Presidenti i sapo zgjedhur amerikan, republikani Donald Trump, e ka përshkruar si mashtrim rinumërimin e pashmangshëm të votave në Wisconsin.
Trump, i cili fitoi ngushtë në këtë shtet, ka thënë se rezultatet duhet të respektohen, në vend se të sfidohen dhe abuzohen.
Kandidatja e Partisë së Gjelbër, Jill Stein, ka iniciuar numërimin e votave. Ajo, po ashtu, dëshiron që votat të rinumërohen në Michigan dhe Pennsylvania, duke cituar anomali statistikore.
Ndërkohë, fushatat e kandidates demokrat Hillary Clinton ka thënë se do të marrë pjesë në rinumërim në Wisconsin. Nevojitet përmbysja e rezultateve në këto tri shtete për ta ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 8 nëntorit.