Home KRYESORE Spitali Amerikan zapton 1467 m2 ambient të Spitalit Ushtarak!

Spitali Amerikan zapton 1467 m2 ambient të Spitalit Ushtarak!

Spitali Amerikan ka zaptuar prej pesë vitesh dhe po shfrytëzon për interesa private 1467 m 2 sipërfaqe ambientale të Spitalit Ushtarak. Spitali Amerikan përdor 1963.7 m2 ambiente brenda Spitalit Ushtarak, por paguan qira sipas kontratës, vetëm për 496 m2. Skandali është konstatuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Në një raport të datës 28 Dhjetor 2015, KLSH konstaton për të disatën herë raportin abuziv mes Spitalit Ushtarak dhe Spitalit Amerikan, ku ky i fundi ka përvetësuar, në shkelje të ligjit, ambientet e spitalit publik. “Nga auditimi konstatohet se, nga SUT janë kryer matje të sipërfaqeve, të cilat përdoren nga “S…… A”, referuar kontratës së qirasë së lidhur më datë 28.08.2013, duke konkluduar që ky subjekt përdor ambiente brenda spitalit gjithsej 1963.7 m2 , nga të cilat vetëm 496 m2 i janë dhënë me qira. Për këto ambiente, SUT i është drejtuar subjektit “S…A”, duke i njoftuar për sipërfaqet që ai përdor më tepër, por dhe detyrimin për periudhën nga 26.07.2011 në shumën 11,222,689 lekë”, thuhet në raportin e KLSH.

Zhduken dokumentet

Kontrolli i Lartë i Shtetit konstaton gjithashtu mungesën e dokumentacionin të monitorimit të kontratës si dhe procesverbalet e hollësishme të dorëzimit të objektit, me sa duket për të fshehur shkeljet. “Nga auditimi u konstatua se, praktika e dhënies më qira të subjektit “S……. A.” (ish “U…….-A.” sh.a), nuk ka të gjithë dokumentacionin ligjor të nevojshëm për monitorimin e kontratës, si: procesverbalet e hollësishme për mënyrën e dorëzimit dhe të marrjes në dorëzim të objektit duke përshkruar në detaje gjendjen fizike të objektit deri në fotografim të çastit, veprim në kundërshtim me VKM nr. 529, datë 08.06.2011 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore” i ndryshuar, Kreu VI “Monitorimi i kontratave”, ndryshuar me VKM nr. 54, datë 05.02.2014, i ndryshuar”, vijon raporti.

Rekomandimi

dokumente spitali amerikanNë raport, KLSH rekomandon lirimin e ambienteve të tepërta nga Spitali Amerikan si dhe plotësimin e dosjes së subjektit në fjalë. “Për sa më sipër, rekomandojmë: Nga Spitali Universitar i Traumës, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, si ministria përgjegjëse për administrimin dhe me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në cilësinë e pronarit, të kërkohet zgjidhja e statusit të sipërfaqeve të tepërta që administron subjekti “S..A”, deri në lirimin e ambienteve ose lidhjen e kontratës për ambientet e shfrytëzuara jashtë kontrate. Nga SUT, të merren masa të menjëhershme për plotësimin e dosjes së subjektit “S.. A.” me të cilin janë lidhur kontrata qiraje, inventarizimin dhe arkivimin e tyre, në përputhje me kërkesat e ligjit nr. 9451, datë 06.11.2003 “Mbi arkivat”, neni 7 dhe të VKM nr. 529, datë 08.06.2011 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore” i ndryshuar dhe VKM nr. 54, datë 05.02.2014 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, i ndryshuar”, thuhet në raport. Po ashtu KLSH, kërkon që të merren masa që të plotësohen praktikat e monitorimit të kontratave të qirasë me dokumentacionin e kërkuar nga VKM nr. 54, datë 05.02.2014 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurës dhe të mënyrës së dhënies me qira, enfiteozë apo kontrata të tjera të pasurisë shtetërore”, i ndryshuar.

Ndërtim pa leje

Në raportin e Kontrollit të Lartë Shtetit thuhet se Spitali Amerikan, pasi ka marrë ambientet me qira, ka ndërtuar pa leje. “Nga auditimi konstatohet se, subjekti “S.. A” përdor dhe një sipërfaqe prej 222.3 m2 , të cilën e ka ndërtuar mbi ambientet ekzistuese të spitalit, për të cilin institucioni nuk ka dokumentacion, si leje ndërtimore apo kontratë. Po kështu ka ndërtuar dhe një urë lidhëse ndërmjet godinës së tij dhe spitalit, me sipërfaqe 45 m2 , për të cilën nuk ka dokumente në SUT, çka konfirmohet dhe nga kartela e pasurisë bashkëlidhur Certifikatës së pasurisë së 6 datës 07.04.2015, ku përshkruhen 3 objekte pa leje apo “ndërtime të paligjshme”. Për këto ambiente ky subjekt nuk paguan qira”, thuhet në raport.

Grup pune

Referuar kësaj situate, KLSH kërkon nga Ministria e Shëndetësisë, të merren masat për ngritjen e një grupi pune, i cili të bëjë përcaktimin e statusit juridik të këtyre pronave dhe pretendimet e shtetit ndaj tyre. “Nga Spitali Universitar i Traumës, në bashkëpunim me Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Tiranë, të merren masat e duhura për evidentimin dhe saktësimin e këtyre ndërtimeve, si dhe të informojë ministrinë përgjegjëse”, vijon raport.

Proceset gjyqësore

Nga auditimi i KLSH, konstatohet se, gjatë vitit 2013 dhe 2014 nga SUT, referuar urdhrave të Ministrit të MZHETS dhe të Ministrit të Shëndetësisë, janë prishur kontratat e lidhura me subjektet private për dhënien me qira të ambienteve të spitalit. “Si rezultat i ndërprerjes para kohe të këtyre kontratave, SUT jo vetëm është në procese gjyqësore të zgjatura me katër subjekte, të cilat kanë kërkuar “të ardhura të munguara”, por ambientet e saj janë të bllokuara nga përmbaruesit gjyqësorë dhe të papërdorshme, në një kohë që ky shërbim spitalor ka nevojë të domosdoshme për ambiente. Për sa më sipër, trajtuar në faqe 49 të Raportit Përfundimtar të Auditimit rekomandojmë: Nga Spitali Universitar i Traumës, të merren të gjitha masat për ndjekjen e procedurave ligjore të mëtejshme, deri në lirimin e ambienteve dhe përdorimin e tyre për nevojat e Spitalit, si dhe të kërkohet ndërhyrja e Ministrisë së Drejtësisë për zgjidhjen ligjore të kësaj situate”, thuhet në raport.

Tenderi i dializës

Në një raport të mëparshëm, KLSH ka konstatuar se ish-ministri i Brendshëm, Arben Imami, me urdhrin nr. 171, datë 05.02.2010 ka urdhëruar prokurimin e shërbimit të dializës, në shkelje flagrante të ligjit.“Ministri i Mbrojtjes, me urdhrin nr. 171, datë 05.02.2010, ka urdhëruar Repartin Ushtarak 4666, me fondet buxhetore te miratuara për vitin 2010, të përballojë shpenzimet për shërbimin e dializës për ushtarakët aktivë të FA, si edhe ka urdhëruar Spitalin Ushtarak Qendror Universitar (SUQU) të veprojë në përputhje me aktet ligjore e nënligjore fuqi për prokurimin e shërbimit te dializës. Tenderi është zhvilluar ne datën 09.04.2010, me procedurë me “negocim pa shpallje të kontratës” me fond limit 94.507.560 lekë pa TVSH. Në tender është ftuar të marrë pjesë vetëm operatori ekonomik “UNIVERS-ALB”. Ky operator ka dalë fitues dhe në datën 15.04.2010 është lidhur kontrata e zbatimit ndërmjet SUQU dhe këtij operatori ekonomik”, thuhet në raportin e KLSH./Shqiptarja.com

Share: