Deputetja e PDIU-së Mesila Doda reagon lidhur me deklaratën e djeshme të ministrit të Jashtëm grek Nikos Kotzias e cila shkoi deri në kufijtë e kërcënimit me Shqipërinë në lidhje me çështjen çame, duke përmendur sistemet e mbrojtjes, të sigurisë, por edhe emigrantët shqiptarë që punojnë e jetojnë atje.
Në kohë kur politika e diplomacia shqiptare kërkon zgjidhje me dialog për të gjitha çështjet e mbetura pezull, shefi i diplomacisë greke, Nikos Kotzias i është kundërpërgjigjur me paralajmërime Tiranës.
Postimi në facebook i Mesila Dodes:
Nuk i gjej dot dy raste, kur ministri i jashtëm Kotzias të ketë patur deklarime koherente, të ekulibruara e të matura.
Por sot ka tejkaluar çdo sinor për një dinjitar të lartë që përfaqson diplomacinë e një shteti anëtar të NATO-s.
Kotzias kërcënoi sot shtetin shqiptar me arrogancën e atij që ka më shumë ushtri, mbrojtje e pasuri.
Ushtarakisht, a e di ministri i Jashtëm i vendit anëtar të NATO-s se bën pjesë në të njëjtën aleancë ushtarake, ku është edhe fqinji i tij, në aleancën më të madhe ushtarake e politike? Kujt i tregon forcën e ushtrisë ky person i paekulibruar e i papërsëritshëm në marrëzitë që lëshon?
Politikisht, a e din ministri i Jashtëm i shtetit fqinj që Europa e sotme është e bazuar mbi shtetin e së drejtës e jo mbi pasurinë e secilit shtet anëtar, sepse në atë rast Greqia do duhej të kish dalë në ankand me kohë, pasi është një shtet i falimentuar, me një borxh publik në rreth 340 miliardë euro pa interesa, që është rreth 180 % e GDP-së, ndërsa së bashku me interesat ky borxh ka tejkaluar më shumë se dyfishin e tërë ekonomisë greke së bashku me asetet e saj.
Ky klloun dinjitar, peshqesh i grekëve të rinj, do duhet të ndajë mendjen, nëse është për respektimin e konventave ndërkombëtare dhe në të njëjtën linjë me Brukselin, apo kërkon të mbrojë lavdinë e kolonel Zervës.
Flet për Konventat Ndërkombëtare…bukur. Të nisim më respektimin e Konventës për Dënimin e Krimeve të Luftës, Koventës për Dënimin e Genocidit, me respektimin e Konventës për të Drejtat e Njeriut, ku në rastin e shqiptarëve të Çamërisë janë shkelur e drejta e jetës, e drejta e pronës, parandalimi i torturës, liria e fjalës, liria e mendimit, liria e besimit, thuajse çdo nen është dhunuar dhe rezultati ishte një spastrim i plotë etnik.
Tash, duhet marrja e një pozicioni të qartë nga shteti i sotëm, ose ndjesë publike dhe kërkesë faljeje për krimet e kryera ose bashkëpunëtor publik me krimin dhe kundër vlerave të Europës. Arroganca nuk ndihmon kërrkënd, veç frikacakun.