“Lufta për klientë” mes dy bizneseve konkurrente në Tiranë ka vijuar me një histori përndjekjeje ndaj një gruaje të martuar, që dyshohet të ketë si autor një 61 vjeçar.
Punonjësja e një agjencie sigurimi ka kallëzuar në Prokurori veprimet e shtetasit Ylli Hoxha, që, sipas saj, e ka përndjekur dhe shqetësuar për një kohë të gjatë.
Kallëzuesja B. A. pretendon se 61 vjeçari e ka filmuar gjatë një zënke, regjistrim të cilin e ka hedhur në internet. Më tej, sipas saj, ai e ka ndjekur sistematikisht, duke e filmuar dhe fotografuar, si edhe se i ka kërkuar asaj lidhje intime.
Punonjësja e agjencisë së sigurimit ka thënë se veprimet shqetësuese të Hoxhës nuk janë kursyer edhe kur ajo ka qenë në shoqërinë e bashkëshortit të saj, duke i krijuar probleme serioze në familje dhe duke i rrezikuar asaj martesën.
Me kërkesë të Prokurorisë, në fund të muajit korrik, Gjykata e Tiranës caktoi në mungesë masën sigurie “arrest në burg” për Hoxhën, masë e ekzekutuar më 3 gusht.
Dy ditë në parë, ai u paraqit në gjykatë për verifikimin e kësaj mase.
Përmes mbrojtësit të tij, i dyshuari Hoxha mohoi akuzën duke i pretenduar si të pavërteta faktet e paraqitura në kallëzim dhe kërkoi lirimin e tij nga qelia.
Sipas avokatit, kallëzimi ishte i motivuar nga konkurrenca. Pasi verifikoi gjeneralitetet e të dyshuarit dhe u njoh me pretendimet e palëve, gjyqtari Asim Vokshi vendosi të lërë të pandryshuar masën e sigurisë “arrest në burg” ndaj tij./Panorama