Home KRYESORE Shqiptarët që kërkojnë azil në Angli do t’i kontrollojnë nga dhëmbët

Shqiptarët që kërkojnë azil në Angli do t’i kontrollojnë nga dhëmbët

Udhëtimet plot sakrifica që bëjnë shqiptarët për të arritur në Britaninë e Madhe, do të mbyllen me një poshtërim, që të kujton tregun e skllevërve të Afrikës shekuj më parë: kontrolli i dhëmbëve. Autoritetet angleze propozojnë që të rinjve shqiptarë që prezantohen si fëmijë nën moshën 18 vjeç, t’i kontrollohen dhëmbët për t’i nxjerrë moshën e vërtetë. Propozimet kanë ardhur pas abuzimit të të rinjve shqiptarë që vetëdeklarohen si minorenë nën moshën 18 vjeç, duke krijuar probleme më pas në familjet që kujdesen për ta apo në shkollë. Një raport  i zbuluar nga Dailymail dëshmon se mësuesit në Britaninë e Madhe kanë marrë masa disiplinore ndaj azilantëve shqiptarë që janë deklaruar si fëmijë, por dyshohen se kanë gënjyer.

Sipas një raporti kishte pasur raste kur “fëmijët ishin refuzuar” nga shkolla pas dyshimeve që ishin në moshë më të madhe, sesa deklaronin. Sipas një dokumenti tjetër të rinjtë shqiptarë ishin hequr nga familjet kujdestare për shkak të sjelljes së tyre përkundrejt femrave kujdestare, ndërsa punonjësit socialë fajësonin paragjykimet gjinore që kishin këta fëmijë.

Problemet e moshës dolën në pah kur më shumë se 300 emigrantë vërshuan drejt Britanisë së Madhe pas shkatërrimit të kampit në Kale. Pas këtij fluksi emigrantësh, erdhën dolën propozimet e para për kontrollin e dhëmbëve me rreze X, që nxjerr dhe moshën reale të azilantit. Por ky ishte vetëm maja e ajsbergut, shkruan Dailymail. Rreth 500 shqiptarë hynë në Britani vitin e kaluar, duke deklaruar se ishin fëmijë jetimë që kërkonin azil. Shteti anglez i siguroi një shkollë dhe një familje që kujdesej për ta, duke i garantuar ndihmë deri në moshën 25 vjeçare. Thuajse gjysmës prej tyre iu hoq kjo ndihmë pas disa muajsh. Abuzimi ime moshën ishte i tillë sa autoritetet zhvilluan një operacion sekret për verifikimin e moshës së “fëmijëve shqiptarë” në bashkëpunim me autoritetet shqiptare.

Problemet që kanë shkaktuar fëmijët shqiptarë e pashoqëruar që kërkojnë azil raportohen prej dy vitesh tashmë.

Si shembull të abuzimit, Dailymail sjell shifrat e azilantëve në një zonë të Londrës. Janë gjithsej 433 fëmijë azilantë të regjistruar në zonën e Londrës Jugore – 214 prej tyre shqiptarë dhe vetëm 11 sirianë.

Një deputet anglez ka thënë për Dailymail se është në dijeni të problemit të azilantëve që gënjejnë për moshën për të përfituar nga skema e ndihmës.

“Na duhet një kontroll më i rreptë, ndaj mendoj se kontrolli i dhëmbëve është një propozim i arsyeshëm, që nuk do të ketë abuzime, apo që fëmijët e tjerë nuk do të jenë në rrezik”.

Thuajse të gjithë janë meshkuj adoleshentë dhe kjo ka sjellë probleme në shkolla dhe në shtëpitë ku jetojnë.  Në një raport të autoriteteve britanike në Janar thuhet se “përveç dyshimeve për moshën ka pasur masa disiplinore nëpër shkolla”
Në mars, hartuesve të raportit iu tha “Disa shkolla kanë përjashtuar disa prej fëmijëve për shkak të moshës madhore”.

Në korrik të 2015 “Shërbimi i kujdestarisë ka pasur probleme veçantërisht me këtë grupim për shkak të sjelljes ndaj kujdestareve femra”.

Një raport tjetër i rendit të rinjtë shqiptarë si grupimi më i madh në mes të rinjve të dënuar në Angli. Krimet për të cilat dënohen janë zakonisht për rrahje ose për vjedhje, shkruan Dailmail.

Vitin e kaluar u morën 583 vendime për fëmijë shqiptarë që kërkonin azil në Angli. 299 prej tyre u pranuan, 284 të tjerë u refuzuan. Në pesë vitet e fundit 115 nga 2018 shqiptarë u zbuluan që kishin mashtruar me moshën e tyre për të përfituar azil në Angli. Ata u refuzuan pas dyshimeve se ishin më shumë se 18 vjeç.

Por ka shumë të tjerë që dyshohet se janë më të mëdhenj nga sa kanë deklaruar. Për këtë arsye, që nga viti 2013 ka nisur një projekt i quajtur Operacioni Coldspell, sipas të cilit kërkohet në Shqipëri për familjet e azilantëve që ata të rikthehen në shtëpitë e tyre/ Dailymail, përkthyer nga Lapsi.al

Share: