’ua mësyjnë faltoreve në kërkim të votës me çdo kusht e me çfarëdo oferte. Do t’i shihni edhe në ndeja me imamë kontroversë, të cilët do të vihen në shërbim të tyre, duke kërkuar vota nëpër xhami nga praktikues të fesë, të pashpresë.

A e dini ju ambasadorë të nderuar, pse kaq shumë kosovarë e adhurojnë Erdoganin? Sepse Evropa nuk ka arritur ta prodhojë asnjë referencë për ta. A e dini se ato bursa që u jepni të rinjve të shkollohen jashtë Kosovës, u shkojnë huq. Ata kthehen më pas për t’u shndërruar në raste sociale, sepse kjo i pret duke qenë jashtë strukturës Grabovci & CO.

Prandaj, të dashur ambasadorë, është momenti i fundit t’i shpëtoni qytetarët e këtij vendi, ta shpëtoni projektin tuaj për shtetin e Kosovës nga të korruptuarit dhe kriminelët politikë me kollare.

Sinqerisht nga Arbaba Xhara, deputete ne Kosove/zeri.info

Share: