Nga Arben Llalla
Në fillim të javës ambasadorja greke në Tiranë, Eleni Sourani deklaroi se marrëveshja e kufirit mes Greqisë dhe Shqipërisë është e zgjidhur në bazë të marrëveshjes midis dy qeverive në vitin 2009, kurse për Çështjen Çame tha se i beson drejtësisë greke dhe çështja e pronave zgjidhet në gjykatat e Greqisë.
Me këtë deklaratë diplomatja e karrierës, Eleni Sourani ose nuk e njeh realiteti e Çështjen Çame dhe të kufirit detar, ose ka provokuar rëndë marrëdhëniet midis dy vendeve.
Marrëveshja e kufitar detar midis Greqisë e Shqipërisë e nënshkruar nga qeveria Berisha dhe Karamanlis në 27 prill 2009, u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese më 15 Prill 2010. Për pasojë kjo marrëveshje nuk është, nuk ka asnjë vlerë juridike e politike, thjesht ka hyrë në arkivën e historisë së marrëdhënieve shtetërore mes dy vendeve fqinje.
Diplomatja Eleni Sourani nga ana tjetër bën naiven dhe të paditurën për Çështjen Çame, por në përgjithësi për çështjen e pronave të shqiptarëve në Greqi. Një pyetje e rëndomtë mund ta zgjojë nga ëndërrimet me demokraci Athine: Përse ekziston Ligji i Luftës mes dy vendeve, kur qeveria e Andrea Papandreut më 28 gusht 1987e hoqi këtë Ligj?
Megjithëse qeveria Papandreu e hoqi këtë Ligj, ishte Kuvendi i Greqisë dhe Gjykatat e këtij shteti që e rikthyen Ligjin e Luftës duke e lënë përsëri në fuqi. Në këtë rast të dy vendet respektuan vendimet e Kuvendit të Greqisë dhe të Gjykatave greke. Kjo pengon përfundimisht çështjen e pronave dhe jo vetëm.
Por, nëse këtë këndvështrim do e marrim të mirëqenë, sepse nuk ka udhë tjetër, i bie që Greqia dhe ambasadorja e saj Sourani duhet të respektojnë Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë për rrëzimin e marrëveshjes së kufirit detar midis dy vendeve, e cila u nënshkrua Nga Bakojanis dhe Lulzim Basha në 27 Prill 2009.
Sa për zgjidhjen e çështjeve të pronave të shqiptarëve në Greqisë, në këtë rast atyre nga Çamëria i rikujtoj diplomates nga Selaniku se në radhë të parë ato prona janë sekuestruar me Ligjin e Luftës, ku asnjë shqiptar nga Çamëria nuk mund të kërkojë të drejtën e pronës, pasi atyre u ndalohet hyrja në Greqi dhe jo vetëm.
I rikujtoj diplomates Eleni Sourani se më 16 tetorin e vitit 2008 ish-Kryeministri i Greqisë, Kosta Karamanlis vendosi afatin e fundit për hipotekimet nga e para të gjitha pronat në Greqi. Kjo çështje prekte në mënyrë të drejtpërdrejtë titujt e pronësisë të shqiptarëve. Bëhet fjalë për pasuritë e popullsisë çame, të cilëve shteti grek ua mban peng pasuritë e patundshme me të ashtuquajturën “sekuestro konservative”.
Udhëzimi i miratuar me shpejtësi nga qeveria greke me afat deri më 16 tetor 2008, për të dorëzuar dokumentet për hipotekimin e pronave nga e para më shumë duket si thikë pas shpine për Shqipërinë, vetëm pak kohë pasi do të niste procesi i anëtarësimit të saj në NATO dhe vota e Greqisë kishte peshën e saj.
(Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO nisi më më 18 tetor 2008 dhe përfundoi me konsensus e sukses të plotë më 17 shkurt të vitit 2009 me ratifikimin e Holandës e të Greqisë).
Vendimi i qeverisë greke në atë periudhë ishte tendencioz, duke u nisur nga fakti që shteti grek u ndalon çamëve për të hyrë në Greqi dhe kështu nuk do të mund të hipotekojnë pasuritë e tyre. Një shqiptar, të afërmit e të cilit janë dëbuar me dhunë nga trojet e tyre prej qeverisë greke pas Luftës së Dytë Botërore, për të nisur procedurat për kthimin e pronës në Greqi, për të cilën ai pretendon se është pronar i saj, në radhë të parë duhet të çelë një çështje në Gjykatën e Shkallës së Parë të qytetit (Janinë, Prevezë, Artë, Filat, Paramithi, Gumenicë, e gjetkë), ku kjo pronë ndodhet e regjistruar.
Në mënyrë absurde dhe qesharake, kërkohet që pretenduesi të përfaqësohet nga një avokat, i cili duhet të jetë grek. Në rast se e drejta nuk zgjidhet në Gjykatën e Shkallës së Parë, çështja kalon në Shkallën e Dytë dhe në Gjykatën e Lartë.
Qytetarët shqiptarë çamë nuk e kanë asfare këtë mundësi, jo vetëm prej burokracive të ambasadës greke që pengonin lëshimin e vizave në atë periudhë për këtë kategori qytetarësh. Ata janë të ndaluar falë Ligjit të Luftës të hapin një çështje gjyqësore dhe të kalojnë shkallët e drejtësisë greke që më pas të shkojnë në Strasburg.
Kaq e thjeshtë dhe e qartë është kjo gjë, ndaj në rastin më të mirë, kur Eleni Sourani tregon dyert e drejtësisë greke për çështjen e pronave të shqiptarëve ose gënjen, ose nuk e ka haberin.
Natyrisht, në respekt të titullit të saj si ambasadore do preferoja të besoja këtë të dytën. Zonja bën të merret me diplomacinë zyrtare të vendit që përfaqëson dhe jo të ndikohet nga politikat nacionaliste e organizatave ekstremiste greke që punojnë ndër vite për aneksimin e jugut të Shqipërisë.
Disa ditë më parë ajo takoi pikërisht drejtues të këtyre qarqeve ekstremiste dhe më pas lëshoi deklaratat e mësipërme. Është detyrë e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë që ta thërrasë për këshillime diplomatike ambasadoren Sourani për deklaratën e bërë prej saj…