Kryetari në Detyrë i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, bëri sot, pas përfundimit të afatit për ankime, deklaratën e mëposhtme lidhur me zgjedhjet e 11 shtatorit 2016 për kryetarin e bashkisë së Dibrës:
“Prezenca e OSBE-së i ndoqi zgjedhjet në Dibër nga afër dhe me shumë interes. Ne jemi njohur me rezultatin, si dhe me raportimet e ndryshme për procesin zgjedhor, përfshirë ato të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë.
Ne ndajmë fuqimisht të njëjtin shqetësim me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me zëvendësimin e mbi 98 për qind të komisionerëve të qendrave të votimit, një ditë përpara zgjedhjeve. Prezenca vijon të sugjerojë që partitë politike të Shqipërisë duhet ta marrin më seriozisht menaxhimin profesional të zgjedhjeve, në mënyrë që sistemi të jetë i besueshëm.
Procesi zgjedhor në Dibër është një tjetër tregues i nevojës për një reformë zgjedhore tërësore, e cila do të siguronte, veç të tjerave, depolitizimin e organeve të administrimit të zgjedhjeve, si dhe barazinë gjinore në përfaqësimin politik dhe në komisionet zgjedhore.
Ne i nxitim autoritetet dhe partitë politike shqiptare të nisin, pa humbur kohë, këtë proces shumë të rëndësishëm dhe ta përfundojnë atë në kohë për zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Mbështetur në bisedat me palët, Prezenca është përgatitur tashmë të ofrojë mbështetje teknike dhe ekspertizë për reformën zgjedhore, sapo Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore të fillojë punën”.