Home KRYESORE “Koço i keq i Ramës” dhe “Kokëdhima i mirë i Metës”!!

“Koço i keq i Ramës” dhe “Kokëdhima i mirë i Metës”!!

Nga Çim Peka

Ajo që po ndodh në këto ditë të nxehta gushti me politikën shqiptare, i ngjan një “komedie keqkuptimesh”. Të gjithë duket se janë lëshuar pas lajmeve që prodhon historia meskine, me protagonist Ramën, Koçon dhe Ilir Metën. Mbi këtë mizaskenë të denjë për subjektet e Molierit, nisin dhe bëhen edhe analizat dhe llogaritë për qeverinë PS-LSI, bashkëjetesën Rama-Meta, qeverinë teknike, zgjedhje të kohëshme apo të parakohshme, fatin e të majtës, madje edhe për atë të opozitës.

E keni seriozisht? Atëherë le ti marrim me radhë.

***

Koço Kokëdhima nuk ishte stermbullari i të keqes në qeverinë e Edi Ramës, ishte vetëm një vlerë e vazhduar e asaj mënyre, sesi kishte qeverisur Rama kryeqytetin e vendit për 12 vite rresht. Kaq e vërtetë është kjo, sa që Kokëdhima nuk priti që vetë të rehatohej mirë në karrigen e deputetit të PS-së dhe Rama në atë të kryeministrit, por vrapoi të fitonte tendera shtetërorë me kompanitë e tij, njësoj siç kishte bërë dekadën e fundit në mbretërinë e vogël të mikut të tij, Bashkinë e Tiranës. Mbani mend ndonjë fjali nga Kokëdhima kundër qeverisë, sa ishte i plotfuqishëm? Ndonjë fjalë, për korrupsionin e saj, papunësinë, rrënimin e ekonomisë, varfërinë? Jo asnjë. As si deputet dhe as në gazetën e tij “Shekulli”. Historia e Kokëdhimës në raport me Ramën dhe PS-në është e thjeshtë; një luftë brenda llojit, për influenca punësimesh dhe tenderash, të cilën e fitoi Gramoz Ruçi, Fatmir Toçi e kompani. Rama thjesht, mbajti anën e më të fortëve dhe ashtu siç ka bërë gjithmonë, e flaku “bashkëjetuesin e pleqërisë”.

“Koço i keq i Rames” ishte një biznesmen-deputet, në rolin e spekulantit në të shumtën e rasteve, por kurrsesi nuk ishte shkaktari i keqqeverisjes së Edi Ramës. Keqqeverisja në çdo vend të globit ku ajo ndodh, ka një emër, një përgjegjës; ai është vetë shefi i ekzekutivit. Prandaj tani që Koço nuk është më “tutori” i Ramës dhe ky i fundit “biri im”, mos prisni të ndodh mrekullia.

Pas kësaj Kokëdhima, vrapon te Meta dhe së bashku, nga restorantet e bllokut, lëshojnë sinjale se “e majta duhet shpëtuar nga Rama dhe Rilindja”. Po a mund të jetë kjo dyshe shpëtimi i të majtës? Përgjigjja është kategorikisht jo. Në asnjë rast “Kokëdhima i mirë i Metës”, nuk mund të jetë shpëtimi i të majtës së bashkuar nga uzurpimi që i ka bërë prej kohësh sekti “Rilindja”. E aq më tepër me Ilir Metën në krye, i cili i ngrin dhe i shkrin marrëdhëniet me Ramën, në varësi të asaj se çfarë i thotë Edi në telefon, atij mikut të përbashkët në Durrës…Kokëdhima është një nga ideologët e “Rilindjes” që shkatëroi PS-në tradicionale. Ai luftën brenda PS-së nuk e pati me rilindësit. Me ata merrej vesh mirë sepse janë të një race, asaj të biznesmenit. Koço u përplas me pjesën tradicionale të kësaj partie, pasi tentoi që të shkatërronte dhe ribënte sipas modelit të tij nëpërmjet “Stinës së Re në PS”, edhe ato pak struktura që kishin ngelur, në jug të vendit fillimisht. Por dështoi, jo se kishte Ramën kundër, jo. Koha në të cilën vendosi të realizonte projektin e tij, nuk përkonte me hallin e madh të Ramës, atë të bashkimit të radhëve të partisë, kur duket se paterica e Meta, më shumë qëndron në ajër se në tokë.

***

Ky i fundit, Ilir Meta pra, në funksion të fiksimit të panegociueshëm të tij, atij të rikthimit edhe njëherë si kryeministër, nga ana tjetër gjithmonë ka ëndërruar dhe synuar që të jetë në krye të së majtës. Ky synim është më i hershëm, edhe se vetë koha e krijimit të LSI-së, por vitet kanë treguar se është një mision i pamundur. Nga e gjithë kjo, gjithsesi Meta ka çfarë të përfitojë. Një përçarje dhe dobësim edhe më i madh i PS-së, përkon gjithmonë me fuqizim të faktorit “Meta”. Nga ana tjetër puna e madhe që bëri Kokëdhima në jug, duke krijuar struktura të tëra të reja të Partisë Socialiste të përbëra dhe drejtuara nga njerëz të tij besnik, nuk ka pse çohet dëm. Ilir Meta ka vërtetuar që e ka gjithmonë derën hapur, për këdo që i shton vota dhe është “armik” i Ramës dhe PS-së.

***

Nga ana tjetër Lulzim Basha, bën mirë që në aq pak kohë të lirë që duhet të ketë, ulet në tribunën e spektatorëve dhe vështron këtë komedi që luhet nga aktorë të cilët kujtojnë se po vënë në skenë një tragjedi. Por në kohën e punës që i ka ngarkuar e djathta si lider i saj, duhet të mos humbasë më asnjë sekondë, për të mos e lënë opozitën në shkallët ku luhet tragjik-komedia “Rama-Kokëdhima-Meta-Mejdani &co”, por të zgjojë strukturat e partisë së tij dhe paralelisht të rikthejë shpresën për ditë më të mira, te të gjithë shqiptarët.

Rama dhe Meta kujdesen vetë ti bëjnë gropën njëri tjetrit. Bashkëjetesa e tyre është rast i pashpresë. ATA që detyruan edhe trafikantët të votojnë për Reformën në Drejtësi e kanë vendosur të rikthejnë dypolaritetin në politikën shqiptare, pasi ndërmjetësimi do të bëhej sërish ekskluzivitet i tyre, duke rifituara kështu biznesin e humbur vitet e fundit. Pak rëndësi ka nëse Basha është në gjendje ta kuptoje këtë. Por ajo që po ndodh është thjesht vetëm një variacion i ri për të majtën, do të zgjedhë Ramën apo Metën?

E djathta e ka zgjidhur këtë ekuacion, ka zgjedhur PD-në dhe Bashën, ky i fundit gjithmonë për aq kohë sa do jetë kryetar i saj. “Meta-Ramën apo Rama-Metën” nuk duhet dhe nuk ka pse të jetë shqetësimi i Lulzim Bashës. Ilir Meta është i detyruar të veprojë kundër Ramës, ta mbajë nën kërcënim dhe shantazh sistematikisht, pasi ai e di mirë, në të kundërt kreu socialist bën fakte të kryera, ato që i thotë çdo natë “miku i Derrësit” në telefon. E gjithë kjo histori është qartazi një luftë brenda llojit. Pak rëndësi ka që aktualisht tufat e çakejve po rrinë veç nga ato të ujqërve dhe shpesh kafshojnë njëri tjetrin, kur nuk merren vesh për prenë e radhës. Në fund të ditës, edhe ujqërit edhe çakejtë dihet që i përkasin, të njëjtës familje. Prandaj, asnjë mirënjohje nuk mund të ketë PD për Ilir Metën. Ai çdo gjë e bën për vete. Edhe kur duket se “ka çuar ujë në mullirin” e opozitës, ai nuk ka menduar asnjë sekondë për atë. Aktualisht mendja e Metës punon vetëm në funksion të paranojës që ka, jo pa të drejtë, për Edi Ramën si person që është betuar se do ta likuidojë përfundimisht politikisht. Është koha kur tufat e ujqërve dhe çakejve, pas gjuetisë së përbashkët 3 vjeçare, po kacafyten për ndarjen e atij pak gjahu që i ka ngelur këtij vendi të shkretë.

Lulëzim Basha me të drejtë është i shqetësuar për mënyrën sesi do të hyjë vendi në zgjedhjet e ardhshme, prandaj ka shpallur si betejë të radhës Kodin e ri Zgjedhor. Për luftën që më në fund në Shqipëri të ketë pas 25 vitesh zgjedhje të lira dhe të ndershme, i mjafton garancia që ka marrë nga Washingtoni dhe Brukseli. Kalorësit e vërtetë të kësaj beteje, duhet ti shohë te opozita e bashkuar dhe populli që tmerrohet sa herë bëhen zgjedhje, sepse vendoset nën dilemën e turpshme të shitjes së votës, për një asistencë mujore. Basha duhet ta dijë mirë që Meta nuk mendon fare për këto. Gjatë zgjedhjeve të shkuara lokale, ai nuk tha asnjë fjalë për ato zona ku vota e opozitës u masakrua, por i ngeli qejfi dhe nuk i hapte më telefonin Ramës, vetëm kur kuptoi se ai ja kishte futur prapa krahëve në Pogradec, Vorë, Lezhë apo Kukës.

E gjitha kjo që po ndodh brenda shtëpisë së përfshirë në flakë të koalicionit PS-LSI, le të merret me sportivitet, thjesht si një bonus më shumë nga opozita. Vetëm kaq. Nuk ka nevojë që opozita ti hedhësh benzinë zjarrit që kanë ndezur vetë, kujdesen vetë ata për këtë gjë. Ilir Meta, vetëm për parime dhe integritet, nuk kërkon të rrëzojë Ramën. Ai është i dënuar ta bëjë këtë, sepse e di që në të kundërtën Rama i ka të gjitha gjasat ta likuidojë politikisht, njëherë e mirë. Kurse opozita e ka për detyrë madhore dhe emergjente të rrëzojë qeverinë “Rama”, e cila po e çon vendin me shpejtësi skëterre, drejt humnerës. Prandaj opozita e ka jo vetëm për detyrë që ta ndalojë, por edhe përgjegjësi historike ndaj popullit dhe vendit.

Shqipëria nuk humbet asgjë nga largimi i Edi Ramës si kryeministër. Çfarë fiton? Më së paku fiton një palë zgjedhje të pakontestuara. Pastaj se si zgjedhin shqiptarët, është në dorë të tyre. Kurse më së shumti fitohet dhënia fund e një modeli politiko-kriminal, që u eksperimentua “me sukses” për 12 vite në qeverisjen e kryeqytetit të vendit dhe po finalizohet për gjithë Shqipërinë.

E keni seriozisht?! Kjo mund të arrihet vetëm me ndihmën e Ilir Metës dhe Koço Kokëdhimës?/Syri.net

Share: