Intervista e Mustafa Nanos për emisionin “Rubikon” në televizion “Koha Vizion” në Kosovë:
Në një vlerësim teknik Ilir Meta është politikani më i talentuar. Në një situatë të vështirë del gjithmonë nga situata, por përgjithësisht është më i talentuar se të tjerët për të evituar situata të vështira. Di të ndërtojë aleanca, di të mbajë aleanca, di të jetë luajalë atyre që lidh aleanca. Fjala vjen, nëse prishet Meta me Ramën unë nuk besoj se Meta i ka ndonjë faj. Meta ka qenë luajal, Rama ka qenë ai që nuk ka qenë luajal.
Ti takohesh me Metën dhe ti takohesh me një njeri normal, ti takon Berishën dhe ti takon një njeri të sëmurë, ti takon Ramën takon një njeri i ekzagjerimeve. Meta është njeri normal. Dhe besoj se kjo është një nga arsyet që njerëzit e votojnë. E shohin si fqinjin e tyre.
Po të shohësh edhe mënyrën se si e drejton Parlamentin. Për mua është kryetari më i mirë i Parlamentit shqiptar i gjithë këtyre viteve. Është një njeri i shtruar, që përpiqet të afrojë mazhorancën me opozitën. Një njeri që nuk fyen. Sa herë që ka tensione të ndezura Meta përpiqet t’i hedhë ujë zjarrit. Përpiqet ti parandalojë edhe situatat e tensionuara sa herë që sheh se mund të lindë një situatë e tensionuar.
Rama dhe Berisha janë njerëz konfliktualë. Rama po e demonstron edhe në marrëdhënie me gazetarët. Është një njeri që konfliktin e ka shumë qejf.
Sot asnjë nuk e ka frikë Kryeministrin në Shqipëri dhe është një nga situatat e veçanta që ne jetojmë në këto 25 vite. Derisa ishte Berisha njerëzit kishin dhe frikë, edhe gazetarët, sot nuk e kanë frikë, nuk është se janë budallenj që nuk e kanë frikë Ramën, nuk e kanë frikë se nuk ka arsye për ta pasur frikë.
Rama ka këtë pastaj, flet, fyen, bën arrogantin, e kërkon konfliktin me gazetarët edhe atëherë kur nuk ka arsye ta kërkojë. Ilustrimi më i mirë i mënyrës se si Rama funksionon ishte debati që ai pati me një numër gazetarësh dhe intelektualësh publikë të Prishtinës, ku bëri arrogantin, ku u ngjit pak sipër të tjerëve dhe bashkë me Batonin, por mendoj se është një gabim i Batonin dhe do t’ia them edhe Batonit kur ta takoj. Nuk është shumë televizive, në të gjitha manualet e gazetarisë nuk thuhet në asnjë vend që Kryeministri dhe moderatori janë një shkallë më sipër.