Nga Altin Bamllari
Mos.., goma e makinës! Ç’të bëja?! Edhe kjo më duhej, ndërkohë që po nxitoja të kapja lajmet e orës 19:30 për zgjedhjet në Dibër.
Zbres shpejt e shpejt për të vendosur rezervën dhe në nerva e sipër nuk po gjeja dadiçekët (vidat që shtrëngojnë rrotën).
Turfulloj nga inati që po humbas debatin mes kandidatëve për postin e Shukriut dhe as ia kam idenë ç’duhet të bëj. Ndodhem përballë spitalit Nr. 5 dhe matanë rrethimit një banor i spitalit ka gjithë kohës që ndjek veprimet e mia.
Shoh majtas-djathtas, hap celularin dhe e para gjë që më vjen në mendje është të thërras dikë për të më ndihmuar. Ku i dihet, them me vete, humbas lajmet e Dibrës, por mbase kap këto të hashashit në Tepelenë.
Pikërisht në këtë kohë, banori i 5-ës më afrohet dhe më thotë njerëzisht:
-Nëse je me nxitim, hiqu gomave të tjera nga një dadiçek, vendosja rezervës dhe mbaron punë!
E shoh gjithë dyshim këtë njeri dhe sa s’po pëlcisja që nuk më shkoi në mendje. I kënaqur që po gjeja zgjidhje i drejtohem:
-Po që s’qënke dhe aq budalla ti!
Ai më vështroi ftohtë e ma ktheu:
-Budalla je vetë! Unë jam vetëm i çmendur.
Kishte të drejtë. Isha vërtet një budalla…!