Policia ka arritur të identifikojë viktimën e një aksidenti sot në plazhin e Himarës duke zbardhur të tjera rrethana mbi ngjarjen. Viktima ka qenë duke u larë në një distancë rreth 50 metër nga bregu, ndërsa është goditur nga një gomone, e cila është larguar nga vendngjarja.
Viktima është identifikuar si shtetasi rus Denis Kaiumov, 43 vjeç, banues në Saint Petersburg, Rusi. Kaiumov kishte ardhur me pushime, në Shqipëri me bashkëshorten dhe vajzën e tij.
Policia dyshon se mbi pushuesin ka kaluar një gomone, pasi prerjet në trupin e pushuesit janë bërë nga helika duke shkaktuar hemoragji të rënda dhe prerjen e një pjese të gjymtyrëve.
Kjo përjashton pistën e përplasjes nga një motor uji, i cili funksionon me turbina dhe nuk shkakton prerje në trup, por vetëm shembje. Policia ka nisur menjëherë hetimet për ngjarjen dhe është vënë në kërkim të autorit të ngjarjes.