Home KRYESORE Shpërthimi i Mejdanit dhe “mbreti-klloun” i shqiptarëve

Shpërthimi i Mejdanit dhe “mbreti-klloun” i shqiptarëve

Nga Poli Hoxha

Historiografia shqiptare për më shumë se 100 vjet, madje edhe sot nuk guxon të trajtojë historinë e një “mbreti të shqiptarëve”, i cili në vitin 1913 realizoi një nga mashtrimet më të mëdha që i janë bërë këtij populli dhe klasës udhëheqëse të tij. Ka ndodhur kështu, sepse ndoshta nuk ka ende fakte të mjaftueshme. Në atë kohë, pak ose gati aspak, dokumentoheshin zullumet e turpshme që bënte paria e vendit. Por për ato që ndodhin sot 103 vite më pas, asgjë nuk ka shans të humbas në harresë, sado që të jesh i rrethuar nga trukierë të mirëpaguar.

***

Otto Witte një gjerman i lindur në vitin 1872, gjithë jetën e tij ja kushtoi cirkut si “akrobati me mustaqe të jashtëzakonshme”. Ky aventurier, i dhënë pas femrave dhe pijes është një nga karakteret më të jashtëzakonshëm të historisë Evropiane. Dhe për këtë meritën e ka klasa politike shqiptare, aq sa ishte e tillë, në vitin e trazuar 1913. Historia e Otto Witte, është kjo.

Ai ishte i dashuruar pas trukeve dhe mashtrimeve dhe për këtë ju përkushtua karrierës si klloun në cirk që në moshën 8 vjeçare. Shumë shpejt ai u bë i njohur si një tregimtar i zoti, duke rrëfyer aventurat e tij imagjinare, si përshembull, kur u hoq si magjistar dhe arriti të fitonte një titull nderi nga një fis xhuxhësh në Afrikë, apo se si një herë u përpoq të arratisej me vajzën e perandorit të Etiopisë. Por të gjitha këto aventura imagjinare, ai do ti tejkalonte me një eksperiencë reale në Shqipëri gjatë vitit 1913, e cila do të bënte bujë në Europë dhe vazhdon e përmendet edhe sot e kësaj dite.

Në atë vit, sipas versionit të treguar prej vetë atij, por të vërtetuar edhe nga dëshmitarë të kohës, Otto punonte në Budapest, kur një koleg i cirkut i tregoi një artikull ku flitej për ndarjen e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Shkrimi theksonte se paria e shqiptarëve ishte në kërkim të një princ turk, i quajtur Halim Eddine, të cilin kërkonin ta kurorëzonin mbret.

Këtu i shkreptiu ideja gjeniale dhe mori jetë plani i tij. Ai gjeti një foto të këtij princi, me të cilin kishte ngjashmëri të mjaftueshme dhe së bashku me kolegun e cirkut Max Schlepsig, nisi udhëtimin drejt Shqipërisë, vendit që kërkonte një mbret që ti vinte nga jashtë.

I veshur rëndë, me një shpatë të madhe, ai u prit me salltanete dhe pasi e kurorëzuan, i dhanë “çelsat” e vendit. Ai e quajti veten “Mbreti Otto i Parë i Shqiptarëve” dhe gjënë e parë që bëri me shokun e tij, nisi festat dhe orgjitë në haremin me 25 vajza të reja. U dha të gjithë feudalëve të mëdhenj nga një vend në kabinetin e tij, shpalli amnisti të përgjithshme dhe e çmendi popullin duke urdhëruar një javë të tërë pushim, gjatë së cilës, vetëm do të hahej e do të pihej. Paria e vendit e ndoqi pas dhe ju bashkua, pasi ai ju premtoi se do ta lulëzonte dhe zmadhonte mbretërinë. Duket i pabesueshëm naiviteti i tyre, por ka edhe një variant tjetër, sipas të cilit atyre ju pëlqeu ky mashtrim i madh, nuk u interesonte edhe aq nëse mbreti i tyre ishte i vërtetë apo i rremë, rëndësi kishte që ata ishin në kabinetin e tij dhe popullit do ti flisnin dhe bënin çfarë të donin, në emër të tij.

Plot 5 ditë vazhdoi ky mashtrim që vetëm në një vend si Shqipëria mund të realizohej. Pjesa më e bukur e kësaj historie është se edhe pse dyshohej fortë që ishte mashtrues, mbretin Otto nuk e hoqën vetë shqiptarët, por dha dorëheqjen sepse e kuptoi në kohë që zullumi ishte trashur. Pasi kishte bërë rrush e kumbulla atë pak thesar të shtetit dhe pasi i shpalli luftë Malit të Zi, ai së bashku me mikun e tij arritën tja mbathnin, pak përpara se të zbulohej nga fuqitë që po merreshin me çështjen e koklavitur shqiptare. Thuhet se deri ditën që vdiq, fiks 45 vjet pasi ishte shpallur mbret i shqiptarëve më 13 gusht të vitit 1953, policia e Berlinit e lejoi të mbante në dokumentet e tij të identitetit, mbishkrimin, “Mbret i Shqiptarëve”.

***

Është e gjitha e vërtetë apo jo kjo histori, ka vetëm pak elementë që deri tani janë vërtetuar nga historiografia, pak rëndësi ka. Mu kujtua sot pas shpërthimit të pazakontë të një individi politik, intelektual dhe qytetar, Rexhep Mejdanit. Intelektuali i të majtës shqiptare duhet të ketë pasur arsye shumë herë më të mëdha se gricjet mes Elisa Spiropalit dhe djalit të tij dhe aq më pak nga shkrimet e gazetës “Tema”, që ka dalë nga natyra e tij e qetë dhe paqtore. Duke e zhveshur reagimin e ish-presidentit nga emocionet personale, për sulmet që i janë bërë familjes së tij, pavarësisht nga mënyra se si është artikuluar, kuptojmë një shqetësim në nivel alarmi për gjendjen ku është katandisur vendi, e majta shqiptare dhe klasa politike në përgjithësi.

Ashtu si Shqipëria e vitit të mbrapshtë 1913, ku gjeti terren një mashtrues gjerman, ai konstaton si është sot Shqipëria e vitit 2016, ku lëvrijnë “ shëmtira të turpshme të tranzicionit shqiptar”.

Portretin dhe aventurën e klouni të cirkut Otto Witteer, Shqipërinë e vitit 1913, edhe pse i ndajnë 103 vite e gjen në një formë edhe më të degraduar në Shqipërinë e vitit 2016. Themi edhe më të degraduar sepse, historia e tij kishte edhe ca elementë romantik brenda. Ai bëri amnisti të përgjithshme dhe i nxori të gjithë pa dallim nga qelitë, të fajshëm e të pafajshëm, kurse në Shqipërinë e sotme burgjet janë kapicë dhe prapë të gjithë “vrasin mendjen” se kush atëherë i kryen vrasjet e përditshme, cilët janë ata që mbjellin e trafikojnë tonelata drogë?!

Otto i Parë vërtet i futi duart te paratë e thesarit të shtetit, i bëri ato rrush e kumbulla me femra, nëpër festa e gosti, por nuk morri asgjë me vete kur ja mbathi për në Berlin. Në Shqipërinë e Rilindjes çdo vit mungojnë në buxhetin e shtetit qindra milionë dollarë, por nuk ju dihet fare destinacioni. Kllouni i cirkut të paktën e shpalli një luftë me Malin e Zi që kishte zaptuar në atë kohë troje të tëra shqiptare, kurse kryeministri ynë (Ta lëmë opozitën, Ilir Metën, Koço Kokëdhimën, Rexhep Mejdanin, Ben Blushin…) i ka shpallur luftë plakave nga fshati që shesin radhiqe në trotuar.

***

Janë botuar ditët e fundit nga komentatorë të njohur disa analiza, në të cilat Edi Rama krahasohet me mbretin e përrallës së famshme “Rrobat e mbretit” të shkrimtarit danez Hans Kristian Andersen. Sipas tyre, jo dy si në përrallë, por një ushtri e tërë rrobaqepësish, i “qepin” atij çdo ditë nga një kostum të rremë që në fakt nuk ekziston, në përpjekje për të vazhduar mashtrimin e madh me të majtën në radhë të parë dhe pastaj me gjithë popullin që e votoi për kryeministër. Dhe ndryshe nga përralla, vazhdojnë analistët, “mbreti” ynë nuk është i mashtruari i madh, por urdhëruesi i këtij mashtrimi dhe e di shumë mirë që është lakuriq. Deri këtu biem dakord. Por çështja është që ndryshe nga përralla, ku mbretit nuk guxon kush ti thotë që je lakuriq, në realitetin tonë të gjithë po ja thonë, madje edhe shumë nga rrobaqepësit që po i largohen me vrap. Jo vetëm kaq, por “mbreti” ynë, as nuk çan më kokë si 3 vite më parë, që është kuptuar nga të gjithë, se ai është dhe gjithmonë ka qenë cullak. Por edhe më shumë, ky i joni, jo ai danezi, tani kërkon që ta pranojmë dhe bëjmë modë, normalitet, risi, zhvillim, shtet, ligj, drejtësi, Europë, Amerikë … lakuriqësinë e shëmtuar të asaj që na ofroi.

***

“Veçse po më rezulton se ky lloj shëmtim-frymëzimi ka ardhur, jo vetëm sot por dhe më parë, nga sipër, me direktiva të KQ-së së sotme! Kot nuk thotë populli që “peshku qelbet nga koka”. Dhe kjo është një e keqe shumë e madhe!”, këlthet tani profesori i fizikës, ish kryetar i KQZ-së në zgjedhjet e para shumëpartiake më 1991, ish anëtar i Këshillit Presidencial (1991), ish kryetari i bordit të Qendrës Shqiptare për të Drejtat e Njeriut (1994-96), ish Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, ish president i vendit, ish, ish…

Këlthet e lëshon kushtrimin për të zhdukur me rrënjë, sa nuk është vonë “mbretin” e zhytur në pluhur të bardhë që mburret se është lakuriq. Por kë thërret? Partinë Socialiste? Dikush duhet ta informojë profesorin, se ajo vetëm emrin ka të tillë. Edhe flamurin dhe ngjyrat që la kur shkoi në presidencë, mund ti kërkojë, se ndoshta ka shans ti gjejë, në koshat e vjetër të plehrave te godina, e vetmja gjë që është e njëjta. Ilir Metën? Duket se, edhe pse e thirri profesorin urgjentisht nga pushimet, ai është më komod, me variantin e “Otto i Parë” të shqiptarëve që iku vetë…

Kjo ishte pra historia e klounit që u bë për pesë ditë mbret i shqiptarëve, që bëri rrush e kumbulla thesarin e shtetit, por të paktën tregoi aq dinjitet, sa që nuk morri asgjë me vete, kur ja mbathi!

Share: