Nga Luke Coffey
Shqipëria një vend i vogël në Europën Juglindore, është tashmë epiqendra e tregut të drogës, në veçanti marijuanës. Kjo nuk vjen si surprizë. Me vijën e gjatë bregdetare në Adriatik, kjo zonë e Ballkanit ka qenë gjithmonë rruga kryesore e kontrabandës, armëve dhe drogës deri në zemër të Europës. Për pasojë krimi i organizuar dhe korrupsioni në politikë janë fuqizuar, në një vend që përballet ende me shumë sfida brenda tij.
Por ajo që e bën situatën unike janë akuzat, sidomos ato që vijnë nga Patia Demokratike, se drejtues të lartë të Partisë Socialiste janë të lidhur direkt apo përfitojnë direkt nga shitja e drogës. Kryeministri Edi Rama është akuzuar vazhdimisht se nuk ia doli t’i jepte fund rolit të Shqipërisë në tregun e drogës. Madje Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri akuzohet se mbrojti, madje fshehu njerëz të përfshirë në trafik droge.
Këto deklarata ngrenë një pyetje: Çfarë e shtyn elitën qeverisëse në Shqipëri të bëhet pjesë e botës së errët të krimit të organizuar dhe trafikut të drogës?
Ndoshta përfitimet personale. Ndoshta ekziston një plan tjetër për të mbajtur pushtetin.
Shqipëria vuan nga korrupsioni njësoj, në mos më shumë se pjesa tjetër e Ballkanit. Me miliona dollarë mund të blesh shumë gjyqtarë, gazetarë dhe prokurorë, por mund të të ndihmojnë edhe për një fitore në zgjedhjet e ardhshme.
Cilado qoftë arsyeja, diçka e dyshimtë po ndodh.
Në fillim të këtij muaji, një pilot Italian, Andrea Guidi, ngeci me avionin e tij në një fushë në veri të Tiranës. Fillimisht Guidi tha se fluturoi mbi Shqipëri për çlodhje. Pas kësaj, gazetari Artan Hoxha publikoi lajmin se piloti i kishte rrëfyer prokurorëve se do të bënte një provë në terren, para se të kthehej 20 ditë më vonë, për të marrë 200 kilogram kanabis. Duke marrë parasysh historitë e tjera të avionëve me drogë, rrëfimi dukej i besueshëm.
Menjëherë autoritetet shoqëruan gazetarin, që siç dukej publikoi informacione delikate në lidhje me ngjarjen. Akuzat u bënë të besueshme kur Partia Demokratike akuzoi se lajmi i Artan Hoxhës doli nga Ministri Saimir Tahiri si një manovër për “t’i kompromentuar hetimet” dhe për të mbuluar krimin e trafikantëve të drogës.
Në fillim të vitit, autoritetet greke akuzuan qeverinë shqiptare se po mbronte dhe po e mbulonte Klemend Balilin, një biznesmen shqiptar i emëruar në administratën lokale në Sarandë. Balili dyshohet se është në krye të një linje të trafikut të marijuanës nga Shqipëria në Europën Perëndimore.
Sërish, Partia Demokratike e drejtoi gishtin nga lidhjet e Balilit në politikë dhe e akuzoi Saimir Tahirin se po mbronte bosin e akuzuar të drogës.
Paqëndrushmëria e qeverisë për t’i dhënë fund problemit të drogës, ngjall mosbesim. Vitin e kaluar autoritetet shqiptare thanë se shkatërruan 99.2% të drogës në vend. Kjo është e çuditshme. Sepse këtë vit policia pretendon se shkatërroi 1.7 milion bimë narkotike, që është tre herë më shumë se sasia e shkatërruar vitin e kaluar. Llogaritë nuk dalin.
Nga shumë pikëpamje, një vend si Shqipëria është “i vjetër” në këto afera korrupsioni dhe krimi. Renditet në vendin e 88 në botë në indeksin e korrupsionit në raportin e Transparency International. Ndërkohë Fondacioni Heritage dha vlerësimin “e frustruar” për ekonominë shqiptare, vlerësimi më i ulët i mundshëm në kategorinë e korrupsionit.
E megjithatë, Shqipëria ka shumë arsye për të qenë krenare. Vendi u bë anëtar me të drejta të plota i NATO-s në vitin 2008, duke u bërë kështu vendi i vetëm me shumicë myslimane që i bashkohet aleancës. Në 2014 u bë kandidat për në bashkimin Europian. Për një vend si ky, pjesë e një rajoni të turbulluar, me ekonomi të frustruar dhe të shqyr nga luftëra, këto janë arritje domethënëse.
Por niveli i korrupsionit, që buron nga elita politike dhe roli që luan vendi tregtinë e drogës- dy fenomene ku janë të dyshuar drejtues të lartë të qeverisë- duhet të shqetësojë politikbërësit në Washington dhe kudo nëpër Europë.
Kjo që po ndodh, nuk është thjesht e papërshtatshme për një vend që aspiron të bëhet anëtar i komunitetit Euro-Atlantik, por njëkohësisht përmban rrezikun për të destabilizuar më tej një rajon të paqëndrueshëm/ Përkthyer nga Lapsi.al