Home I pakategorizuar Burgu s’është për mjekët, por për pergjegjesit e spitaleve shtetërore

Burgu s’është për mjekët, por për pergjegjesit e spitaleve shtetërore

Nga Besart Kadia

Tregjet janë amorale ndaj dhe qeveria duhet të kujdeset për sektorë të tillë si shëndetësia dhe  arsimi. Nëse do të kishim tregje të lira në këto dy fusha atëherë tregtarët dhe pronarët do të mendonin vetëm për  fitimin e tyre dhe jo për qytetarin. Ata do të na ofronin produkt të dobët e çmime të larta. Ndërsa institucionet publike duke qenë se financohen nga paratë e qytetarëve atëherë ato kanë vetëm një objektiv në mendje: shërbim sa më cilësor për “aksionarët” e saj.  Institucionet publike portretizohen si jo-fitimprurëse ndaj dhe moralisht superiore. Por fakti që një institucion publik nuk synon fitim nuk do të thotë që për rrjedhojë po ofron shërbim më të mirë. Përkundrazi në një sistem ku paratë dhe financimi vijnë si me magji nga qeveria në fund të çdo muaji atëherë ky institucion nuk ka një sistem reference të suksesit ose mos suksesit të tij. Këto institucione publike operojnë në errësirë duke mos marrë asnjë mesazh nga shoqëria dhe për rrjedhojë mund të vazhdojë të bëjnë të njëjtin veprim të gabuar për vite e vite me radhë.

Për shumë të majtë në trojet shqiptare një njeri që është moralisht i mirë mundet të jetë në të njëjtën kohë i paaftë në menaxhim, në shkencë, apo në mjekësi? Ndaj, vazhdojnë ata, nëse punon në institucion publik je domosdoshmërisht dhe moralisht i pastër dhe për këtë arsye i aftë për të shërbyer profesionalisht qytetarit.

Kjo gënjeshtër ku i miri është edhe i zoti i ka mbajtur shqiptarët në gjumë e politikanët të pasur. Ne harrojmë që institucionet publike menaxhohen nga njerëz konkret që kanë pasione, ëndrra, vese e dobësi njësoj si punonjësit privat. Në mendjen e shumë prej nesh nëse je pedagog në publik je duke bërë një sakrificë për të tjerët e ndaj duhet të jesh më i mirë se një pedagog që punon në një institucion privat. Nëse je mjek në një spital publik duhet të jesh mjek më i mirë sesa një mjek në spital privat. Nëse je polic shtetëror duhet të jesh më i mirë e kështu me radhë. Në këtë linjë argumentimi shkruhej edhe pak ditë më parë nga Rudina Xhunga në Mapo “sepse mjekët e mirë nuk e lënë kurrë spitalin publik, ata janë patjetër aty, pavarësisht privatit”.

Për hir të argumentit a mundet të përgjigjet në këtë rast zonja Xhunga se nëse je gazetar në TVSH je gazetar më i mirë sesa gazetarët te privati pasi gazetari i mirë nuk e lë kurrë TVSH-në”. Duke qenë se zonja Xhunga e njeh mirë këtë fushë jam i sigurt që do të thotë që kjo nuk është e vërtetë. Në këtë logjikë besoj se të tërë biem dakord që punonjësi në institucion publik mund të jetë “burrë apo grua më e mirë” sesa punonjësi në privat por kjo nuk do të thotë më i zoti. E ne kemi nevojë për doktor e pedagog të zotë.

A nuk kemi parë ne mjek në spital publik që kërkojnë para për shërbim? A nuk kemi parë ne pedagog në institucion publik që duan para për provim? A nuk kemi parë ne shërbyesit më të lartë publik (politikanët) të korruptohen për të bërë punën e tyre? Mesa duket as moralisht nuk qëndron pretendimi për institucionet publike.

Por me këtë qasje të superioritetit moral të publikes e majta vazhdon të indoktrinojë të rinj të këtij shteti se qeveria dhe institucionet publike janë aty për të ndihmuar ata dhe vetëm ata. Me këtë keqkuptim të fortë të rolit real të shtetit Shqipëria nuk arrin të ndajë mendjen nëse do shtet social apo shoqëri sipërmarrësish. Në këtë kritikë marksiste Shqipëria vazhdon mendjemadhe të mendojë se ka luksin e parave publike e të jetëve të njerëzve për të ndjekur ëndrrën e shërbimit të mirë në publik. Por akoma s’duam ta pranojmë se shtet social në vend të varfër nuk bën dot. Një vend i varfër mendon vetëm si të rritet ekonomikisht dhe më mirë se liria e tregjeve këtë nuk e realizon dot asnjë institucion tjetër shoqëror. Ndaj taksa më të larta, buxhete më të mëdha për ministritë, pushtet më të madh për institucionet publike nuk do të çojnë në rritje ekonomike por do të mbajnë më shumë punonjës artificialisht në punë me pak rendiment me argumentimin se “janë njerëz të mirë’.

Tregjet janë të mira dhe ato kanë nevojë për informacion perfekt. Me miliona vendime merren çdo ditë nga shqiptarët. Çfarë të blejnë? Çfarë të hanë? Ku të punojnë? etj. Tërë këto vendime nuk merren nga qeveria apo nga ministritë por sërish çdo ditë ata e dinë që po shkuan në dyqan do të gjejnë shumë prej produkteve që kanë dëshirë. Por nga ana tjetër nëse shkon në spital publik për të kërkuar ilaçe apo shërbim cilësor nuk je i garantuar. Për më tepër Ministria e Shëndetësisë në faqen e saj zyrtare nuk ka asnjë informacion për vitin 2015 apo 2016 për sa i përket financimit, tenderave etj. Dhe në një treg konkurrues nëse dikush ka më shumë informacion se sa të tjerët atëherë kjo çon në rezultate të padrejta dhe jo efikase. Tregu të paktën këtë çështje e zgjidh shpejt dhe mirë çdo ditë.

Në vitet që vijnë do të ketë sërish pedagog të korruptuar dhe të korruptueshëm. Do të ketë mjek të papërgjegjshëm që koston e ka në jetë njerëzish. Do të ketë dhe politikanë të korruptuar. Por zgjidhja nuk është arrestimi i tyre. Kjo politikë ndëshkuese nuk zgjidh asnjë problem real të këtyre institucioneve të pareformuara që nga rënia e regjimit komunist. Por para se të arrijmë në reformimin e këtyre institucioneve partitë e djathta në vend kanë nevojë të reformojnë mënyrën e të menduarit të qytetarëve dhe të mos i gënjejë se me financa publike mundet të arrihet një jetë më e mirë në Shqipëri. Se me paratë publike mundet të garantohet cilësi në shërbime publike. E djathta ka për detyrë të jetë vetëm pro institucioneve private e bizneseve private. Në këtë mënyrë ne “arrestojmë” institucionet publike e jo më punonjësit publik.

Share: