Një biznesmen me shtetësi amerikane dhe kombësi libaneze u masakrua të shtunën në mëngjes me shkop bejsbolli në kryqëzimin e rrugës së Laknasit me atë të Rinasit. Siç dihet ai është 55-vjeçari Faadi Mitri, administrator i kompanisë nga Katari, “Omnix Albania”, e cila do të ndërtojë një resort gjigant me vlerë 180 milionë euro në plazhin e Gjirit të Lalzit.
Nga dëshmitë e dhëna në polici mësohet se biznesmeni po udhëtonte në drejtim të kryeqytetit me automjetin tip “Mitsubishi”, që drejtohej nga shoferi i tij shqiptar, me iniciale E.M., kur është përplasur nga një automjet tjetër. Në raportin e policisë shkruhet se uniformat blu janë njoftuar nga dëshmitarë të rastit se në këtë vend kishte ndodhur një aksident.
Një tjetër telefonatë ka vënë alarmin pasi ka sqaruar se nuk bëhej fjalë vetëm për një aksident, por për një sherr masiv. Makina që kalonin rrugës për në Rinas ose anasjelltas njoftonin vazhdimisht policinë se kishin parë njerëz të gjakosur dhe makina të aksidentuara.
Të gjitha telefonatat ishin të rezervuara për të identifikuar autorët ndërsa është përshkruar me hollësi mjeti i tyre. Një ditë më pas policia njoftoi ndalimin e 9 personave për ngjarjen, por ende nuk ka të arrestuar.