Kryeparlamentari Ilir Meta bën një rrëfim të gjatë për revistën MAPO flet për betejat me Nanon, Berishën e Ramën. Për akuzat e forta. Për dilemat e tij, për reformën në drejtësi etj.
Sa i përket akuzave që janë bërë ndaj tij, Meta thotë se nuk kanë lindur ende në këtë botë burra, qofshin këta edhe ndërkombëtarë që ta shantazhojnë si politikan.
“Nuk ka asnjë çështje ndaj meje. Të gjitha çështjet kanë qenë politike dhe s’kam pasur asnjëherë shqetësim prej tyre. Gjithmonë kam dhënë shembullin se si mund të përballohen me kurajë qytetare e politike edhe procese të tilla. Jam trajnuar nga zoti Berisha që në vitin 1992, kur isha isha 23 vjeç, si i pari deputet opozitar që m’u hoq imuniteti e që kërcënohesha çdo ditë me burg për të ashtuquajturën kryengritje të Poliçanit. Kështu që mua nuk më shqetësojnë aspak akuzat e çështjet që hapen në emrin tim. Nuk kanë lindur ende në këtë botë burra, vendas apo ndërkombëtarë, që të shantazhojnë Ilir Metën si politikan. Unë përulem vetëm para arsyes, të drejtës e të mirës, në politikë, në jetë e në shoqëri”.