Kryeministri, Edi Rama ishte i vetmi zyrtar i lartë i shtetit shqiptar që nuk mori pjesë sot në mëngjesin e punës së organizuar sot nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë me rastin e pritjes live të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale, nga ku fitues rezultoi Donald Trump.
Burime zyrtare nga kryeministria pohuan për “BalkanWeb” se arsyeja pse shefi i qeverisë mungoi në këtë ceremoni lidhet me faktin se prej mëngjesit Rama ka mbledhur Shtabin e Zyrës Operacionale të Emergjencave për të organizuar punën në terren për përballimin e situatës së vështirë të krijuar në vend si pasojë e motit të keq.
Të njëjtat burime pohuan për “BalkanWeb” se mosprania e Ramës në ceremoninë e organizuar nga ambasada amerikane nuk lidhet as me mungesën e një ftesë dhe për më tepër as me deklaratat më të hershme të bëra prej tij kundër kandidaturës së Trump për President të SHBA.
Madje me një postim në “Facebook”, Rama i ka uruar fitoren dhe suksese Trumpit, si i zgjedhur tashmë në postin e Presidentit të Amerikës.
“Duke i uruar Presidentit Trump fitoren dhe të gjithë suksesin që amerikanët dhe miqtë e partnerët e SHBA, i urojnë atij vendi të madh, kam bindjen se marrëdhënia jonë strategjike me Shtetet e Bashkuara, do të vijojë të forcohet në funksion të vlerave e të interesave të përbashkëta, të cilat e bëjnë Shqipërinë një mik e aleat të çmuar të popullit e të qeverisë amerikane. US”, – ka shkruar Rama në postimin e tij në “Facebook”/Lapsi.al