Home KRYESORE NË KAFE ME RAMËN

NË KAFE ME RAMËN

Nga Aulon Kalaja

Një foto që ka qarkulluar nëpër portale, tregon tre deputetë të opozitës, ulur në kafenenë e Kuvendit. Kjo foto në fakt trazoi shpirtrat e demokratëve dhe atyre që i kanë besuar ligjeratës së kreut të opozitës, se Shqipëria është në gjëndje të jashtëzakonshme dhe i vetmi fajtor e ka emrin Edi Rama. U tronditën ato shpirtra që e besuan opozitën, kur me radhë nga Sekretari i Përgjithshëm, deputetë, drejtues departamentesh, zëdhënës dhe të rinj, mbajtën fjalën e tyre në sallën e konferencave, duke e mbyllur gjithësecili fjalimin e tyre me ekzaktësisht këto fjalë:

“Shqipëria është më e mirë pa Edi Ramën…”

Por a është më e besueshme kjo fjali, në kushtet kur disa deputetë të PD, pasi debatuan ashpër me Kryeministrin në sallën e Kuvendit, pak minuta më vonë i fikson paparaci duke pirë kafe.

Por a mund të pish sot kafe me Kryetrafikantin, me kreun e narkotrafikut, me kreun e mafias, me njeriun që kriminalizoi parlamentin, që blen zgjedhjet, që ka përgjegjesinë kryesore për gremisjne e vendit?! Dhe këto krahasime, epitete nuk janë një lajthitje imja, por është gjuha e gatuar dhe e përdorur në Partinë Demokratike. Por edhe të kesh kaq shumë të këqija edhe të pish kafe me të keqen, e të bashkohesh me të, nuk shkon apo jo?!

Unë nuk jam në gjëndje të them se si ka ndodhur që në kafene të gjenden deputetë të opozitës me Kryeministrin. Ndoshta ka qënë një ftesë kryeministrore, apo Rama i është ulur pa ftesë deputetëve të PD në tavolinë, sepse është një nga ato politikanë që i përdor të tilla manovra, e ka bërë këtë lëvizje edhe me të rinjtë e FRPD dikur.

Është një nga ato politikanë që e njeh mjaft mirë shprehjen, ose më saktë e zbaton shprehjen “Djalli fshihet në detaje”. Mania e Ramës për të bërë “lajm” ne cdo kohë dhe me cdo mjet nuk njeh kufij. E nëse është kështu, apo e kundërta deputetët e opozitës në atë tavolinë, duhet të japin sqarime përpara atyre që i mbështesin dhe përpara atyre që i kërkojnë votën me fjalinë:

“Shqipëria është më e mirë pa Edi Ramën…”.

Dhe sqarimet e tyre nuk duhet të jenë të tipit se kush i pagoi kafet, por përse Rama ndodhej me ta në atë tavolinë dhe për cfarë biseduan? Asgjë e keqe nuk ndodh nga transparenca. Ose përfundimisht shqiptarëve po iu serviret nje teatër i shemtuar, që në sallën e Kuvendit, në studio, në sheshe shahemi dhe shtyhemi, ndërsa jashte saj pijme kafe dhe llafosemi.

E kam mik Platonin, por më shumë mik kam të vërtetën!

Po përse po bëhet një zhurmë kaq e madhe për një foto?! Pikërisht për të marë fund kultura e teatrit politik, nëse Kryeministri është Kryetrafikant dhe Kryemafioz, unë nuk mund të pi kafe me të, por do të bej c’mos që t’a rrëzoj nga pushteti kriminal dhe Shqipërinë t’ia kthej shqiptarëve të lirë.

Në të kundërt e gjithë strategjia e PD, epitetet, denoncimet e saj gjatë gjithë kësaj kohe ndaj të keqes së madhe që quhet Edi Rama nuk kanë asnjë vlerë dhe janë një mashtrim i madh.

Share: