Nga Nikollaq Neranxi
Zoti President, në emër të gjithë banorëve të Himarës, ju falenderojmë që na pritët, që të dëgjoni nga afër problemet tona, me shpresën se si Kryetar i Shtetit, të na ndihmoni për një zgjidhje.
Disa javë më parë, jemi thirrur në dëgjesa publike në mbledhjet e Këshillit Bashkiak ku do na tregohej plani i ri urbanistik i Himarës. Firma që ishte zgjedhur për ta realizuar këtë plan, na fliste ne përgjithësi, pa i dhënë përgjigje pyetjeve tona konkrete se si do të bëhej ky plan, cfarë përmbante dhe mbi të gjitha a do preket prona private?
Sepse ju besoj e dini që banorët e Himarës janë akoma pa certifikata pronësie. Përgjigjet ishin të paqarta, kështu vazhdoi në cdo mbledhje që na ftonin. Ne kemi të filmuara mbledhjet nga fillimi deri në fund, dhe asgjëkundi nuk na sqaron njeri se cfarë do bëhet. Atëherë u detyruam të gjejmë rrugë të tjera për ta parë projektin.
Personalisht kam shkuar tek studio e projektimit Papajani e cila po merret me këtë punë dhe kam parë me sytë e mi që projekti i ri, rrafshon shtëpitë tona shekullore nga Spileja në Potam. Duke mos patur certifikatat e pronësisë, praktikisht pronat tona grabiten dhe ne na përzënë nga ai vend.
Prandaj ne u mbodhëm në një protestë këtë të dielë në Himarë, nga ku u iniciua nënshkrimi i një peticioni nga mijëra banorë të zonës, madje po vazhdojnë të mblidhen akoma firmat edhe në fshatra të tjerë. Në atë peticion, komuniteti kërkon që të mos bëhet asnjë ndërhyrje në Himarë pa u marrë ma parë certifikatat e pronësisë. Nëse duan të bëjnë investime publike, le të bëjnë në fillim pastrimin e ujrave të zeza, ujësjellësin, rrugë për të shkuar në monumentet historike, jo të rrafshojnë shtëpitë tona shekullore buzë detit, për të bërë më pas klientët e pushtetit, resortet e tyre.
Ne kërkojmë nga ju, si President i vendit dhe garant i Kushtetutës, që të ndërhyni menjëherë për ta ndaluar këtë projekt mafioz i cili në fakt është më shumë se grabitës, ai është një projekt i cli po përgatit genocidin mbi popullin e Himarës, të cilët pasi t’ju grabisin cdo gjë, ti përzënë edhe nga trojet e tyre shekullore. Nuk e dimë se kush përfiton nga ky skenar, por kjo është e vërteta.
Ne kemi kohë që po ngremë zërin për këto shqëtësime, dhe akoma nuk ka dalë ndonjë pushtetar qendror apo lokal, që të na thotë, që po gaboni, ja ku është projekti ynë, për të mirën e zonës tuaj, ja ku i keni certifikatat e pronesise. Ka vetëm heshtje dhe dizinformim nga altoparlantët e tyre. Madje këto të fundit, këto ditë na kanë sulmuar dhe na kanë fyer publikisht, duke nxjerrë në pah një urrejtje të madhe për popullin e Himarës.
Ne kemi besim se ju zoti President do të jeni në krahun tonë, sepse ne jemi në të drejtën tonë. Kemi 25 vjet që nuk po e gëzojmë si duhet pronën tonë, nuk po e zhvillojmë dot, sepse nuk kemi dokumente dhe tani duan të na e grabisin, ky është një krim, është shkelje e të drejtave të njeriut, shkelje e parimeve kryesore të demokracisë, shkelje e Kushtetutës.
Nikollaq Neranxi eshte drejtor ekzekutiv i shoqates se Komunitetit Himarjot