Home KRYESORE ” E dua të vërtetën, por ca më shumë dua kuletën”

” E dua të vërtetën, por ca më shumë dua kuletën”

Nga Capajev Gjokutaj

Janë bërë si páre kallp. E kam fjalën për disa kapso intelektualë. Dalin në emisione televizive disa herë në javë, por gjithnjë në istikamin e të njëjtës parti.

Vështirë të thuash nga buron ky ngujim.

Mbase vjen nga bindjet dhe atashimet e tyre politike.

Mbase ndikon pasioni i verbër i provincialit. Përzier me qejfmbetje dhe inate për njerin apo tjetrin lider politik. Që s’u dha këtë post, apo u hoqi goje atë llokmë. Hajt, pa ta tregoj unë!

Mbase ndikon edhe hapsira jonë. Fizike por edhe ekonomike e jetësore. Kaq e ngushtë sa nuk lë shumë mundësi për pavarësi.

Mbase ndikon edhe tradita. Jemi përgjithësisht pasardhës mercenarësh. Dardha nën dardhë.

Mbase ndikohen nga formati i emisioneve: debati kërkon dy palë dhe, kur palët nuk egzistojnë, shpiken. Medemek luajnë rolin që kërkon emisioni.

Pavarësisht larmisë së shkaqeve, një gjë mbetet njësoj. Moton e lashtë të intelektualit: “E dua Platonin, por ca më shumë dua të vërtetën”, e kanë modifikuar: ” E dua të vërtetën, por ca më shumë dua kuletën”.

Natyrisht, është e drejta e tyre të ngujohen në llogoret e njerës apo tjetrës parti. Vetëm se duhet të heqin mantelin e intelektualit. Dhe, për të mos mbetur gollomesh para miletit, të veshin atë të militantit.

Share: