Home KRYESORE Nikollë Lesi: Disa socialistë të rëndësishëm e quajnë “mocal” qeverinë Rama

Nikollë Lesi: Disa socialistë të rëndësishëm e quajnë “mocal” qeverinë Rama

Por veç kësaj, Rama po tregon se nuk është i gatshëm të ndaj pushtet me të tjerët, përveçse me një grup të vogël në parti ose siç e quan Ben Blushi që “Rilindja ka pushtuar PS-në”. Në qeverisje prej tre vjetësh janë të njëjtët ministra, të cilët nëse kishin diçka për të dhënë në përmirësimin e vendit e kanë dhënë. Tashmë janë në fazën që llogarisin se çfarë do të bëhet me ta pas mbarimit të mandatit.

Disa ministra të PS-së nuk e kanë mendjen fare tek puna shtetrore, por tek xhepat e tyre si dhe mendojnë se si të jenë deputetë radhën tjetër.

LSI-ja vendosi të lëviz ‘gurët’ e saj në kabinetin qeveritar. Jo vetëm shton pjesën e impulseve që e përmendin shpesh në këtë parti, por u jep mundësinë edhe figurave të tjera të saj që të promovohen në funksione drejtuese. Ndryshimet e emrave janë një mënyrë për tu treguar dhe të tjerëve në parti se nuk kanë lindur Ministra.

Tjetër strategji po përdor Rama. Po fuqizon vetëm disa emra të cilët mbahen mend vetëm për aferat e dyshimta dhe tenderët që kanë dhënë dhe jo për reformat.

Po mban në detyrë disa ministra pa identitet, të cilët nuk dihet se kur ka qenë hera e fundit që janë parë në media për të prezantuar ndonjë nismë apo bilanc. Po mban ministra të cilët nuk janë në gjendje t’u përgjigjen vetë kritikave dhe akuzave të opozitës, por duhet gjithmonë t’i marrë në mbrojte Kryeministri. Mbi të gjitha, po mban ministra që në raport me premtimet që bënë para se të merrnin detyrën janë shumë larg nga realizimi i tyre.

Qeveria “Rama” , siç thonë dhe vetë socialistët, është kthyer në një moçal me ujë të ndenjur ku nuk dëgjohet askush tjetër veç kryeministrit. Natyrisht që ka edhe ministra të PS-së që mbeten profesionalistë dhe shumë korrekt. Por pjesa tjetër e ministrave i përzien në moçalin rilindas dhe mbajnë erë paaftësie apo korrupsioni.

Për të gjithë këto arsye dhe të tjerat që qarkullojë në media për korrupsionin e anëtarëve të kabinetit, Rama duhet të kishte ndërruar disa emra.

Të paktën dje që pati mundësi, nuk e bëri. Dhe duket se nuk ka ndërmend ta bëjë këtë as në muajt që mbeten deri në zgjedhje.

Share: