Nga Zydi Teqja
Pedagog i Arkitekturës së peizazhit në Departamentin e Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit; Universiteti Bujqësor i Tiranës
Ditën e sulmit mbi kullat binjake në New York, rrugët u boshatisën, por parqet e çdo blloku ishin plot me njerëz. Ata e ndjenin instinktivisht, që atje do të ishin më të sigurt dhe se atje do të mund të takonin të tjerë, të cilët ndjenin të njëjtën tronditje dhe pikëllim. Zjarrfikësit e përdorën parkun Wagner, në afërsi të kullave binjake, për të pushuar. Megjithëse tymi dhe bloza ishin kudo, lulet vazhdonin të hapnin gonxhet duke përcjellë mesazhin e natyrës për shpresë.
Mëngjesin tjetër Lynden Miller, një projektuese e njohur e parqeve publike në New York, shikonte nga dritarja retë e tymit dhe mendonte se çfarë mund të bënte për qytetin e saj të dashur. Ndërkohë, nga faksi u dëgjua zhurma e mbërritjes së një mesazhi. Ishte nga Hans van Waardenburg, një kultivues dhe tregtues bimësh bulbore nga Hollanda, i cili kishte furnizuar për më shumë se 20 vjet projekte të ndryshme të New York-ut.
Ai shprehte shqetësimin e tij për atë që kishte ndodhur dhe dëshirën që të bënte diçka. Atëherë, ajo u kujtua që në të kaluarën Hansi kishte dërguar bulba falas që njerëzit t’i mbillnin në kopshtet e tyre dhe mendoi që do të ishte një ide e mirë që të mbilleshin lule në kujtim të atyre që humbën jetën.
Kur ato të lulëzojnë pranverën tjetër, mendoi ajo, do të përmirësojnë gjendjen shpirtërore të njerëzve. Ajo i shkroi Hansit dhe pasi shkëmbyen disa mesazhe, ai arriti të siguronte gjysëm milioni bulba lulesh në kujtim të viktimave të 11 Shtatorit, kurse qyteti i Roterdamit dhuroi edhe një million e gjysëm të tjera.
Departamenti i parqeve i New York-ut angazhoi punonjësit e tij, ndërkohë që organizatat e ndryshme të parqeve rekrutuan shumë vullnetarë, të cilët i mbollën bulbat jo vetëm në parqet ku gjithmonë kishte pasur, por kryesisht në ata parqe që nuk kishin pasur lule prej vitesh. Në këtë aksion u angazhuan rreth 10 mijë qytetarë jo vetëm nga New York-u, por edhe nga qytete të tjera.
Pranverën tjetër, qyteti u mbush me lule, që përkujtonin ata që vdiqën dhe që u tregonin njerëzve, që jeta po ripërtërinte vetveten, që parqet janë vende të shenjta dhe që natyra mund të na e përmirësojë jetën dhe t’i bëjë qytetet të bukura përsëri. Zbukurimi i qyteteve me parqe e kopshte dhe rrugë të planifikuara dhe projektuara mirë ka efekte pozitive në shumë aspekte të jetës urbane: ndikon pozitivisht mbi biznesin, turizmin dhe zhvillimin ekonomik; mund të pakësojë edhe kriminalitetin dhe, ndoshta më e rëndësishmja është, që kështu përmirësohet gjendja shpirtërore e banorëve.
Parqet e projektuara me profesionalizëm krijojnë peizazhe, të cilat njëkohësisht e zbusin dhe e forcojnë përjetimin human të atyre që jetojnë në atë qytet. Kjo i bën njerëzit të ndjehen më të sigurt dhe që të sillen në mënyrë më të civilizuar ndaj bashkëqytetarëve të tyre. Parqet e mirëmbajtura u tregojnë banorëve që qyteti i tyre kujdeset për ta dhe u jep atyre një arsye të rëndësishme për të qëndruar në qytet.
Kur një park neglizhohet ai ndikon mbi të gjithë ne psikologjikisht dhe shpirtërisht. Në kaq shumë gjëra që na ndajnë, duket se ka një gjë që na bashkon: të gjithë dëshirojmë të jemi të rrethuar nga gjelbërimi. Parqet publike dhe kopshtet na bëjnë ne të ndjehemi mirë me veten dhe me qytetet tona, dhe të gjithë përfitojmë.
Sigurisht që të arrihet kjo nuk është e lehtë. Krijimi i hapësirave publike të suksesshme kërkon bashkëveprimin e shumë faktorëve: Investime publike dhe private, energji pozitive si dhe punë të një stafi të kualifikuar. Projektimi i parqeve kërkon njohje të mirë të elementëve që do t’i tërheqin vizitorët gjatë gjithë vitit; bimë cilësore të rritura në një tokë të mirë, me mirëmbajtje të vazhdueshme dhe me një bindje të palëkundur që njerëzit janë të rëndësishëm.
Në krye të të gjithë këtyre faktorëve, si në çdo fushë tjetër, duhet të jenë profesionistët; dhe ata në këtë rast janë arkitektët e peizazhit. Ndërkohë që në vendin tonë janë bërë përmirësime të dukshme në drejtim të gjelbërimit dhe mbi të gjitha ka një ndërgjegjësim gjithnjë e më të madh të publikut për rëndësinë e tij, Shqipëria akoma nuk diplomon arkitektë peizazhi.
Arkitektura e peizazhit është një profesion i njohur në të gjithë botën; përfaqësuar në nivel botëror nga Federata ndërkombëtare e arkitektëve të peizazhit (IFLA) dhe e pranuar si profesion i regjistruar nga organizata ndërkombëtare e punës (ILO). Nga shqyrtimi i 244 universiteteve të Amerikës, Europës, Azisë dhe Australisë del që profili i fakulteteve që ofrojnë diplomë në arkitekturë peizazhi lidhet me dy fusha: Bujqësia dhe Arkitektura.
Në Europë kemi thuajse ekuilibër midis të dyjave, kurse në SHBA shkollat e arkitekturës kanë një avantazh të qartë. Kur zbresim në nivelin e departamentit atëherë departamentet që kanë në emërtesën e tyre “arkitekturë peizazhi” janë dukshëm më të shumtë. Në shumicën e universiteteve publike (Land grant universities) në SHBA, arkitektura e peizazhit ka filluar në kolegjet e bujqësisë.
Mësimet për projektim dhe planifikim peizazhi datojnë që nga shekulli i 19-të dhe arti i skicimit të kopshteve dhe sipërfaqeve të tjera për kënaqësi ofroheshin si pjesë e programeve të ndryshme të hortikulturës. Në shekullin e 20-të profesioni i arkitektit të peizazhit në SHBA është rritur me një shpejtësi, të cilën pak profesione të tjera mund ta kenë patur.
Duke qenë një profesion i rregulluar, në SHBA ka një sërë institucionesh që kontribuojnë në menaxhimin dhe drejtimin e procesit të arsimimit dhe trajnimit në arkitekturë peizazhi. Aktualisht në SHBA në këtë fushë, ka 69 programe të akredituara. Megjithatë arkitektura e peizazhit arriti një shtrirje të rëndësishme në programet e arsimimit të vendeve të Europës perëndimore vetëm pas luftës së dytë botërore.
Një valë e re programesh universitare ndodhi në vitet ’90, në vendet e Europës lindore dhe në disa vende të tjera si Spanja, Islanda dhe Austria. Një stimul të ri mori kjo disiplinë në Europë pas vitit 2000 me miratimin e Konventës europiane të peizazhit. Arsimimi në arkitekturë peizazhi në Evropë është më i shumëllojshëm se sa ai në SHBA.
Ky shumëllojshmëri u zgjerua akoma më shumë pas viteve ’90 kur programet arkitekturës së peizazhit u bënë pjesë e fakulteteve të hortikulturës, urbanizmit ose të ekologjisë. Në disa raste studentët e diplomuar nga këto universitete janë praktikisht hortikulturistë, planifikues urbanë ose inxhinier mjedisi me disa njohuri mbi arkitekturën e peizazhit por nuk mund të konsiderohen arkitektë peizazhi.
Për të adresuar këtë situatë si dhe për të mbështetur Procesin e Bolonjës, në përpjekje për të inkurajuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin midis shkollave të ndryshme të arkitekturës së peizazhit, BE ka financuar projekte të ndryshme. Midis tyre janë: LE: NOTRE dhe EU-teach.
Gjatë dekadës së fundit kanë ndodhur ndryshime të mëdha në zonat urbane të vendit tonë: pas vitit 2007 për herë të parë në historinë e Shqipërisë në zonat urbane jeton shumica e popullsisë ; ka një program kombëtar që synon të normalizojë situatën kaotike të krijuar nga lëvizja e pakontrolluar e popullsisë në zonat urbane; kanë filluar investimet e para serioze publike që synojnë përmirësimin e situatës së parqeve dhe të zonave të gjelbra; në zonat suburbane ka investime serioze private për ndërtimin e qendrave rezidenciale me kopshte.
Këto ndryshime janë shoqëruar me një rritje të ndërgjegjësimit të popullatës mbi rolin dhe rëndësinë e gjelbërimit; të kopshteve dhe parqeve urbane. Ndërkohë Shqipëria është një nga fare pak vendet evropiane që akoma nuk ka një program të plotë diplomimi në arkitekturë peizazhi. Është detyrë e universiteteve si Universitetit Bujqësor të Tiranës që t’ua ofrojë këtë mundësi të munguar deri tani studentëve shqiptarë.
Eksperienca e vendeve anëtare të BE dhe ajo e SHBA ofron shumë mësime dhe udhëzime, se si mund të realizohet me sukses një proces i plotë diplomimi në arkitekturë peizazhi. Tre vjet më parë në Departamentin e Hortikulturës dhe Arkitekturës së Peizazhit në këtë universitet, nisi masteri profesional në Arkitekturë Peizazhi.
Realizimi me sukses i këtij masteri ka krijuar bazat për kalimin në një program të plotë diplomimi dhe kështu Shqipëria shumë shpejt do të ketë arkitektët e saj të peizazhit, të cilët padyshim do të japin një kontribut të rëndësishëm në përmirësimin e hapësirave publike, të parqeve e kopshteve dhe të kushteve të jetesës si dhe në ripërtëritjen e natyrës kudo në Shqipëri.
Në shtator 1990, presidenti Bush i akordoi Ian McHarg, themeluesit të departamentit të arkitekturës së peizazhit të Universitetit të Pensilvanisë medaljen kombëtare të artit. Libri i tij “Design with Nature” themeloi konceptin e planifikimit ekologjik të peizazhit. Ky libër vazhdon të jetë një nga më të famshmit mbi arkitekturën e peizazhit dhe planifikimin ekologjik të peizazhit.
Me këtë rast, presidenti Bush deklaroi: “Unë shpresoj, që në shekullin e 21-të arritja më e madhe e artit të jetë ripërtëritja e planetit”.