Tërhiqen dhe futen në rresht rebelët e Partisë Demokratike, të cilët në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, por edhe në mbledhje të mëparshme, kanë akuzuar kryetarin Lulzim Basha për humbjet e njëpasnjëshme në zgjedhje, për mungesë shprese, për çorganizimin e strukturave, aleanca individuale, katapultim në forume të njerëzve anonimë, mungesë të aksioneve politike, mungesë vizoni etj. Kthesa e befasishme vjen 9 muaj para zgjedhjeve të parlamentare, ku shumë anëtarë të grupit aktual parlamentar demokrat, nuk kanë siguri nëse do të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm. Linjës kundër Lulzim Bashës vijojnë t’i qëndrojnë vetëm Majlinda Bregu dhe Eduard Selami, ndërsa kundërshtarët e tjerë të deklaruar, befas kanë nisur të dezertojnë apo të heshtin, siç është rasti i Jozefina Topallit. Nëse Berisha dhe Basha mendojnë për sfidën e zgjedhjeve të 2017 dhe justifikimin e një humbjeje të mundshme në horizont, deputetët e PD duket se janë të shqetësuar për renditjen e emrit të tyre në listën e kandidatëve për deputetë.
Tërheqja e parë
Deputeti demokrat Roland Keta, i cili në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar kërkoi shkarkimin e të besuarit të Bashës, Sekretarit Organizativ Enno Bozdo, është tërhequr nga kritikat. Ndryshe nga qëndrimi në mbledhjen e grupit, deputeti Keta, me anë të një posti në rrjetin social facebook, ka mbështetur linjën e Lulzim Bashës për zgjedhjet në Dibër, ndërsa ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Rama. “Kam parë fatkeqësisht që shumë mediat pranë qeverisë na kishin ndarë në grupe pro dhe kundër Bashës. Ky është grupi ku unë bëj pjesë. Sepse unë besoj fort se Lulzim Basha bëri gjënë e duhur në Dibrën, veproj drejt dhe i faktoi çdo qytetari, çdo analisti, çdo partneri se si Edi Rama i trajton zgjedhjet. Ky ishte testi se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vetëm ata që mendojnë si Edi Rama e gjejnë fajin te opozita”, shkruan Keta.
Kthesa e Genc Rulit
Pas largimit të Sali Berishës, deputeti Genc Ruli ka kritikuar në mënyrë sistematike mënyrën se si Basha e ka drejtuar Partinë Demokratike. Madje, Ruli ka hedhur dyshime se Lulzim Basha mund të fshihej pas akuzave të krerëve të degëve ndaj ish-ministrave. Megjithatë, Ruli ka befasuar dje me një qëndrim gjatë një takimi nga Maliqi me degën e PD, për zgjedhjet për kryetar. Ruli ka deklaruar se e djathta e ka betejën e saj me kundërshtarin politik dhe jo me veten, duke i dalë në mbrojtje Bashës. “PD është përçuese e mentalitetit perëndimor. Betejën sot e kemi me kundërshtarin politik, jo me veten. Nesër është beteja jonë e madhe. Kjo do jetë fushata më e vështirë në këto 25 vite. Sot kemi regjimin që nuk ka dalë nga vota. E majta e vërtetë është më e zhgënjyera sepse sot është pushteti i bandave. Dibra tregoi se e keqja është e madhe. Kjo është republika e kanabisit. Kjo mortje duhet mbytur në 2017. Nëse ka një forcë që ka mundësinë për të rrëzuar këtë pushtët, jemi vetëm ne PD”, tha Ruli. Shpesh herë Bashës i është kërkuar nga baza që të largojë kastën e vjetër për të futur një frymë të re. Nga ana tjetër, Basha është kritikuar se nuk mund të fitojë me buzëqumësht. Ndaj, dilema e madhe vazhdon.
Heshtja e Topallit
Kundërshtarja më e përbetuar politike e Lulzim Bashës në Partinë Demokratike, Jozefina Topalli, vijon të heshtë për disfatën dramatike në Dibër. Humbja e Dibrës ka turbulluar ujërat në PD, por çuditërisht, Jozefina Topalli vijon të mos artikulojë asnjë fjalë. Për humbjen e Dibrës, Lulzim Basha u kritikuar edhe nga Arben Imami, por nga Topalli, jo. Nuk dihet nëse zonja Topalli ka marrë ndonjë garanci për listën e kandidatëve për deputetë apo pret rezultatin e zgjedhjeve të 2017, për një betejë finale me Lulzim Bashën. Edhe deputeti Astrit Patozi, javët e fundit, ka ndryshuar kurs në raport me Bashën. Patozi denoncoi farsën zgjedhore për kreun e Partisë Demokratike, ndërsa pas zgjedhjeve të 2015, Patozi deklaroi se PD kishte humbur, ndaj kur humbet nuk mund të bësh dasmë. Megjithatë, në mbledhjen e fundit të grupit parlamentar, Patozi është zhvendosur më pranë linjës së kryetarit, ku madje e konsideroi pozitive humbjen në Dibër, pasi kundërshtarit iu zbulua skema që do të përdorte në zgjedhjet e 2017./360grade.al