Home KRYESORE LIBRA kërkon vendosjen e minimumit jetik; ja sa e propozon ajo:

LIBRA kërkon vendosjen e minimumit jetik; ja sa e propozon ajo:

Partia LIBRA e Ben Blushit dhe Mimoza Hafizit, insiston në përcaktimin e minimumit jetik në Shqipëri. Sipas saj, qindra mijë shqiptarë jetojnë nën minimumin jetik.

“400 mijë jetojnë vetëm me 400 lekë të vjetra në ditë, deklaruar si e ardhur për familjet në ndihmë ekonomike. Edhe po aq të tjerë jetojnë me më pak se 2000 lekë të vjetra në ditë, që nuk mjaftojnë as për t’u ushqyer me kaloritë jetike dhe as për një strehë të jetueshme e disa veshje e nevoja minimale sociale”, thuhet në një deklaratë të LIBRA-s shperndare ne rrjetet sociale nga anetaret dhe drejtuesit e saj.

Për partinë e re, shteti shqiptar duhet ta njohë dhe ta llogarisë minimumin jetik, si tregues të respektit të dinjitetit njerëzor. LIBRA propozon që minimumi jetik të jetë rreth 160 mijë lekë të vjetra.

“Ka studime që tregojnë se minimumi jetik në Shqipëri është 160 mijë lekë të vjetra. Mund të jetë aq, më sipër ose më poshtë. Por duhet ta dimë e ta njohim. Ta shohim vendin tonë përmes tij. Shtetet europiane, Franca, Gjermania, Italia, e njohin të gjitha minimumin jetik për qytetarët e vet. Edhe vendet rrotull nesh, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia, e kanë këtë minimum nga 100 deri 180 euro. E njohin, e shpallin, e marrin në konsideratë. Ne kërkojmë që minimumi jetik të jetë kusht për politikat sociale dhe pagesat që bën sektori publik dhe privat. Nisur që nga buxheti 2017 ! Të gjitha fondet e nevojshme ekzistojnë, mjafton që ato të mos abuzohen, të mos humbasin në xhepa zyrtarësh në dogana e tatime, të mos përfundojnë në xhepa klientësh qeveritarë, përmes konçesionesh korruptive e të rrezikshme”, theksohet në deklaratën e LIBRA-s, që paralajmërons e së shpejti do të ndërmarrë nismën ligjore.

Share: