Nga Kastriot Islami
Marrëdhëniet me Greqinë, marrëdhënie fiqnjësie të një partneriteti strategjik, të definuara prej 1991 e deri më sot, janë të rëndësishme për të dy vëndet e popujt. Këto marrëdhënie përcaktohen përmes disa urash: i) të miqësisë mes dy vëndeve e popujve fqinj, ii) të prezencës së minoritetit grek në Shqipëri dhe iii) të prezencës së një numri të konsiderueshëm emigrantësh shqiptarë të larguar nga 1991 e në vijim, që prej disa vitesh jetojnë e punojnë në Greqi. Natyrisht, sic ndodh shpesh, mes fqinjëve krahas shumë elementëve bashkëpunues ekzistojnë edhe probleme e shqetësime që kërkojnë gjithnjë vullnet të mirë për tu adresuar, maturi për tu qetësuar sa herë ka tensione e konstruktivitet e largëpamësi për të gjetur zgjidhjet. Greqia ka luajtur një rol pozitiv mbështetëes për rrëzimin e diktaturës komuniste dhe ndërtimin e demokracisë, për pritjen e numrit më të madh të emigrantëve shqiptarë, për anëtarësimin e Shqipërisë në Nato dhe progresin drejt BE, në fushën e shkëmbimeve ekonomike e tregëtare dhe të gjithë sektorët e rëndësishëm ekonomikë e socialë. Ndonëse nuk kanë munguar problemet mes dy vëndeve, madje në disa raste edhe tensionimet për probleme e perceptime të trashëguara, qeveritë përkatëse gjithnjë kanë pasur vullnetin e mirë për të trajtuar me kontruktivitet e pozitivitet marrëdhëniet mes dy vëndeve.
1. Marrëdhëniet me Greqinë, të përkeqësuara pas ardhjes së Ramës në pushtet
Marrdhëniet me fqinjët, vecanërisht me Greqinë, janë përkeqësuar në ekstrem pas vitit 2013 me ardhjen e Ramës në krye të qeverisë. Pavarësisht se ai vetë dhe ministri i tij jashtëm deklaruan me fodullëk, arrogancë e megallomani, duke imituar doktrinën “neo-osmane”, për marrëdhënie me “zero-probleme” me fqinjët. Për ne shqiptarët që e njohim mirë Ramën, kapacitetin e karakterin e tij, gjithcka po ndodh në politikën e jashtme, s’është e cuditshme dhe e paparashikueshme, madje është e logjikshme dhe e pritshme. Ndoshta fqinjët, për shkak të mungesës së njohjes së thellë apo iluzioneve naive për Ramën, ndoshta nuk e prisnin një sjellje të tillë për të mos thënë se disa kishin pritshmëritë të larta, madje më të larta se ato të paraardhësve. Ndërkohë që Rama kishte dhënë sinjalet me sjelljet e tij qysh kur ishte në opozitë, sidomos ndaj Greqisë. Kohët e fundit tensionet mes Greqisë e Shqipërisë duken të rritura. Në Shqipëri Rama po luan rolin e “nacionalistit”, bazuar në logjikën e Shqipërisë më të fortë ndërkohë që në Greqi kjo sjellje e Ramës po perceptohet si një sjellje ndaj Greqisë më të dobët. Sjellja e tij më Greqinë mund të cilësohet narciste, egoiste për interesa të ngushta personale, dhe tipike për karakterin e tij, herë servile dhe herë nacionaliste qesharake, por gjithnjë mosmirënjohëse e provokative.
2. 10 arsye që shpjegojnë qëndrimet servilo-nacionaliste të Ramës ndaj Greqisë
Shumë analistë të politikës së jashtme pyesin: Përse Rama po i tensionon marrëdhëniet me Greqinë? Përse pikërisht tani? A duhet marrë seriozisht?
Së pari e mbi të gjitha sjelljet e Ramës në marrëdhëniet me fqinjët, e vecanërisht me Greqinë, por edhe me Vucic, janë shprehje e qartë e egoizimit ekstrem, servilizimit të pështirë dhe nacionalizimit të shëmtuar, me synim qëndrimin me cdo kusht e mjet në pushtet, po ashtu sic kishte ndodhur me diktatorin komunist për 45 vjet që përmes nacionalizimit e servilizimit kishte vetëm një qëllim, ruajtjen e pushtetit dhe garantimin e interesave personale, duke kaluar nga një aleat-armik në tjetrin, nga jugosllavët, te rusët e kinezët, deri në izolimin e plotë të vendit. Rama për pushtetin e tij personal është po ashtu i gatshëm ti serviloset kujtdo dhe ndërkohë pasi ka arritur qëllimin, me një mosmirënjohje ekstreme të godasë e abandonojë pikërisht të parin atë që e ka ndihmuar vetëm për të realizuar synimin dhe qëllimet e tij personale.
Së dyti. kjo që ndodh aktualisht në marrëdhëniet me Greqinë është projeksion i sjelljes së Ramës në opozitë. Për më tepër, me ardhjen në pushtet në 2013, Rama në programin e tij qeverisës vendosi një ballancë të re marrdhëniesh mes fqinjëve, duke i dhënë një prioritet më të ulët Greqisë, se paku relativisht, ndonëse pa e artikuluar atë në mënyrë eksplicite. Kjo sepse Rama preferoi si model qeverisjeje atë më dorë të fortë të stilit të Erdoganit ndërkohë që kjo disballancë krijoi dyshimet e para të fqinjët e tjerë, vecanërisht te pala greke.
Së treti, për shkak të disa veprimeve/sjelljeve nacionaliste në opozitë, Rama u gjend në qorrsokak për disa cështje në marrëdhëniet me Greqinë pas ardhjes në pushtet. Më konkretisht, për njërën prej tyre, Rama pasi e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë dhe e shoqëroi atë më një veprim mediatik me nota të larta nacionaliste, u gjend papritmas në një situatë qorrsokaku. Kjo në kuptimin që Rama me të vërtetë u duk se arriti suksesin e anullimit të marrëveshjes ndërkohë që nga ana tjetër s’e kishte të qartë sesi dhe në cfarë mënyre do të mund të negiocionte në të ardhmen marrëveshjen alternative me palën greke. Prandaj aktualisht kjo marrëveshje është shndërruar në një pengesë serioze për avancimin e marrëdhënieve mes dy vëndeve.
Së katërti, bllokimi i zgjidhjes së cështjeve kryesore, por mbi të gjitha qorroskaku në të cilat ndohet Rama për shkak të mungesës së alternativave të zgjidhjeve e ka shtyrë mesa duket atë ti drejtohet alternativës së tensionimit si një alibi për shtyrjen e zgjidhjes pas zgjedhjeve të ardhshme, duke menduar se ato mund të kishin ndikim elektoral negativ ndërkohë që nacionalizmi jo vetëm do të zvarriste zgjidhjen por mund të kishte edhe ndikim pozitiv elektoral.
Së pesti, Rama artikuloi me një ton më të fortë një cështje që ishte tashmë trajtuar edhe më parë nga qeveritë e mëparshme, cështjen came. Një ceshtje e drejtë dhe shumë e ndjeshme për palën shqiptare ndërkohë që ishte e mbetet një cështje tabu për palën greke. Nga ana tjetër traktati i miqësisë tashmë i firmosur mes dy vëndeve s’kishte mjaftuar për të avancuar drejt zgjidhjes në planin praktik dhe legal të shqetësimeve/padrejtësive të ngritura nga komuniteti cam, pavarësisht se në trajët implicite kjo cështje përfshihej në traktatin e miqësisë. Për më tepër që zvarritjet ndërthurreshin edhe me ekzistencën e cuditshme të ligjit të luftës mes dy vëndeve anëtare të Natos që për më tepër kishin firmosur edhe një traktat miqësie.
Së gjashti ndoshta sjelljet e Ramës ndaj Greqisë janë ndikuar edhe nga marrëdhëniet speciale e deri konfidenciale me Papandreun dhe komplekset që mund të jenë krijuar nga dështimi i tij apo ndikimet e tij në marrëdhëniet me drejtuesit e politikës aktuale greke.
Së shtati, Rama i ndodhur aktualisht në panik po tenton te zhvendosë vëmendjen nga problemet dhe dështimet e qeverisjes, konkretisht nga kultivimi i kanabisit që po merr edhe dimension mediatik ndërkombëtar, nga lidhjet e krimit me qeverisjen tashmë të artikuluar edhe nga parlamenti europian, nga korrupsioni galopant që po rrënon ekonominë e financat, nga vjedhjet masive të buxhetit dhe koncensionit klienteliste, e tjerë, e tjerë.
Së teti, ka shumë mundësi që Rama të ketë marrë dijeni se negociatat me BE ose s’do të hapen ose hapja e tyre do të kushtëzohet fuqimisht me zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme, dhe për të shmangur përgjegjësinë e tij tenton të provokojë Greqinë në mënyrë që të mbajë një qëndrim refuzues për hapjen e negociatave dhe ta përdorë atë më tej qëndrimin e saj si argument alibik justifikimi dhe fajësimi të palës greke për shkaqe që s’kanë të bëjnë me qeverisjen e tij.
Së nënti, dhe ndoshta kjo do të ishte arsyeja më naive e njëkohësisht me diabolike, për të mos e quajtur një provokim hileqar e mediokër, Rama përmes këtyre veprimeve tensionuese tenton ti dërgojë një mesazh kërcënimi aleatit të tij kryesor LSI, duke i kujtuar se ai mund të jetë kryeministër edhe me aleatë të tjerë.
Së dhjeti Rama beson se mund të aplikojë edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të njëjtën menyrë sjelljeje karakteriale, pra mashtrime, kërcënime, arrogancë e në fund tërheqje tinzare e sjellje servile që aplikon edhe me shqiptarët. Ai naivisht gjykon se politika e jashtme është shkëmbim direkt batutash, lojë fjalësh në tuiter apo mesazhe indirekte kërcënimesh përmes sherreve në parlament.
3. Së fundmi, Rama, as anti-grek e as pro-grek, po i drejtohet si nacionalist strehës së maskarenjve…
Rama s’duhet marrë seriozisht. Ai s’ështe as anti-grek dhe as pro-grek, ai eshte thjesht lufton per interesat e tij per pushtet e pasurim te paligjshem personal, pra ai eshte antishqiptar. Ai s’ka as strategji dhe as është koherent në veprimet e sjelljet e tij në marrëdhëniet me jashtë; mungesa e dijeve dhe e përgjegjshmërisë janë të vetmit tipare që mund të shpjegojnë sjelljet e tij. Madje mund të thuhet se veprimet e tij janë tipike prej lunatiku. Sjellja e tij karakteriale është herë pas here narciste ndërkohë që aktualisht vjen për shkak të panikut të konsiderueshëm nga pasiguria që lidhet me dështimet në qeverisje. Po ashtu, kjo sjellje ka të bëjë edhe me një farë ndjenje inferioriteti që i vjen nga injoranca e mungesë njohurishë për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në ndonjë rast është shprehje edhe e imitimit të nacionalizmit banal të figurave të forta ballkanike që ja induktojnë këshilltarë të këqinj e të papërgjegjshëm. Nuk është aspak cudi, që për shkak të pasigurisë, Rama të demostrojë edhe në rastin e Greqisë, luhatje të thella duke u shndërruar nga një nacionalist qesharak në një klloun servil europianist, po ashtu sic veproi me Vucic. Të gjithë kanë parasysh sesi i shndërroi marrëdhëniet me Vucic, nga marrëdhënie të një nacionalisti ekstremist në marrëdhënie mes dy të dashuruarish të zjarrtë që përfundojnë duke pirë verë e kënduar këngë në tavern dhe konkurojnë në dashuri për kancelaren. Por s’do të ishte aspak cudi që kjo sjellje e Ramës të ishte edhe streha e fundit e një politikani të dështuar që luhatet në honet e dështimeve ashtu sic ndodh me maskarenjtë që si strehë të fundit kanë nacionalizmin; gjë që duket shumë probabël. Sido që të të ndodhë, një gjë është e sigurtë: kjo situatë është e përkohshme dhe shumë shpejt kjo sjellje do të marrë ndëshkimin e merituar./Panorama.al