Home KRYESORE UFO-t zaptojnë Shqipërinë!

UFO-t zaptojnë Shqipërinë!

Nga Enriko Ceko

Nuk ka se si të jetë ndryshe. Duket sheshit se UFO-t ekzistojnë. Mjafton që të shikoni se ç’farë ndodh në Shqipëri. Pjesa më e madhe e atyre që dalin e japin deklarata në publik janë UFO. Nuk mund të jetë e kundërta sepse deklaratat e tyre janë tërësisht kundra dhe jashtë çdo lloj logjike të mendjeve jo vetëm të shqiptarëve të thjeshtë e normalë, por edhe të banorëve normalë të pjesës tjetër të globit, bile edhe jashtë mënyrës së të vepruarit të kafshëve, që mbahen si specie shumë racionale, krahasuar me Homo Sapiens.

Ka të dhëna të pakundërshtueshme se UFO-t janë shfaqur kohë më parë ndër viset tona, por që të ishin kaq prezentë dhe me kaq pushtet në të tëra nivelet e jetës politike, ekonomike, sociale, kulturore, sportive, etj, në vend këtë nuk ja merrte mendja askujt. Padyshim që vjedhjet, vrasjet, grabitjet, fyerjet, ofendimet, përgojimet, mungesa e korrektësisë, etj në jetën e përditëshme dhe nepotizmi, dezinformimi që i bëhet publikut, prostitucioni në kuptimin e gjerë të fjalës, realizimi i skemave nga më të çuditshmet për t’i vënë në vështirësi qytetarët, mungesa e dëshirës për punë e për të mësuar nga gabimet gjatë punës, etj, në administratën publike, janë thjesht dhe vetëm shembuj mëse të prekshëm dhe realë që shumica e shqiptarëve janë UFO.

Për shembull: Para do vitesh disa UFO ndër më të paparashikueshmit e më të pakuptueshmit u shfaqën në veri të Shqipërisë. Ata kërkonin që busti i Nënë Terezës të mos vihej në qytetin e Shkodrës. Kësaj shqip i thonë “përmbi dyzet saze, një karadyzen” (vegël muzikore). Sikur nuk mjaftonin hallet tona dhe kostot që po mbajmë mbi supe përgjatë rrugës së përmirësimit të jetës tonë të përditshme, por na u desh edhe kjo histori, që të merreshim me mbushjen e mendjeve të disa UFO-ve se duhet apo nuk duhet vënë busti i një shenjtoreje shqiptare me përmasa unikale botërore në një qytet shqiptar.

Disa UFO para ca viteve hodhën nga spondi i makinave, rrugëve të fshatrave, shpendë të ngordhur si për të shtuar zallahinë e gripit të pulave, që mesa duket po vërtitet përsëri në anët tona, shtuar kjo problemit që kemi prej muajsh me bagëtitë e trasha që sëmuren e nuk i bën fajde vaksina e mjekimi e problemit të përmbytjeve të përvitëshme.

Para disa kohësh ka dalë në lajme në TV një UFO me syze që deklaroi se “Presidenti duhet të jetë kaq i gjatë e kaq i gjerë e të peshojë kaq kilogram”. Por, kjo s’është asgjë kur kujton deklaratën e famshme të investimit supermadhor që do lidhte Shqipërinë me Italinë me tunel disa dhjetra kilometra nën det, që patjetër ka lidhje me ndonjë projekt në ndonjë botë tjetër paralele, por që duhet te jetë projekt mjaft i vërtetë sepse ka dalë nga goja e një UFO-je që na ka drejtuar disa vite më parë, i cili mesa duket paskërka lidhje me botë të tjera dhe që ngatërroi fjalimin për shqiptarët me fjalimin që do mbante në planetin tjetër në botën paralele.

Një nga këta UFO-t doli publikisht ca kohë më parë dhe tha se do përmirësonte cilësinë e diellit e një tjetër UFO tha se sapo të vinte në pushtet Sheshin Skënderbej që Kryetari aktual i Bashkisë po e bën si tip kodre do e kthente në tip vaske, po vaskë që nuk është parë askund dhe në të do të bëjnë plazh të tërë banorët e Tiranës, së bashku me tërë ata amerikanë që votuan për Trump-in.

Një tjetër UFO deklaroi një vit rresht se Gjermania është e para në botë në të tëra drejtimet dhe pas saj vjen menjëherë Shqipëria ndërsa një UFO tjetër kërkoi legalizimin e drogave pa dallim dhe rritjen e çmimit të duhanit në stratosferë. Një UFO tjetër ka thënë para do kohësh se ai është i pazëvendësueshëm, sepse paskërka gjak den babaden udhëheqësi e trimoshi, por që shyqyr s’ka asnjë gram shkollë.

Një syresh, që pretendonte se do ishte 99% në politikë doli para ca vitesh e llangosi muret me të kuq, blu e jeshil, duke lënë mbi to shenjat e duarve të tij pa kallo. Po 1%-shi ç’të jetë vallë? Gjysmagjel? Ky UFO e të tjerë pas tij, që s’kanë bërë asnjë ditë punë, që nuk dinë se ç’janë letrat e shtetit e si manaxhohet ai dhe që nuk e njohin fare jetën e vështirësitë e shqiptarëve, sepse vitet e rinisë i kanë kaluar gjasme me studime jashtë shtetit, por tashmë bëjnë tërë ditën e ditës pallë kafenesh tek Hani Perandorak apo diku tek Blloku, duke i paguar kafetë e drekat e tyre me fondet e të huajve, duket se kanë në sy të zëvendësojnë UFO-t më të rritur, që po largohen nga skena politike.

Përveç këtyre UFO-ve që bëjnë deklarata ka edhe ca UFO gazetarie që deklaratat e shokëve të tyre politikanë i bëjnë lajme dhe i fryjnë e i fryjnë, kryesisht në mediat televizive dhe kjo sepse gazetarëve u mungon logjika dhe nuk kanë guximin të japin lajmin e vërtetë sheshit sepse nuk janë aspak të aftë ose kanë frikë të pasqyrojnë jetën reale të shqiptarëve dhe dinjitetin e tyre të përbaltur. Këtë e bëjnë edhe dy a tre UFO gazetarie që deklarojnë se “o do jem njëshi i informacionit publik o rashë e vdiqa”, që nuk kanë fare turp e pasi kanë shteruar totalisht, fillojnë e rishkruajnë si pa të keq artikuj, analiza e komente të hedhura në publik ca vite më parë, e njerëzit fillojnë të rilexojnë për së dyti e për së treti nga po të njëjtët autorë për “tangat, kaladibrançen, ma hipe – ta hypa në det na mbeti krypa, kush i ka leshtë më të gjatë ajo videoklipistja nga Gjilani apo Ramadani nga Elbasani, mbretin e vetëzgjedhur e pinjollin e mbetur”, e të tjera mbroçkulla e budallallëqe si këto.

Një UFO tjetër del e na sqaron në emisione speciale me javë të tëra historinë e një personi që u arrestua së fundmi, sikur shqiptarëve u intereson se ku iku, kur, ç’bëri, si u kap e të tjera si këto, histori të denja për ndonjë film alla napoletançe, që mund të shikohet më nge vetëm ndonjë të diel paradite nga fëmijët e adoleshentët, kur duhet ngritur zër për kriminelët që ende nuk janë kapur, burimet e tyre të financimit, për shkeljet e ligjit, për dënimet e padrejta, etj.

Po ka me shumicë edhe një lloj tjetër UFO-je, që pasi inçizojnë disa këngë të kopjuara keq, e pasi hidhen e përdridhen në videoklipe sikur i ka zënë tartakuti, zenë e mburren vetë me vehte apo edhe me ndihmën e nja dy prezantuesve UFO-shakatorë të ndonjë kanali mediokër televiziv se janë artistët dhe krijuesit më të mirë në botë, se rryma e tyre e muzikës shpejt do të arrijë kufijtë e artistëve të Hollivudit, etj. Këta tipa e tipesha që nuk e kanë fare sensin e humorit, hidhësisë dhe të masës dalin e na japin shfaqje “live” ku fat(keqësisht)mirësisht duket sheshit se ç’farë niveli intelektual dhe aftësish vokale e kërcimi kanë. Zaten, prandaj përdorin atë lloj fjalori e këndojnë e kërcejnë gati – gati lakuriq apo me veshje nga më të çuditshmet, që mileti të merret me pjesët e tyre të trupit e kanatjeret e kapelet idiote e jo me thelbin e çështjes, që është teksti i këngës, aftësitë vokale dhe në të kërcyer. Tek këta UFO mungon tërësisht aftësia e njohjes së masës dhe e kufijve që u jep mosha, shoqëria dhe mjedisi ku jetojnë.

Tek këta individë mungon pothuajse tërësisht aftësia e orientimit në shoqëri dhe e dallimit të kufijve personalë. Kjo duket edhe në faktin se këta UFO ashtu siç dalin në skenë ashtu sillen dhe vishen edhe në jetën e përditshme, kur dihet se skena e lejon edhe një farë “çmendurie”, por jeta e përditëshme dhe morali i shoqërisë, kurrsesi. Artisti me veprimet e tij në punë dhe në jetë është model, idhull, shembull, gati gati edhe perëndi, për ata që e adhurojnë. Por, ç’i mbetet këtyre “artistëve” kur modeli që ata përfaqësojnë apo ideja e tyre “moderne” mezi thithet nga disa persona që numërohen vetëm me gishtat e njërës dorë dhe pjesa tjetër e shoqërisë i tregon me gisht rrugëve? Kufiri dhe hapsira e individit janë të përcaktuara, të dhëna dhe në zhvillim nga mjedisi ku jeton dhe rritet ai, nga niveli i arsimit, nga niveli i shoqërisë që e ka rrethuar atë gjatë jetës, nga përvoja jetësore, nga objektivat dhe synimet që individi i vë vehtes për sot dhe për të ardhmen, nga mundësitë dhe dëshira e individit për t’i shërbyer vehtes, familjes dhe shoqërisë sa më mirë që të jetë e mundur, etj.

Por duket sheshit se këta UFO nuk ecin me këmbë në tokë por fluturojnë, fluturojnë, fluturojnë aq lart sa … të tjerët mezi i dallojnë që janë UFO. Ka vërtet një hapsirë rreth çdo individi brenda së cilës çdo kush ia lejon vehtes të jetë pakëz UFO, por kjo hapsirë ka një kufi dhe ky kufi mbaron atje ku fillon edhe hapsira e tjetrit. Një fjalë e vjetër pellazge thotë: “Liria jote fillon atje ku mbaron liria ime”.

Me këtë lesh arapi e me këtë shumicë UFO-sh kudo, situata komplikohet aq shumë sa askush nuk u çudit kur një UFO tipik, i gjatë, i hollë dhe me pak kurriz të dalë, ca kohë më parë tha: “kundërshtarët tanë dhe regjimi në fuqi po na detyrojnë që të ndërmarrim veprime konkrete kundër …”, etj, etj e bla, bla, bla e tërci e vërci. Çdo të thotë kjo? Kjo është një gafë politike aq e madhe sa ky person nuk duhet të qëndrojë as edhe një minutë në politikë. Të jesh në opozitë nuk do të thotë aspak se “duhet marrë pushka e të ngrihemi në këmbë si një trup i vetëm e të zhdukim nga faqja e dheut armiqtë që janë në fuqi”, përkundrazi, opozita e vërtetë duhet të përpiqet të gjejë rrugët, mjetet, mënyrat dhe mundësitë për të vepruar siç duhet, edhe kur mungojnë hapsirat, apo kur rruga është e mbyllur apo e hapur fare pak, por këto rrugë, mjete, mënyra dhe mundësi edhe se ekzistojnë, nuk kanë shanse që të shfrytëzohen me dhe nga UFO-t e UFO-eshat.

Por, UFO tipikë ka sa të duash edhe nëpër zyrat e shtetit e pushtetit. Ca UFO në kor kërkojnë të paguhen me para në dorë nga komuniteti i biznesit, duke i bërë atij presion e duke i ndërsyer dallkaukët pa arsimin përkatës të tatimores me kërcënime se do t’u hiqen licensat e do u mbyllen veprimtaritë. Ca të tjerë shkelin ligjet e shtetit në çdo hap që hedhin, vetëm e vetëm që të fitojnë një vezë sot, sepse nuk dihet se ku do të jenë mot. Kjo logjikë pune vjen nga paaftësia dhe pamundësia reale që kanë këta UFO për të ndërtuar të ardhmen e tyre me djersë, punë dhe me pak fat, krahas pjesës tjetër të komunitetit që i rrethon.

Para disa kohësh publiku u informua se është falsifikuar firma e kryetarit të një gjykate. Vaj medet se ç’mund të ndodhë me firmat e njerzve të thjeshtë, aq më tepër kur tashmë vlon debati për pronat e legalizimet. Këta UFO të zyrave të shtetit nuk e kanë hiç për gjë që nëpër inaugurime e takime të ndryshme të mbajnë fjalime nga më të çuditshmet, ku zenë e sqarojnë popullin se sa kilometra do jetë kjo apo ajo rrugë, sa harqe do kenë urat, në ç’vit do arrijmë të barazojmë eksportet me importet, si do i ndryshojmë kufijtë e Evropës, etj, etj, kur askujt nga njerëzit e thjeshtë e normalë nuk i bëhet fare vonë për shifrat e ngjarjet e shekujve që do të vijnë, dhe kur të gjithë ne shikojmë me dhimbje se si po na ikën nëpër shalë jeta jonë dhe e fëmijëve tanë, duke shpresuar se Ata, udhëheqësit tanë të mëdhenj, më në fund do zbrazin batarenë e drejtësisë mbi batakçinjtë, do venë pikat mbi “i”, do bashkojnë popullin drejt rrugës së mirëqënies, e do bëjnë këtë e atë, etj. Por, kur udhëheqësit rrethohen nga UFO-t dhe nga informacionet që i vijnë nga të katër anët po nga UFO-t dhe të përpunuara po nga UFO-t, sado njerëzorë, të drejtë, largpamës, të pakorruptueshëm, të prirur për bashkepunim dhe të mirë të jenë, Ata, nuk mund të bëjnë asgjë për ne dhe vehten e tyre dhe më e pakta që mund të bëjnë është që të bëhen edhe ata UFO.

E kjo puna e paaftësisë së udhëheqësve tanë ka shkuar aq larg, deri tek ishullorët me flamur me kryqe bardhë e blu e me fushë të kuqe, e te ata që kanë në flamur 50 yje, sa këtë reng dramatiko-komik, që po luhet mbi popullin shqiptar në ditët e sotme, po na e vë në dukje edhe Evropa e bota, të cilave, ta themi hapur, nuk po i ha edhe aq shumë meraku për ne, por i ha meraku për vehten, se u jemi bërë barrë aq e rëndë sa gati – gati po mendojnë të na çojnë në ndonjë planet tjetër meqë këta që na udhëheqin si në pozitë ashtu edhe opozitë dhe këta që drejtojnë biznesin, artin e kulturën e sportin, i plotësojnë edhe të tëra kushtet e fluturimit lart, shumë shumë lart, në hapsirë, atje, atje, atje lart ku …. askush nuk e kupton sa UFO janë. Brukseli deklaron se është i gatshëm që të paguajë fluturimin. Aq shumë UFO paskemi midis nesh sa nuk ka mbetur gjë tjetër veçse t’u zgjedhim planetin. Të paktën t’i kishim UFO të mirë, siç i kanë gjermanët, francezët apo anglezët.

Share: