Kryetari i partisë së re Lëvizja për Reforma – Partia Demokratike Shqiptare, Ziadin Sela tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se federalizimi është mundësia më e mirë për barazinë etnike dhe për zgjidhjen e shumë problemeve në Maqedoni, pa rrezikuar ndarjen e vendit. Partia e tij bën pjesë në koalicionin zgjedhor “Aleanca për Shqiptarët”, ndërsa zoti Sela është edhe kryetar i komunës së Strugës. Ai vlerëson se po bëhen manipulime të shumta në prag të zgjedhjeve parlamentare të së dielës.
Zoti Sela, në fushatë ka pasur një retorikë mjaft nacionaliste të shprehur, sidomos nga garuesit maqedonas; Sa mund të ndikojë kjo ndaj një procesi të drejtë dhe të qetë zgjedhor?
Retorika e tyre nuk është nacionaliste. Është shoviniste! Sepse nacionalizmi ka të bëjë me çështje të tjera, ndërsa kur merresh me të drejtat e një populli të tërë dhe me idenë që kurrë ai popull nuk do t’i fitojë të drejtat – kjo është retorikë shoviniste, retorikë njerëzish të cilët duan të okupojnë, të robërojnë.
Ju keni ngritur çështjen e federalizimit si një mundësi për barazinë etnike në vend. Por, siç duket, kjo nuk ka aq mbështetje, madje as tek partitë shiptare në Maqedoni!
Nuk ka mbështetje te partitë, të cilat gjatë këtij 25 vjeçari janë mësuar me servilosje, përulje dhe janë mësuar të shfrytëzojnë temat etnike për të krijuar pasuri personale. Federalizmi është koncept i botës së përparuar dhe perëndimore; Pjesa më e madhe e shteteve të BE-së e NATO-s, ku jemi drejtuar, e kanë të rregulluar formën e tyre të organizimit shtetëror, nëpërmjet federalizmit, kantonizimit, etj. Dhe federalizimi do të sillte stabilitet afatgjatë në Maqedoni. Stabiliteti ka vetëm një formë, të arrihet barazia e tërësishme ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve, qoftë kjo edhe nëpërmjet një federalizimi joterritorial me vendimmarje konsensuale, parlament dydhomësh, pse jo edhe me federalizëm, do ta ruajë Maqedoninë dhe nuk do ta ndajë atë.
A mendoni se shqiptarët do të humbasin vende në parlament për shkak të ndarjes së votës në më shumë parti shqiptare që marrin pjesë në garë?
Vende në parlament do të humbë BDI-ja, kësaj radhe. Prandaj është aq e shqetësuar dhe mundohet të bëjë një fushatë duke frikësuar, duke luajtur me sinqeritetin e shqiptarëve dhe përgjegjësinë që kanë shqiptarët. Çfarë është votë e humbur dhe verdikt i humbur? Ja, për shëmbull, BDI-ja është subjekti politik, i cili ka djegur më tepër vota ndër shqiptarët. Një votë që merret në emër të një platforme dhe ideje politike dhe që nuk rezulton me zbatimin e asaj platforme në qeverisje… kjo është votë e djegur.
Dhe ju jeni i mendimit se shqiptarët do të kenë numrin e njejtë të ligjvënësve në parlament?
Me siguri, 25 deputetë shqiptarë do të ketë në parlament dhe shqiptarët do të dinë të bashkohen rreth subjekteve politike të cilat japin shpresë.
Zoti Sela çka u ofron tjetër gjë, “Aleanca për Shqitarët” votuesve?
Ne jemi për shtet binacional, barazi të tërësishme të shqiptarëve dhe maqedonasve, duke respektuar të drejtat e pakicave; Jemi për gjuhë shqipe zyrtare në të gjithë shtetin, flasim për çështje kolektive që i prekin shqiptarët; Jemi për rregullim të vendimmarrjes dhe risia është se ne jemi për një decentralizim të mirëfilltë të pushtetit lokal që nënkupton menaxhimin në kuadër të territorit të një komune, me burimet natyrore të cilat i ka ajo komunë. Dhe ndarja e buxhetit me kriter lokal. Kjo nënkupton që mbi 50% e të hyrave, tatimeve të cilat realizohen në kuadër të një komune si konsum, të ngelin në komunë dhe pastaj komunat të financojnë institucionet shtetërore me aq sa është e nevojshme për mirëmbajtjen e institucioneve të pushtetit qendror. Ne jemi për përfaqësim të drejtë dhe adekuat të rregulluar me ligj në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të rregullohet çështja e administratës dhe vendet e shqiptarëve, të cilat janë të uzurpuara në mënyrë të padrejtë nga v.2002 deri sot, do të duhet t’u takojnë shqiptarëve.
Por, zoti Sela për këto reforma do të duhet të kishte gatishmëri edhe tek faktorët politikë maqedonas dhe për ndryshime kushtetuese, në atë rast!
Ne kur kemi dalë në skenën politike kemi thënë që ne do të kushtëzojmë formimin e qeverisë me ndryshimin e kushtetutës në mënyrë që një herë e përgjithonë t’i zgjidhim çështjet e hapura etnike në Maqedoni, në mënyrë që vendi të bëhet shtet stabil.
Këto zgjedhje priten me interes të shtuar, si brenda edhe jashtë vendit. ku e shikoni vendin e Maqedonisë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit?
Qëndrimet e mia kanë qenë gjithnjë transparente në drejtim të kësaj. Nuk mendoj se duhej të hynim në zgjedhje me të njejtit njerëz të cilët kanë vjedhur zgjedhjet, kanë shantazhuar vullnetin e popullit, kanë kërcënuar qytetarë dhe votues. Aktualisht po shantazhohen qytetarët në Maqedoni; U ofrohen para nga inspektorë të lartë të shtetit. Zgjedhje në kushte dimri, në errësirë, nuk janë shumë demokratike, aq më tepër që hyhet me të njejtat parime që krijuan krizën në vitin 2014 dhe që rezultoi me zgjedhje të parakohëshme.
Nëse fitoni mandate në parlament, cilin do të dëshironit ta shihnit për kryesministër të ri të Maqedonisë, me të cilin Aleanca juaj do të hynte në qeveri, eventualisht?
Do të doja unë të marr obligime ndaj shqiptarëve, të gjithë qytetarëve të tjerë dhe kryeministër i Maqedonisë të jem unë! Në mënyrë që njëherë e përgjithmonë t’i zgjidh çështjet e shqiptarëve. Ne duam legjitimitet. Kjo nënkupton një votë më tepër se çdo subjekt politik shqiptar. Ne në emër të kësaj vote, të nesërmen e 12 dhjetorit do t’i thërrasim të gjitha partitë politike shqiptare të cilat kanë deputetë në parlament, në mënyrë që ta bëjmë një këshill ndërmjet partive politike shqiptare që si bllok politik shqiptar të parashtrojmë kushtet tona përballë atij që do të ketë marrë mandatin dhe të ketë fituar në bllokun politik maqedonas.
Sa janë gjasat që partitë shqiptare të hyjnë ‘në bllok’ në koalicionin e ri qeveritar?
Nuk jam për idenë që shqiptarët të ngelin pa opozitë. Kjo nuk duhet të ndodh. Shqiptarët, si çdo popull tjetër, kanë të drejtë të kenë përfaqësuesit e tyre në qeveri dhe opozitën, si korrektor dhe morali i një shoqërie. Duhet dikush që ka marrë legjitimitetin për të qenë në qeveri dhe nga ana tjetër do të duhet dikush, i cili do të ndjek seriozitetin e realizimit të premtimeve që ka dhënë partia që është në pushtet.