Home KRYESORE Vrau për zhurmat dhe tualetin, ja sa dënohet autori

Vrau për zhurmat dhe tualetin, ja sa dënohet autori

Zhurmat dhe problemi me tualetin e banesës që pikonte mbi ambientet e lokalit ka qenë shkaku i sherrit që degjeneroi në përdorimin e thikës e la viktimë 55 vjeçarin Luan Koprencka në 30 Maj të këtij viti.

Ngjarja do t’i kushtojë 18 vite burg, Alban Hykës, autor i këtij krimi.

Por teksa në seancën e shkuar Hyka ka pranuar gjykimin e shkurtuar në procesin ku akuzohet për vrasjen e Koprenckës, bën që autori të përfitojë ulje me një të tretën e masës së dënimit dhe përfundimisht do të vuajë 12 vite burg.

NGJARJA

“Panorama” shkruan se 55-vjeçari që u godit për vdekje me thikë në zonën e Kombinatit në Tiranë, mbeti i vrarë nga pronarët e lokalit që ndodhet në të njëjtin pallat, një kat më poshtë shtëpisë së viktimës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:20, kur viktima, Luan Koprencka, sapo kishte dalë nga shtëpia dhe po kalonte pranë lokalit që ndodhet afër shkollës “Musine Kokalari”, në rrugën “Llambi Bonata”.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se Koprencka është përleshur me dy persona, Alban Hykën dhe kunatin e këtij të fundit, Vladimir Ismailin. Sherri mes tyre ka nisur për shkak se nga tualeti i apartamentit të viktimës rridhte ujë në tavanin e lokalit që ishte në katin e parë.

Ky ka qenë një konflikt i përhershëm mes viktimës dhe autorëve të dyshuar, që dje ka përshkallëzuar deri në përleshje me gurë e thika. Fillimisht mes 55-vjeçarit dhe dy të dyshuarve ka pasur një debat me tone të larta e më pas janë përleshur edhe fizikisht.

Në një moment, shtetasi Alban Hyka ka nxjerrë një thikë, duke e kërcënuar viktimën. Ndërsa vetë 55-vjeçari, për t’u mbrojtur ka marrë një tullë në tokë duke tentuar t’i godasë dy të dyshuarit.

Në përleshja e sipër, i ndihmuar edhe nga kunati i tij, Hyka ka goditur me thikë Luan Koprenckën. Burimet thanë se ai është dërguar me urgjencë në spitalin e traumës, ku edhe ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur.

Një goditje e vetme me thikë i ka marrë jetën, pasi plaga ka qenë në gjoks, duke i prekur edhe zemrën. Autorët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, njëri prej të cilëve u arrestua pasditen e djeshme./360grade.al

Share: