Home KRYESORE Zgjedhjet që nuk po sjellin zgjidhje për shqiptarët e Maqedonisë

Zgjedhjet që nuk po sjellin zgjidhje për shqiptarët e Maqedonisë

Nga Xhelil Bajrami

Intensifikimi i fushatës elektorale ditët e fundit nga partitë shqiptare në Maqedoni, në vend që të ndihmonte në qartësimin e alternativës që sjell secila parti apo koalicion, ka shkaktuar një çoroditje totale, ndërkohë që sheshet, qofshin të vogla apo të mëdha, janë kthyer në arena cirku dhe teatri, ku ata që mashtruan deri dje, sot duan të mashtrojnë me pak më shumë art dhe ata që janë fillestarë janë vetëm një hap larg këtyre ustallarëve.

Lufta për të marrë pushtet dhe karrige, beteja për interesa klanore dhe nepotike është energjia ,që për fat të keq duket se mban ndezur motorrët e shumicës së partive politike shqiptare në Maqedoni dhe mungesa e një alternative të qartë dhe të besueshme, ka vënë në dilemë votuesin shqiptar që të dielën e 11 Dhjetorit, më shumë se asnjë herë tjetër nuk di kujt t’i besoje.

U prit me shumë shpresë krijimi i formacioneve të reja politike, të cilat në sytë e popullit u panë si një alternativë ndryshe nga ajo që kishin provuar këto 20 vite. Midis atyre që besuan se një brez i ri politikanësh shqiptar do mund ta ndryshojë qasjen tonë dhe përfaqësimin shqiptar në qeverisjen e vendit, kam qenë edhe unë, ndonëse sot, pasi kam ndjekur me vëmendje fushatën e të gjitha subjekteve dhe pasi kam lexuar me detaje programet dhe alternativat që kanë publikuar, me keqardhje vë re se ende jemi larg asaj që pret populli, larg asaj që përbën shpresë për secilin nga ne.

Imitimi i sjelljes dhe programeve të partive të vjetra nga forcat e reja politike, tregon se liderët e rinj kanë hyrë në këtë betejë për të konsumuar kohën, por jo për të sjellë ndryshimin dhe kthesën që presim të gjithë pas kaq vite konsumimi të dy forcave më të mëdha politike shqiptare. Në ditët dhe orët në vazhdim do të shohim sesi forcat politike shqiptare do të afrohen aq shumë me njëra tjetrën në sjellje, model, shfaqje dhe premtime, sa vështirë do të jetë të kuptohet se në tubimin e cilës parti je apo liderin e cilës parti po dëgjon.

Ali Ahmeti dhe Menduh Thaci, disa muaj më parë ishin mjaft të brengosur për fatet e tyre politike dhe të partive që drejtojnë, sepse menduan që rryma e re politike (t’i quajmë kështu të gjitha formacionet e reja) do të përmbyste establishmentin e tyre dhe në skenë do të ngjiteshin aktorë dhe faktorë të rinj.

Tani që fushata ka edhe pak kohë pa përfunduar, duket e qartë se oferta e politikës shqiptare për shqiptarët në Maqedoni është pothuajse e njëjta dhe nuk kemi mundësi të dallojmë kush është më e mira dhe më e besueshmja.

Unë mendoj se edhe këto zgjedhje nuk do të sjellin zgjidhje afatgjatë as për shqiptarët as për maqedonët, as për shtetin as për popullin, as për partitë e vjetra as për partitë e reja.

Mezimbajtja e këtyre zgjedhjeve me shtyrje të njëpasnjëshme dhe mungesa e alternativave nga subjektet politike dhe përçarja e votës shqiptare nuk do të sjellin me vete stabilitet politik afatgjatë dhe tek shqiptarët e Maqedonisë do të mbetet kërkesë e kohës krijimi i një formacioni politik të ri më përfaqësues dhe gjithpërfshirës rreth një alternative që vjen nga populli për popullin.

Gabimet që u bënë nga partitë e reja në përgatitjen e kësaj fushate dhe prezantimin e alternativave të tyre le të shërbejnë si mësim për të ardhmen, ndërkohë për fatin tonë te keq dy subjektet e mëdha do ta gjejnë gjuhën për të qeverisur së bashku pas këtyre zgjedhjeve, sado i shkurtë qoftë ky mandat. Oferta e vërtetë politike për shqiptarët duhet të hartohet sa më parë dhe sa më mirë!

Share: